INPO publikon raportin: Ligjshmëria dhe transparenca në anulimin e tenderëve

20/07/2022

Prishtinë, 20 korrik 2022 – Organizata Iniciativa për Progres (INPO), në kuadër të projektit “Kërko Drejtësi: Fuqizimi i qasjes në drejtësi në Kosovë”, me mbështetje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL), sot nëpërmjet një tryeze ka publikuar raportin me titull “Ligjshmëria dhe transparenca në anulimin e tenderëve”.

Znj. Albulena Nrecaj, Drejtore Ekzekutive në  Iniciativapër Progres (INPO), e hapi tryezën duke përshëndetur të ftuarit dhe duke i falënderuar për pjesëmarrjen. Znj. Nrecaj, theksoi se raporti hulumtues përfshin njëzet (20) komuna të Republikës së Kosovës dhe pasqyron ligjshmërinë dhe transparencën e anulimit të tenderëve gjatë vitit 2021.

Ehat Miftaraj, Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), pas falënderimit të pjesëmarrësve, theksoi se ligjshmëria dhe transparenca janë parime shumë të rëndësishme të cilat sigurojnë integritet të zhvillimit të procesit të prokurimit në tërësi.

Pas fjalës hyrëse të znj. Albulena Nrecaj dhe z. Ehat Miftaraj, fjala u kalua tek z. Qëndrim Arifi, Hulumtuesi i lartë në INPO, i cili para të pranishmëve prezantoi raportin me titull “Ligjshmëria dhe transparenca në anulimin e tenderëve”.Arifi, theksoi se gjetjet tregojnë që gjatë vitit 2021 në njëzet (20) komuna, nga njëqind e dyzet (140) aktivitete të anuluara përfundimisht, kanë mbetur pa u shpenzuar gjithsej 21,285,876.06 euro. Mesatarisht secila komunë , gjatë vitit 2021, përfundimisht ka anuluar shtatë (7) aktivitete të prokurimit, ndërsa nga komunat e monitoruara, më së shumti aktivitete të anuluara kanë Komuna e Prizrenit me njëzet (20) aktivitete të anuluara, pasuar nga Komuna e Ferizajt dhe Suharekës me nga gjashtëmbëdhjetë (16), ndërsa komunat me më së paku aktivitete të anuluara janë Komuna e Leposaviqit me vetëm një (1) aktivitet të anuluar dhe Komuna e Deçanit dhe Shtimes me asnjë aktivitet të anuluar gjatë vitit 2021.

Z. Arifi shtoi se, në përgjithësi komunat gjatë vitit 2021 kanë anuluar aktivitete të prokurimit 47% më shumë sesa gjatë vitit 2021, përkatësisht nga nëntëdhjetë e pesë (95) sa ishte në vitin 2020, në njëqind e dyzet (140) në vitin 2021. Rezultatet e hulumtimit tregojnë se shumica e komunave të monitoruara nuk publikojnë të gjitha dokumentet e nevojshme lidhur me anulimin e aktivitetit të prokurimit, madje edhe kur ato dokumente publikohen në shpesh raste të dhënat janë të pasakta dhe kundërthënëse me gjendjen reale.

Të gjeturat dëshmojnë se shumica e aktiviteteve anulohen pas hapjes së ofertave, përkatësisht pasi që AK mëson se cilët OE kanë ofertuar, ndërsa vetëm 23% e aktiviteteve të anuluara gjatë vitit 2021 kanë qenë të planifikuara në planet përfundimtare të prokurimit për vitin 2021. Arifi përfundoi se nga njëzet (20) komunat e monitoruara, tetë (8) prej tyre kanë anuluar aktivitete të prokurimit në kundërshtim me kërkesat ligjore, përkatësisht aktivitetet janë anuluar me veprime të kundërligjshme të AK-së.

Pas prezantimit të gjetjeve të raportit, fjala u kalua tek z. Osman Vishaj, Kryetar i Bordit të Komisionit Rregullativ për Prokurimin Publik (KRPP), z. Vishaj vlerësoi lartë punën e organizatës INPO, njëherit kërkoi që përveç institucioneve tjera, gjetjet e raportit të adresohen edhe nga organet e drejtësisë si një hallkë e rëndësishme e llogaridhënies.

Për një fjalë rasti, fjala u kalua tek Kryetarja e Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP), znj. Vjosa Gradinaj – Menxhuani, e cila pasi falënderoi organizatën INPO për punën në kuadër të rritjes së ligjshmërisë, transparencës dhe llogaridhënies në prokurimin publik, ajo gjithashtu ofroi mbështetje të plotë të OShP-së në këtë drejtim. Znj. Gradinaj – Menxhuani, gjithashtu u zotua që vendimet e OShP-së do të jenë meritore dhe në përputhje të plotë me ligjin.

Tryeza vazhdoi me diskutimet ndërmjet të gjithë të ftuarave duke përfshirë zyrtarët përgjegjës të prokurimit nga njëzet (20) komuna, përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të operatorëve ekonomik e kështu me radhë.

Në fund, u dhanë këto rekomandime kryesore: Rekomandohet që komunat të sigurohen që anulojnë aktivitetet e prokurimit në përputhje me dispozitat ligjore, në mënyrë që të mos shkelen të drejtat e operatorëve ekonomik dhe të shmanget situata ku komuna është përgjegjëse për dëmet eventuale të shkaktuara kundrejt operatorëve ekonomik.

Rekomandohet që komunat të kujdesen se publikojnë Formularin B10 Njoftimi për anulimin e aktivitetit të prokurimit dhe Formularin B58 Njoftimi mbi vendimin e AK-së, në secilin rast që anulojnë një aktivitet të prokurimit.

Komunat të kujdesen që aktivitetet e inicuara të jenë në përputhje me planin përfundimtar të prokurimit për vitin përkatës sepse përveç keq planifikimit, inicimi i aktivitetit të pa planifikuar rezulton se i shton gjasat që ai aktivitet të anulohet.

Raportin e plotë e gjeni KËTU.