INPO mbanë tryezë diskutimi me Kryesuesin e Kryeqytetit, Pozitë dhe Opozitë

27/10/2023

Prishtinë, 27 tetor 2023

Iniciativa për Progres (INPO), me përkrahje të Rockefeller Brothers Fund, nëpërmjet tryezës së diskutimit është diskutuar draft-raporti i monitorimit të Kuvendit të Kryeqytetit për vitin 2023 në të cilin shfaqen të gjeturat rreth analizimit të vendimeve të kuvendit dhe ekzekutivit për periudhën Janar – Shtator 2023.

Konferenca u hap nga znj. Albulena Nrecaj, Drejtore Ekzekutive në INPO, e cila ka shpjeguar metodologjinë e raportit të monitorimit të kuvendit. Tutje, znj. Nrecaj potencoi se qëllimi i këtij raporti synon të ketë një qasje vlerësuese të aspekteve përmbajtësore të seancave, debatit, angazhimit të anëtareve të kuvendit për të adresuar problemet e qytetarëve dhe sfidat e kohës, si dhe qasjen e ekzekutivit të komunës ndaj kuvendit komunal.

Tryeza vazhdoi me publikimin e raportit nga z. Valmir Ilazi, hulumtues në INPO theksoi se organizata INPO edhe këtë vit ka bërë monitorimit e Kuvendit të Kryeqytetit, duke i përmbledhur  në një draft raport ku pasqyrohen karakteristikat e secilës mbledhje veç e veç duke fokusuar në debatin e zhvilluar dhe mënyrën e vendimmarrjes, me qëllim që gjithësecili lexues i raportit ta krijojë vetë një vlerësim për punën nëntëmujore të Kuvendit.

z. Ilazi tutje theksoi se Kuvendi i Kryeqytetit gjatë periudhës janar-shtator 2023 i ka mbajtur 14 seanca, 6 prej tyre të rregullta, 3 të jashtëzakonshme dhe 5 solemne, me të cilat u nderuan personalitete dhe u përkujtuan ngjarje historike.

z. Ilazi shtoi të gjeturat se: KK ka nisur seancën e parë pa një plan vjetor pune, i cili është aprovuar në të njëjtën seancë si një prej pikave të rendit të ditës; Organizimi i seancës së jashtëzakonshme të messhtatorit për aprovimin e projekt-buxhetit dërgohet me vonesë. Kryetari dhe Kuvendi kanë pasur kohë të mjaftueshme që i gjithë ky proces, e sidomos seanca e aprovimit të tij, të organizohej në kuadër të planit vjetor të punës; Mënyra e zgjedhjes së kryesuesit të ri nga kuvendarët e pushtetit lokal dhe përplasjet me MAPL, por edhe bojkotimi i opozitës lokale shkaku i zgjedhjes së Bajçinovcit kanë bërë që në Kuvendin Komunal të Prishtinës të mos ketë përplasje argumentesh e mendimesh për të mirën e përgjithshme të qytetarëve të Prishtinës dhe jo vetëm.

z. Ilazi rekomandon që Kuvendi Komunal i Prishtinës duhet të sigurohet që sivjet ta hartojë planin vjetor të punës për vitin e ardhshëm më së largu në seancën e fundit sivjet; KK duhet të ketë debat e diskutim më të gjerë me kuvendarë dhe me komunitete të ndryshme para e gjatë hartimit të planit vjetor të punës; KK dhe ekzekutivi i Prishtinës duhet të kërkojnë llogari prej kompanive komunale e rajonale sesi i menaxhojnë financat që të mos detyrohen të ndajnë shuma goxha të larta parash për shlyrje të borxheve; Kuvendi dhe Komuna e Prishtinës duhet ta përfundojnë sa më shpejt që të jetë e mundur procesin e zgjedhjes së kryetarëve të Këshillave Lokale për shkak se kryetarët e tyre janë përfaqësuesit më të afërt të qytetarëve dhe përçuesit e parë të kërkesave të tyre tek institucionet komunale; KK dhe Komuna mund t’i ndihmojnë klubet sportive edhe nëpërmjet mbështetjes së tyre në forma tjera, duke ndihmuar për gjetjen e donatorëve, por edhe duke organizuar takime me drejtues biznesesh; Vendimi i pastajmë i MAPL-së që ta vazhdojë ta njohë kryesues të Kuvendit të Prishtinës Fehmi Kupinën pasqyron jo vetëm kundërthënien ndërmjet përfaqësuesve të Zyrës ligjore të Komunës së Prishtinës dhe të Ministrisë, por edhe ndikimin politik varësisht se kush qeveris në secilin nivel pushtet. Andaj do të duhej të kishte një dialog paraprak, të brendshëm e publik, ndërmjet dy niveleve që të mos krijohet paqartësi në mesin e qytetarëve të Prishtinës; Ekzekutivi dhe legjislativi i kryeqytetit do të mund ta shfrytëzonin kohën e mbetur, të përcaktuar sipas ligjit, për adresimin dhe kanalizimin e kërkesave e projekteve në interes të qytetarëve në projekt-buxhetin e vitit të ardhshëm.

