Kuvendi Komunal i Prishtinës shkelë Rregulloren e Punës së Kuvendit dhe Komiteteve

14/01/2015

Prishtinë, 14 Janar 2015 – Iniciativa për Progres – INPO pas monitorimit të mbledhjes së jashtëzakonshme të thirrur nga Kuvendi i Komunës së Prishtinës mbi vlerësimin e “punës së anëtarëve të komisioneve komunale të aksionarëve të ndërmarrjeve publike, të zgjedhur nga Kuvendi i Komunës së Prishtinës”, konstaton se Kuvendi komunal ka shkelur Rregulloren e Punës, e cila rregullon punën dhe funksionimin e tij.

INPO konstaton gjithashtu se pasi janë njoftuar këshilltarët komunal për seancën që do të zhvillohej, ftesës nuk i janë bashkangjitur rendi i ditës dhe materiali informues, i domosdoshëm ky, për mbarëvajtjen e seancës së Kuvendit. E gjithë kjo bie në kundërshtim me Nenin 3 pika 4 e Rregullores së Punës së Kuvendit dhe Komiteteve, e cila parasheh se “këshilltarët e Kuvendit duhet të njoftohen për kohën, datën dhe vendin e mbajtjes së mbledhjeve, si dhe rendin e ditës së asaj mbledhjeje”. Gjithashtu, kjo pikë parasheh se “duhet t’u dorëzohet thirrja për pjesëmarrje në mbledhje çdo këshilltari të Kuvendit, së bashku me rendin e ditës, i cili përcakton çështjet për të cilat do të diskutohet në mbledhje”.

Njëkohësisht, INPO vlerëson si të papranueshme gjuhën e përdorur nga këshilltarët komunal dhe pjesëtarët e ekzekutivit të komunës, gjatë dhe në përfundimit të seancës. Kjo sjellje bie ndesh me parimet e Kodit të Mirësjelljes të parapara në Rregulloren e Punës së Kuvendit dhe Komiteteve.

INPO kërkon nga Kuvendi që kjo gjuhë e përdorur të mos përsëritet dhe të merren masat për personat të cilët shkelin Kodin e Mirësjelljes, ashtu siç parashihet në këtë Rregullore. Kuvendi, si organ përfaqësues i qytetarëve të Komunës së Prishtinës, duhet të shërbej si vend i diskutimeve rreth problemeve edhe nevojave me të cilat përballen qytetarët e Prishtinës dhe kurrsesi të jetë arenë e përplasjeve me gjuhë denigruese dhe të papranueshme mes partive politike. Qytetarët e Komunës së Prishtinës meritojnë debat konstruktiv dhe parimor, në përputhje me parimet demokratike të mirësjelljes në institucione publike.

Gjithashtu kërkojmë që mbledhjet e kuvendit te jenë racionale e në përputhje me rregulloren e kuvendit, në mënyrë që mos të thirren seanca për pika të cilat mund të diskutohen edhe gjatë takimeve te rregullta te kuvendit te komunës.