INPO dhe MAPL mbajtën tryezën e diskutimit rreth parimeve të përgjithshme, sjelljes etike dhe integritetit politik të zyrtarëve të zgjedhur dhe të emëruar në komuna

29/11/2023

Prishtinë, 29 nëntor 2023 

Iniciativa për Progres (INPO) në bashkëpunim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), sot mbajtën tryezën e diskutimit rreth nevojës së hartimit të Kodit Etik për zyrtarët e zgjedhur dhe të emëruar në Komuna, i cili përveç tjerash do të trajtonte konfliktin e interesit, promovimin e qeverisjes së mirë në komuna, rritjen e transparencës dhe rritjen e besimit të qytetarëve në organet komunale. Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin Kryesuesit e Kuvendeve Komunale, nënkryetarët e Komunave, Agjenica Kundër Korrupsionit, MAPL-ja dhe përfaqësues nga shoqëria civile.

z. Besim Murtezani, zv. Drejtor i Departamentit Ligjor dhe Monitorim të Komunave në MAPL hapi diksutimet e tryezës duke argumentuar se Ministria është e përkushtuar dhe e punon vazhdimisht në avansimin e vlerave të qeverisjes së mirë në komuna duke bashkëpunuar me të gjithë akterët relevant për t’ju bërë të mundur hartimin e të gjitha rregullave dhe normave që rregullojnë dhe lehtësojnë punën e komunave. Bashkëpunimi me INPO-n, si dhe me të gjitha organizatat e shoqërisë civile në hartimin e politikave, ka qënë dhe mbetet vlerë që duhet çmuar, tha ai.

Drejtorja Ekzekutive e INPO-s, znj. Albulena Nrecaj tha se INPO që nga viti 2014 është duke avokuar për të rregulluar kodin e sjelljes etike për zyrtarët e zgjedhur dhe të emëruar në Komuna, sipas parimeve të Këshillit të Evropës për qeverisje të mirë. Parimi 6 nga 12 parimet e qeverisjes së mirë të Këshillit të Evropës parasheh parimet e rregullimit të sjelljes etike për zyrtarët e zgjedhur dhe të emëruar në qeverisjen lokale, i cili ka për qëllim rritjen e besimit të publikut në organet komunale dhe promovimin e qeverisjes së mirë dhe parandalimin e korrupsionit.  “Përmbledhja e standardeve etike të sjelljes me të cilat obligohen përfaqësuesit e zgjedhur dhe zyrtarët e emëruar në komuna gjatë ushtrimin e detyrave të tyre, të cilat i ndërgjegjësojnë dhe udhëzojnë ata rreth integritetit politik, do të ishte një ndihmë e madhe për ata zyrtarë që sot janë në detyrë, por edhe për të tjerët që dëshirojnë të shërbejnë në të ardhmen”, tha ajo. Tutje ajo shtoi, se Kosova tashmë ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe do të ishte vlerë shtesë nëse komunat e rregullojnë këtë aspekt sipas standardeve evropiane për integritetin e zyrtarëve gjatë mandatit të tyre politik.

Disa nga komunat e Kosovës e kanë miratuar një Kod të Ektikës në vitin 2020, tha z. Fadil Gashi, Kryesues i Kolegjiumit të Kryesuesve të Kuvendeve Komunale në Asociacionin e Komunave të Kosovës (AKK). Ai tha se Kodi të cilin e kanë miratuar komunat, është i përgjithshëm dhe subjekt i saj janë të gjithë zyrtarët e komunës, përfshi administratën, anëtarët e kuvendit, drejtorët e drejtorive, kryetarin e komunës etj. Ai tha se “Kodi nuk është obligativ për me u zbatu, edhe pse ne i kemi miratu dhe kemi parapa edhe formimin e komisionve diciplinore në rast se dikush nga zyrtarët bie ndesh më rregullat, por asnjëherë nuk e kemi themelu një komison të tillë apo shqiptu ndonjë masë”. Por parimet që INPO prezantoi sot, janë pak më të avansuara edhe pse një pjesë të tyre i kemi trajtuar në Kodin që është miratu në komuna, e që draftin e saj e ka hartu MAPL-ja, shtoi ai.

Ndërkaq, Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APP) z. Yll Buleshkaj, e përshëndeti iniciativën e INPO-s, duke thënë se është shumë i nevojshëm hartimi i një dokumenti, i cili shkurtimisht dhe qartë i parasheh rregullat të cilat duhet të ju nënshtrohen zyrtarët gjatë ushtrimit të detyrave të tyre të përditshme në kuadër të mandatit që ushtrojnë. “Anëtarët e Kuvendit Komunal, tash me legjislacionin e ri, nuk janë të obliguar të bjënë deklarimin e pasurisë, por deklarimin e dhuratave po. Andaj, ka disa prej tyre që as nuk e dinë se çka është e lejueshme dhe çka jo, kur duhet të deklarohet dhe në çfarë raste mund të jënë subjekt i proceseve penale”, tha ai. Tutje ai tha që, APP-ja e sheh me shumë interes dhe ka për obligim të punojë edhe me nivelin komunal për rritjen e ndërgjegjësimit të zyrtarëve për masat për parandalimin e korrupsionit dhe se janë të gatshëm të japin kontributin e tyre edhe në iniciativën e INPO-s.

Konkluzionet dhe rekomandimet e të gjithë pjesëmarrësve në tryezë ishin që kjo temë të zë vend në agjendën e punës së insitucioneve relevante për vitin 2024 dhe të hapet debati edhe me insitucionet e tjera, si dhe të bëhet një vlerësim i cili na dikton nëse duhet të bëhet kod tjetër, i veçantë vetëm për zyrtarë të zgjedhur dhe të emëruar në Komuna, apo Kodet që tashmë komunat kanë miratuar të plotësohen edhe me aspketet e tjera që nuk janë përfshirë, e që parashihen në rekomandimin e 60 të Këshillit të Evropës mbi Integritetin Politik të zyrtarëve të zgjedhur dhe të emëruar në nivelin lokal dhe rajonal të qeverisjes.