INPO, IKD dhe Lëvizja FOL mbajtën tryezën e diskutimit “Çka po ndodh me projektligjin për prokurim publik?”

29/02/2024

Prishtinë, 29 shkurt 2024 

Iniciativa për Progres (INPO) në partneritet me Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Lëvizjen FOL, sot mbajtën tryezën e diskutimit me titull: “Çka po ndodh me projektligjin për prokurimin publik?”,  miratimi i së cilit është shtyer gjashtë (6) herë që nga viti 2020 kur edhe ka filluar të hartohet.

Panelistë në këtë tryezë ishin: Kryetarja e Komisionit për Mbikqyrjen e Financave Publike, si dhe ish-Ministre e Ministrisë së Financave, znj. Hykmete Bajrami, Kryetari i Komisionit Rregullativ për Prokurim Publik, z. Osman Vishaj, Kryetarja e Organi Shqyrtues të Prokurimit znj.Vjosa Gradinaj Mexhuani, përfaqësues nga Agjencia Qendrore e Prokurimit, përfaqësues të projektit KMI – USAID, përfaqësues të projektit për mbështetje të prokurimit nga Ambasada Britanike në Prishtinë, përfaqësues nga shoqëria civile si dhe akterë të tjerë relevant nga fusha e prokurimit publik. Ndërsa, Ministria e Financave si sponzorizues i këtij projektligji, nuk i është përgjigjur ftesës për pjesëmarrje.

Drejtorja Ekzekutive e INPO-s, znj. Albulena Nrecaj potencoi se iniciativa për hartimin e projektligjit për prokurim publik ka nisur në shtator 2020, kur është miratuar Koncept Dokumenti për Prokurimin Publik nga Qeveria e Kosovës. Procesi i hartimit të projektligjit për Prokurimin Publik ka hyrë në vitin e katërt, për hartimin e të cilit janë themeluar dy grupe punuese në përiudha të ndryshme qeverisëse por projektligji nuk është miratuar ende në qeveri. Afatet për miratimin e këtij projektligji janë ndryshuar nga qeveria vit pas vit pa dhënë asnjë sqarim lidhur me ecurinë e procesit dhe arsyet pas. Sipas Programit Legjislativ të vitit 2024 të Qeverisë ky projektligj parashihet të miratohet në Qeveri më 20 mars 2024, por që ky afat nuk premton të respektohet, ndër të tjerash, edhe për faktin se ende nuk janë organizuar  konsultime publike rreth projekt ligjit nga ana e Ministrisë së Financave.

Tutje znj. Nrecaj tha se një vit pas takimit të fundit të punës së grupit punues, atyre i’u është dorëzuar një draft nga përfaqësuesi i Ministrisë së Financave, i cili nuk ishte punuar nga grupi punues dhe as nuk ishte konsultuar për të.

Për me tepër, akterët kryesor të prokurimit ngriten shqetësimet e tyre lidhur me mangësitë apo sfidat që nuk janë adresuar me draftin e projektligjit për prokurim publik, duke u pajtuar se përveç përfshirjes së direktivave të BE-së nevojiten edhe analiza të mirëfillta që do të adresonin problemet e tanishme të prokurimit dhe çështjen e shqyrtimit të ankesave. Ndërrimi i statusit të KRPP-së dhe sistemi i ankimimit dy shkallësh brenda OShP-së ishin çështjet që morën vëmendjen e diskutimit nga ana e panelit dhe të pjesëmarrësve, ku u tha se mënyra se si është paraparë që të funksionojnë këto dy insitutcione nuk është e i menduar dhe rregulluar mirë pasi që nuk arrinë qëllimin për të cilin janë kërkuar ndryshimet.

Për më gjërësisht, ndiqni tryezën e diskutimit dhe debatet e zhvilluara duke klikuar në këtë link: “Çka po ndodh me projektligjin për prokurim publik?”