Reagim nga OShC-të kundër përzgjedhjes së anëtarit të Bordit të OShP-së pa konkurs të hapur dhe transparent

27/04/2024

Prishtinë, 27 prill 2024

Organizata INPO, Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Lëvizja Fol (tutje OShC-të) reagojnë kundër injorimit të institucionit të konkursit për emërimin e anëtarit të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP) dhe kufizimit të të drejtave të profesionistëve të interesuar që nëpërmjet mundësive të barabarta të aplikojnë për të qenë pjesë e këtij institucioni.

Në këtë mënyrë Qeveria po ndërton praktika të mbrapshta dhe të dëmshme të emërimit të personave politik në institucione të pavarura, duke shkelur parimet e transparencës, meritokracisë, qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit.

Qeveria e Republikës së Kosovës, pa aplikuar procedurat e rekrutimit përmes një konkursi të hapur dhe transparent, i ka propozuar Kuvendit të  Republikës së Kosovës, dy (2) kandidatë për pozitën e një (1) anëtari të bordit të OShP-së, më  ç’rast Kuvendi në seancën e fundit, në seancën plenare, votoi znj. Batisha Ibrahimi për anëtare.

OShC-të i gëzon fakti që Bordi prej tre (3) anëtarëve akutal është plotësuar edhe me një (1) anëtar, pas mungesës shumë mujore të përbërjes së plotë prej pesë  (5) anëtarëve, që ka penguar në mënyrë serioze funksionimin efikas dhe efektiv të Bordit të OShP-së. Megjithatë, OShC-të shprehin shqetësimin për mosgatishmërinë e Qeverisë që përzgjedhjen e anëtarit të bordit të OShP-së ta bëjë pa aplikuar procedura transparente dhe të hapura të rekrutimit, të cilat nuk sigurojnë konkurrencë dhe cenojnë të drejtat e të interesuarve të tjerë.

OShC-të sjellin në vëmendje se pavarësisht që me ligjin e aplikueshëm për prokurimin publik në Kosovë, nuk përcaktohet në mënyrë eksplicite instituti i konkursit gjatë përzgjedhjes së kryetarit dhe anëtarëve të Bordit të OShP-së, që nga viti 2019 është ndërtuar praktikë e mirë e përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të OShP-së përmes konkursit të hapur dhe transparent.

Në konkursin e fundit për përzgjedhjen e kryetarit dhe anëtarëve të OShP-së, të shpallur nga kjo Qeveri, kanë konkurruar gjithsej 25 kandidatë. Mirëpo, vetëm tre (3) nga konkurrentët ishin rekomanduar për votim, ndërkohë dy (2) kandidatët tjerë ishin propozuar dhe zgjedhur pa ju nënshtruar konkursit fare. Këta dy anëtarë, kujtojmë se kanë dhënë dorëheqje nga pozita e tyre në kohën kur OShP-ja përballej me sfida të mëdha dhe me numër të madh të lëndëve në shqyrtim.

Tutje, OShC-të vlerësojnë se përzgjedhja e disa anëtarëve me konkurs e disa të tjerëve pa konkurs në bordet e pavaruara, përçon mesazhin e mbrapshtë tek publiku dhe qytetarët në përgjithësi, ku ata apo ato që janë zgjedhur pa konkurs arsyeshëm mund të perceptohen si persona të lidhur me pushtetin dhe politikën.

Andaj, OShC-të i bëjnë thirrje Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës që të sigurohen se përzgjedhja e personave në pozitave larta, sidomos në institucionet e pavarura të përcillet me proceduara të hapura dhe transparente, duke siguruar konkurrueshmëri dhe meritokraci në proces si dhe mundësi të barabarta për të gjithë profesionistët e fushës përkatëse.