Publikohet analiza “(Pa)Qëndrueshmëria financiare e komunave”

27/10/2015

Prishtinë, 27 tetor 2015- INPO me përkrahjen e Fondacionit për Shoqëri të Hapur KFOS, përmes një tryeze ka prezantuar analizën “(Pa)Qëndrueshmëria financiare e komunave”. Qëllimi i kësaj analize është vënia në pah mënyrën se si planifikohen të hyrat vetanake se si bëhet ndarja e buxhetit në kategori, dhe sa arrijnë të realizohen këto të hyra. Gjithashtu, përmes kësaj analize INPO, ka tentuar të bëjë identifikimin e problemeve apo të arriturave në fushën e të hyrave vetanake në komunat e Kosovës, identifikimin e pengesave ligjore apo rregullative (nëse ato ekzistojnë) gjatë procesit të planifikimit të të hyrave si dhe analizimin e të gjeturave të raportit të Auditorit të Jashtëm për komunat që ndërlidhen me të hyrat vetanake.

Drejtori Ekzekutiv i INPO-s, z.Arbër Kadriu, prezantoi të gjeturat, vlerësimet dhe rekomandimet të cilat burojnë nga analiza. Gjatë prezantimit, ai tha se ndarja e buxhetit për komuna vazhdon të bëhet mbi të dhënat e popullsisë të vitit 2011, që është diferencë e lartë me vitet aktuale dhe mund të sjellë një situatë ku nevojat dhe kërkesat e qytetarëve janë joreale konform ndarjes buxhetore dhe bien ndesh me parimin e subsidiaritetit në qeverisje lokale, ku të gjitha vendimet duhet të jenë në harmoni me nevojat dhe kërkesat e qytetarëve. z.Kadriu tha se ndër të gjeturat kryesore, e që vlejnë për të gjitha komunat të cilat janë marrë si mostër në këtë analizë janë; Niveli i ulët i bashkëpunimit në mes të institucioneve qendrore me ato lokale e që vazhdon të jetë pengesë në rritjen e efiçiencës në alokimin dhe përdorimin e të hyrave komunale; Komunat vazhdojnë të realizojnë të hyrat nën presion e që në raste vjen deri te rënia e menaxhimit të efiҫiencës dhe përdorimi i parasë publike në mënyrë transparente; Komunat nuk kanë ndonjë strategji të veçantë për të adresuar rritjen e të hyrave vetanake apo ngritjen e kapaciteteve për akumulimin e të hyrave vetanake meqë janë të fokusuara vetëm në zbatimin e projeksioneve që vijnë nga niveli qendror; Përcaktimet e kufijve të financimit nga niveli qendror si dhe mënyrën se si të shpenzohen ato të hyra, i bën komunat që të heqin dorë nga shumë prioritete të planifikuara; Komunat nuk kanë strategji të qartë për të mbështetur ekonominë lokale për hapjen e vendeve reja të punës dhe vetëqëndrueshmëria financiare nuk mund të arrihet për një kohë të gjatë, pasi që deri më tani Komunat janë shpenzuesit më të mëdhenj të parave të taksapaguesve.

z.Petrit Popova, Drejtor i Departamentit të Buxhetit Komunal në Ministrinë e Financave, tha se rregullativa ligjore sa i përket financave dhe përgjegjësive të institucioneve publike, i definon qartë kompetencat dhe përgjegjësit që kanë komunat në planifikimin dhe shpenzimin e buxhetit. Ai tha se “komunat duhet të ngrisin nivelin e profesionalizmit në hartimin dhe menaxhimin buxhetit, të respektojnë afatet ligjore dhe të jenë më azhur në ofrimin e shifrave të sakta, të cilat kërkohen për tu zbatuar “formula”, përmes së cilës bëhet ndarja e granteve specifike, sikur ai i arsimit dhe i shëndetësisë, në mënyrë që shuma e këtyre granteve të mund të mbulojë investimet dhe nevojat për këto dy sektorë”.

Ndërsa, Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit z.Rufki Suma, tha se problemi qëndron edhe tek Ministria e Financave, e cila e përcakton tavanin për të hyra vetanake, e që në komunën e tij, Ministria e Financave për vitin 2015, i kishte përcaktuar tavanin për të hyrat vetanake të komunës duke u bazuar në projeksionet e vitit paraprak. Ai më tutje shtoi se vendimi i Qeverisë së Kosovës për faljen e borxheve ka ndikuar negativisht në vjeljen e të hyrave vetanake, edhe pse ky vendim ishte marr për të stimuluar qytetarët që të paguajnë obligimet ndaj komunës.

Nënkryetari i Komunës së Ferizajt, z.Xhavit Zariqi, tha komunat nuk kanë pavarësi financiare dhe çështja e planifikimit dhe shpenzimit të buxhetit të komunës është totalisht e centralizuar nga Qeveria apo Ministria e Financave.“Duhet të rishikohet infrastruktura ligjore sa i përket trajtimit të çështjeve lokale, përfshirë edhe buxhetin me qëllim që të pavarësohen komunat dhe të kenë “duart e lira” në ekzekutimin e buxhetit sipas nevojave të tyre reale”. Ai tha se Komuna e Ferizajt, në vitet e fundit ka zgjeruar rrjetin e infrastrukturës së qytetit përfshirë rrugët, kanalizimet, ndriçimin publik dhe rrjedhimisht është rritur kostoja e mirëmbajtjes së tyre. “Kësisoj, përcaktimi i tavaneve për shpenzim nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve, i pamundëson komunës që të paguajë obligimet ndaj kompanive që ofrojnë shërbimet e mirëmbajtjes së rrugëve apo ndriçimit publik, pasi shuma e përcaktuar për shpenzim për këtë kategori është e vogël dhe joreale dhe për pasojë komuna hyn në borxhe dhe rrezikon që të privohet nga këto shërbime” tha ai.

Duke vlerësuar analizën dhe problematikën që shtron ajo, diskutimet kanë vazhduar me kryetarin e komunës së Kacanikut, z.Besim Ilazi, udhëheqësin e Sektorit për Buxhet në komunën e Prishtinës z.Eroll Raskova, Drejtorin e Financave në komunën e Shtimes, z.Jetush Rrafshi dhe të tjerë.

Pjesëmarrës në tryezë dhe diskutime po ashtu ishin edhe drejtorët e Drejtorive të Financave të komunave të përfshira në analizë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediat.

[embeddoc url=”https://inpo-ks.org/wp-content/uploads/2015/10/Analize_PaQendrueshmeria-financiare-e-komunave_INPO.pdf”]