
INPO publikon raportin: “Analiza e planifikimit të prokurimit: Ndryshimet e nevojshme dhe sfidat për autoritetet kontraktuese”
09/07/2024Prishtinë, 09 korrik 2024 – Iniciativa për Progres (INPO) me mbështetje të Byrosë për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL) – Departamenti i Shtetit Amerikan, sot përmes tryezës së diskutimit ka publikuar raportin “Analiza e planifikimit të prokurimit: Ndryshimet e nevojshme dhe sfidat për autoritetet kontraktuese”, në të cilin trajtohen aspektet ligjore dhe praktike të hartimit dhe implementimit të planifikimit të prokurimit, përputhshmërinë dhe përshtatshmërinë me planifikimet buxhetore, analizën e tregut dhe situatën aktuale të Ministrive dhe Zyrën e Kryeministrit (tutje Autoritetet Kontraktuese) në raport me planin vjetor të prokurimit.
znj. Leorenta Alija, Hulumtuese e Lartë në INPO prezentoi raportin duke vënë në pah nga të gjeturat kryesore sicc janë: (i)Autoritet kontraktuese vetëm formalisht planifikojnë prokurimin vjetor, e në disa raste nuk i përmbahen as kërkesave për detajet formale të Formularit B01, për aktivitetet për furnizim, shërbime dhe punë, (ii)Autoritetet Kontraktuese iniciojnë dhe nënshkruajnë kontrata të cilat nuk parashihen fare në planin përfundimtar të prokurimit, madje për kontratat e nënshkruara pa planifikim nuk ofrohen justifikime të cilat do të arsyetonin inicimin dhe nënshkrimin e një kontrate të paplanifikuar apo planifikimi financiar i së cilës nuk është në përputhje me vlerën e kontaktuar, (iii)mungesa e një liste të çmimeve referente të aprovuar nga KRPP vështirëson planifikimin financiar të kontratave apo vlerës së parashikuar të tyre, (iv)mungesa e analizës së tregut dhe (v)dobësi të koordinimit dhe bashkëpunimit të mirëfilltë në mes të Zyrës së Prokurimit dhe Njësive të Kërkesës gjatë procesit të hartimit të planifikimit të prokurimit, ku jo të gjitha palët kontribuojnë në këtë proces.
Panelistë në këtë tryezë ishin Kryetari i Bordit të Komisionit Rregullativ për Pokurim Publik z.Osman Vishaj, Auditorja e Përgjithshme znj.Vlora Mehmeti Spanca dhe Drejtorja Ekzekutive e INPO-s znj. Albulena Nrecaj.
Kryetari i Komisionit Rregullativ për Prokurimin Publik, z. Vishaj theksoi se planifikimi i prokurimit është hallka dhe thelbi kryesor për zhvillim të qëndrushëm dhe tejet i rëndësishëm për menaxhimin e financave publike, andaj INPO ka dhënë kontribut të madh në monitorimin e planit të prokurimit duke ofruar alternativë të zgjidhjes së problematikave.
Auditorja e Përgjithshme e Zyrës Kombëtare të Auditimit, Znj. Mehmeti Spanca, gjatë diskutimetve të saj theksoi se gjetjet e raportit të INPO-s rreth zbatueshmërisë së planit të prokurimit përputhen edhe me gjetjet e raporteve të auditimit të kryera nga ZKA-së për nivelin qendor, tutje ajo shtoi se edhe ky raport i INPO-s do ti shërbej ZKA-s për identifikimin e rreziqeve që ndërlidhen me planifikimin e prokurimit.
Tutje, tryeza vazhdoi me diskutime në mes të akterëve kryesor të prokurimit duke përfshirë Agjencinë Qendrore të Prokurimit, Zyrtar Përgjegjës të Prokurimit dhe Njësi të Kërkesës të cilët ngritën shqetësimet e tyre lidhur me mangësitë apo sfidat të cilat i hasin gjatë fazës së hartimit të planit të prokurimit dhe implementimit të tij në praktikë.
INPO përkitazi me të gjeturat e këtij raporti sa i përket implementimit dhe zbatueshmërisë së të planit të prokurimit në praktikë sipas kërkesave ligjore, ka nxjerrur edhe disa rekomandime, të cilat mund ti gjeni duke klikuar KETU, ku edhe mund ta shfletoni raportin më gjërësisht.