INPO publikon Indeksin e kënaqshmërisë së qytetarëve me shërbimet komunale në Prishtinë

06/06/2018

Organizata Jo-Qeveritare INPO sot përmes një konference ka publikuar raportin e Indeksit të kënaqshmërisë së qytetarëve me shërbimet komunale në Prishtinë.

Indeksi është dizajnuar të bëjë vlerësimin e kënaqshmërisë me shërbimet komunale të cilat ofrohen  nga komuna bazuar në kompetenca vetanake. Indeksi ka bërë matjen e 15 lloje të ndryshme të shërbimeve komunale, si dhe matjen e kënaqshmërsië së qytetarëve me pushtetin lokal duke i pyetur qytetarët për nivelin e kënaqshmërisë së tyre me punën e Kryetarit, Kuvendit Komunal dhe Drejtorive Komunale.Të dhënat e daluara nga anketa, përfaqësojnë mendimet e qytetarëve të moshës 18 vjeç e më shumë, gra dhe burra, të cilët janë intervistuar përgjatë muajit prill 2018, në zonat urbane dhe rurale të Prishtinës.

Të dhënat tregojnë se shërbimet komunale si, cilësia e arsimit, aktivitetet sportive, mbështetja e klubeve sportive, aktivitetet rinore, gjendja dhe mirëmbajtja e rrugëve, trotuaret, parkingjet publike, hapësirat gjelbëruese, kanalizimi, planifikimi urban dhe rural dominojnë në listën e pakënaqësive të qytetarëve.

Shërbimet të cilat janë vlerësuar si pozitive nga prishtinasit janë shërbimet administrative, shërbimet shëndetësore nga QKMF-ja, QMF-të dhe ambulantat shëndetësore, përfshirjen në sistemin e ujësjellësit, furnizimin me ujë, cilësinë e ujit, grumbullimin e mbeturinave, ndriçimi publik në hapësira publike dhe rrugë, si dhe shërbimet e transportit publik.

Mesatarja aritmetike e kënaqshmërisë me të gjitha shërbimet komunale është 39.81% ndërsa e pakënaqshmërisë 31.13%. Mesatarja aritmetike e qytetarëve me qëndrim neutral, as të kënaqur e as të pakënaqur me shërbimet komunale është 21.38%.

Vlerësimet e qytetarëve janë të ndryshme sa i përket performancës së organeve komunale. Të kënaqur apo shumë të kënaqur me punën e kryetarit të komunës prej kur ka filluar mandatin janë 41.89% e qytetarëve kundrejt 24.69% e atyre janë të pakënaqur ose shumë të pakënaqur. Vlerësim negativ është dhënë për punën e drejtorive komunale, ku 32.68% e tyre janë të pakënaqur apo shumë të pakënaqur ndërkaq vetëm 20.64% janë të kënaqur. Ndërkaq, me punën e kuvendit komunal 29.86% e qytetarëve janë shprehur të pakënaqur apo shumë të pakënaqur. 22.11% e prishtinasve janë të kënaqur apo shumë të kënaqur dhe 26.66% e tyre janë shprehur neutral.

Panelistët e kësaj tryezë ishin znj. Rozafa Ukimeraj, Sekretare e përgjithshme në MAPL, z. Muhedin Nushi, drejtor i Administratës në komunën e Prishtinës dhe Albulena Nrecaj, drejtore ekzekutive në INPO.

Znj. Rozafa Ukimeraj vlerësoj këtë raport si të vlefshëm i cili paraqet perceptimet e qytetarëve me shërbimet komunale. Gjithashtu, ajo shfaqi të dhënat e shërbimeve komunale të bërë nga MAPL të cilat kanë ngjashmëri mes dy raporteve. Tutje znj. Ukimeraj shtoj se për vlerësimet tjera rreth performancës së komunës së Prishtinës ne do t’i referohemi këtij raporti.

Z. Muhedin Nushi me të marr fjalën tha se rezultatet e këtij Indeksi janë të ngjashme me parametrat e Indeksit të kaluar. Si dhe, vlerësoj se rezultatet e këtij rezultatet na shërbejnë si informacione se ku duhet të fokusohemi më shumë në të ardhmen.

Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësues të organeve komunale, përfaqësues të ndërmarrjeve publike komunale,  pjesëtarë të shoqërisë civile dhe mediave, të cilët vlerësuan lartë punën e organizatës INPO dhe u pajtuan më të gjitha rezultatet e Indeksit.

Raportin e plotë mund ta gjeni këtu.

“Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).”

Kënaqshmëria e përgjithshme e qytetarëve me shërbimet komunale, Prishtinë, pjesa e parë

Kënaqshmëria e përgjithshme e qytetarëve me shërbimet komunale, Prishtinë, pjesa e dytë

Kënaqshmëria e përgjithshme e qytetarëve me shërbimet komunale, Prishtinë, pjesa e tretë