Pas përfundimit të publikimit të të gjeturave, hapet diskutimi për panelistët, në të cilën, fillimisht Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës z. Pellumb Bajcinovci, përshëndet të pranishmit, dhe falenderoj organizatën për përpilimin e draft raportit. Gjithashtu ndër të tjerash për mos diskutimin e planit vjetor, pajtohet dhe zotohet që këtë vit plani vjetor do të diskutohet dhe të jetë gati për filim vit.

Tutje z. Bajcinovci, shtoi se projekt buxheti është votuar me vonesë, mungesa e kryesuesit ndoshta ka sjellur huti. I njëjti falenderon INPO-n, dhe beson që ky draft raport do të ndikoj në demokratizimin e debatit në Kuvendin e Kryeqytetit.

z. Gëzim Sveçla, Anëtar i Kuvendit Komunal të Prishtinës nga LVV, falenderon INPO-n për punën dhe ndër të tjerash shtoi se është një raport i drejtë që pasqyron punën që bëhet në Kuvendin e Kryeqytetit. Fakti që për 9 muaj janë mbajtur 6 seanca të rregullta, flet për një joproduktivitet të Kuvendit të Kryeqytetit.

Tutje, z. Sveçla përmend mos publikimin e vendimeve të seancës së qershorit dhe se ka pak vendime të marrura në Kuvendin e Kryeqytetit, shumë prej tyre përfundojnë të kontestuara nga MAPL, pra rikthehen. Në 2022 janë 10 vendime të tilla. Përmendet në raport pika “të ndryshme” e cila nuk diskutohet edhe aq në Kuvend, po nuk ka edhe aq diskutim në këtë pikë. Ndërsa, plani i punës nuk diskutohet në kuvend aq sa do të duhej duke marrë shkas rëndësin e tij.

znj. Fitnete Bejta, Anëtare e Kuvendit Komunal të Prishtinës nga LDK, falenderon INPO-n për monitorimin. Tutje flet për organizimin e dëgjimeve buxhetore për të cilat thotë së janë shumë më mirë së qeverisjet e kaluara. Asnjëherë plani i punës nuk është miratuar para muajin shkurt.

Përveq kësaj, znj. Bejta shtoi tutje, se pas një kohe të gjatë janë organizuar edhe zgjedhjet e bashkësive lokale në komunë.

z. Leotrim Retkoceri, Anëtar i Kuvendit Komunal të Prishtinës nga PDK, falenderon organizatën për punën në monitorimin e Kuvendit të Kryeqytetit, është më rëndësi të thuhet që një pjesë e madhe kuvendarve janë për herë të parë, çështje e cila duhet të merret parasysh për mungesë të debatit.

Tutje z. Retkoceri, propozon që të monitorohen edhe seancat e KPF-së. Duhet të ketë seanca më të shpeshta në mënyrë që të ketë dinamik më të madhe. Çështja e raportimit të ndërmarrjeve publike nuk është e sqaruar mirë. I njëjti pajtohet me rekomandimin që të mbahen tryeza për mënyrën e subvencionimit të klubeve.

z. Sami Boroci, Anëtar i Kuvendit Komunal të Prishtinës nga AKR, shtoi se është kënaqësi me marr pjesë në diskutimet e INPO-s, dhe se monitorimi nga ju na bënë neve më të përgjegjshëm. Raporti është korrekt dhe se diskutimet në kuvend janë shumë më përmbajtësore në krahasim më mandatin e kaluar.

z. Boroci, tutje shtoi se për raportimin e ndërmarrjeve publike duhet të ketë seanca të veqanta dhe kërkon që mos të futen në rend të dites pika ad-hoc.

Tryeza u përmbyll nga znj. Nrecaj, duke i falenderuar të pranishmit për kontributin në tryezë dhe duke komentuar reagimin e INPO-s për votimin e buxhetit për vitin 2024 dhe kohën e pa mjaftueshme që kishin në dispozicion kuvendarët për të analizuar dhe gjithashtu mos mbajtjen dëgjimeve buxhetore nga kuvendi.

Në këtë takim gjithashtu prezent ishte edhe z. Osman Bllaca nga Sektori për Auditim të Brendshëm dhe znj. Viona Bunjaku nga Lëvizja Fol.