
INPO dhe IKD publikojnë raportet “Planifikimi i Prokurimit në Komuna” dhe “Raport i monitorimit të Prokurimit Publik në Komuna”
17/03/2021Iniciativa për Progres (INPO) në bashkëpunim me Insititutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) sot, përmes një konference për medie kanë publikuar dy raporte të monitorimit të Prokurimit Publik në komuna.
Raporti “Planifikimi i Prokurimit në Komuna”, përmbanë gjetjet dhe rekomandimet rreth planifikimit të prokurimit publik në 20 komuna të Republikës së Kosovës. Monitorimi i planifikimit të prokurimit publik në komuna, ka përfshirë analizimin e planeve të prokurimit për vitin fiskal 2020, të komunave të fokusit, duke analizuar nëse të njëjtat plotësojnë kërkesat ligjore për hartimin e tyre. Analiza ka përfshirë mestarisht pesë (5) aktivitete të prokrumit të kategorisë punë dhe pesë (5) për furnizime.
Hulumtuesja e INPO-s, znj.Samire Sahiti, gjatë prezantimit të raportit tha se kuadër të hulumtimit, fillimisht është analizuar planifikimi sa i përket aktiviteteve për punë, përkatësisht është analizuar nëse vlera e aktiviteteve të planifikuara për punë a përputhet me kapacitetin buxhetor që komunat kanë në dispozicion. Gjetjet tregojnë se sa i përket aktiviteteven për punë, përveç Komunës së Kamenicës, Mitrovicës së Veriut, Vitisë dhe Gllogocit, komunat tjera kanë planifikuar të shpenzojnë shumë më shumë sesa që kanë buxhet në dispozicion. Kryesisht këto dallime të mëdha janë pasojë e asaj se komunat dështojnë që në plane të prokurimit të saktësojnë që projekti është me kohëzgjatje një (1), dy (2) apo shumë-vjeçar.
Tutje, ajo ka thënë komunat kanë inicuar aktivitete për punë në vlerë më të madhe se sa ajo që është planifikuar për aktivitete. Kjo dukuri e mosrespektimit të planit të prokurimit vërehet tek të gjitha komunat e monitoruar, përjashtuar Komunën e Mitrovicsë së Jugut, Deçanit, Gjakovës, Mitrovicë e Veriut,Vushtrrisë dhe Leposaviqit.
Ndërkaq sa i përket planifikikimit të aktiviteteve të prokurmit për kategorinë furnizim, gjetjet e raportit tregojnë se asnjë nga komunat e monitoruara nuk kanë përmbushur kërkesat dhe standardet ligjore për planifikim.
Ndërkaq, Qëndrim Arifi, gjatë prezantimit të raportit “Raporti i monitorimit të aktiviteteve të prokurimit publik në komuna” tha se raporti përmbanë një mori gjetjesh të cilat i karakterizojnë shumicën e komunave të monitoruara dhe gjetje të tjera të veçanta që janë karakteristikë e vetëm një komune. Gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e këtij raporti janë bërë nga monitorimi i 81 aktiviteteve të prokurimit, respektivisht, dyzet e një (41) aktivitete të prokurimit janë monitoruar nga faza e inicimit e deri te nënshkrimi i kontratës dhe dyzet (40) aktivitete të menaxhimit. Monitorimi përfshinë njëzet (20) komuna të Republikës së Kosovës. Secilës komunës mesatarisht i janë monitoruar dy (2) aktiviete të prokurimit nga faza e inicimit deri te nënshkrimi i kontratës dhe dy (2) aktivitete të menaxhimit të kontratave, përkatësisht nga faza e nënshkrimit deri në përfundim të implementimit të kontratës.
Arifi tha se “në përgjithësi gjetjet tregojnë se integriteti i procesit të prokurimit publik në komunat e Republikës së Kosovës vazhdon të jetë i cenueshëm. Diskiriminimi apo trajtimi jo i barabartë i OE-ve si rezultat vendosjes së kritereve diskriminuese në dokumentet e tenderit, të cilat krijojnë pabarazi dhe kufizim të konkurencës vazhdon të jetë problem kryesor në komuna.” Po ashtu, administrimi i dobët i implementimit të kontratave, ku përfshihet mos hartimi i planeve të menaxhimit të kontratave konform kërkesave ligjore, mos dorëzimi i tyre në zyret te prokurimit, hartimi i tyre para nënshkrimit të kontratës apo edhe para emërimit të menaxherit të kontratës janë probleme të cilat komunat duhet t’i adresojnë.
Në këtë konferencë u rekomadua që komunat të punojnë në mënyrë të vazhdueshme dhe proaktive në ngritjen e transparencës, mbi mbikëqyrjen dhe llogaridhënien e të gjithë zyrtarëve të përfshirë në procedura të prokurimit publik, të cilët haptas veprojnë në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik sa i përket, planifikimit të prokurit, afateve për tenderim, aplikimin e kritereve kufizuese/diskriminuese dhe të tjera veprime që e cenojnë në çfarëdo forme integritetin e proceseve të prokurimit publik.
Po ashtu, zyrtarët e INPO-s rekomanduan që administrimi i implementimit dhe menaxhimi i kontratave të jetë më cilësor dhe më llogaridhënes. Menaxherët e konatratave të jenë më të përgjegjshem dhe aktiv në kryerjen e detyrave dhe obligimeve për zbatim të suksesshëm të kontratave.
Raportin rreth planifikimi të prokurmit mund ta gjeni këtu, ndërsa raportin rreth zhvillimit të aktiviteteve të prokurmit mund ta gjeni këtu.