Mbledhja e Kuvendit Komunal Ferizaj

17/07/2013

Ndërtimi i shtatoreve për dëshmorët e kombit në mënyrë selektive, cilësohet si çështje e ndjeshme

Me datë 17 Korrik 2013 u mbajt Mbledhja e rregulltë e Kuvendit Komunal në Ferizaj. Pikat e rendit të ditës ishin:

1. Konfirmimi i pjesëmarrjes në seancë:
Në mungesë të kryesuesit të kuvendit për arsye personale,si anëtari më i vjetër i këshillit këtë mbledhje e udhëheqi Hetem Ibrahimi.Në këtë mbledhje prezent ishin 28 këshilltarë,ku mungoi vetëm Shpresa Azemi për të cilën kishin konfirmim zyrtarë,ndërsa për të tjerët jo.

2. Miratimi i rendit të ditës:
z.Ramadan Baliu mori fjalën duke thënë se grupi i LDK-së ka vërjetje tek pika e 3,që kjo pikë ose të shtyhet apo të analizohet ose të bëhet një ndryshim duke thënë se nuk kanë vërjetje për këtë dëshmorë,por në atë hapësirë të vendoset edhe shtatorja e dëshmorit Ahmet Hoxha.Gjithashtu ai propozoi që të bëhet një kërkesë ultimative ndaj KEK-ut për ndaljen e rrymës në mënyrë permanente. z.Rafiz Sejdiu tha se është diskutuar gjerë e gjatë në mbledhjen e Komitetit për Politikë dhe Financa(KPF),dhe kjo pikë duhet të shkojë.
Nga ana tjetër z.Faruk Guri,nga partia opozitare e LDK-së,tha se kjo pikë e rendit të ditës duhet të hudhet në votim dhe ndër të tjera theksoi se vendosja e shtatores së Ahmet Hoxhës përkrah dëshmorit tjetër Bega do të jëtë një nder për këtë familje. Me një replikë se janë shoqatat të cilat vendosin se cilat shtatore duhet të jenë nëpër lokacione të ndryshme znj.Hajrie Nebiu tha se nuk është primare të ngrihen si çështje politike.
Nga ana tjetër z.Kemajl Ramadani tha se në mbledhjen e KPF-së kjo mbledhje u diskutua mjaft gjatë dhe duhet të hyjë në rend dite.Ndërsa sa i përket propozimit të LDK-së është dashur të diskutohet në mbledhjen e KPF-së ose të procedohet për seancën e ardhshme.
z.Rafiz Sejdiu tha se janë dy anëtarë të LDK-së për KPF-në dhe mjerisht asnjëri nuk është këtu dhe nuk janë përcjellë mirë ato informata.
z.Ramadan Baliu tha se ne kërkojmë që kjo pikë të shtyhet dhe të analizohet mirë ku krahas Begës të vendoset edhe shtatorja e Ahmet Hoxhës ngase nuk ka hapësirë që në çdo kënd të qytetit të vendoset nga një shtatore.
z.Faruk Guri tha se jo vetëm në KPF mund të propozohen pikat për rend dite,mirëpo edhe ne si anëtarë të Kuvendit kemi një të drejtë të tillë.
Ndërsa nga ana tjetër z.Ismail Nazifi potencoi se roli i KPF-së nuk është komitet që merr vendime për rend dite,por vetëm bën planin që e sjell për mbledhjen e kuvendit. Ndërsa për shtatoret që do të vendosen në lokacionet e propozuara znj.Hajrie Nebihu këtë diskutim e quajti debat duke thënë se shoqatat mund t’i sjellin propozimet ,mirëpo propozimin e ngritur nga partia e LDK-së ajo e quan të padrejtë.
z.Hetem Ibrahimi tha se në esencë jemi të gjithë të një mendimi për këto shtatore,ndërsa sa i përket KPF-së ai është organ që ne e kemi zgjedh dhe ajo bën vetëm shqyrtimin e propozimeve,mirëpo materialet që vijnë për mbledhjen e rregullt nuk na ndalon si anëtarë të japim edhe propozime të reja.
z.Asllan Shabani tha se këto diskutime janë diskutime provokative dhe pa bazë reale.Dëshmorët e kombit nuk janë të ndarë në parti politike,duke thënë se ata nuk kanë luftuar për parti,ngase lufta nuk do të kishte sukses dhe ai kërkoi që mos të diskutohet për ndarjen e dëshmorëve.
z.Bekim Ademi tha se KPF-ja nuk e kryen punën si duhet duke i lënë kështu pikat e rendit të ditës pa u diskutuar mirë,dhe ai propozoi që të votohet ky rend dite,edhe pse tha se emërimet e shesheve,rrugëve janë kompetencë e organeve komunale. z.Adem Sejdiu tha se shumë pika të rendit të ditës janë shtyer për seanca të tjera pse të mos kalojë edhe kjo në mbledhjen e ardhshme.
Me 20 vota për,8 abstenime u aprovua ky rend dite për këtë seancë.

3. Propozim vendim për destinimin e pjesës së ngastrës kadastrale nr. 1842:
z.Ramadan Hasani tha se rreth kësaj çështje shoqatat e dalura nga lufta duhet të mirren me këto çështje dhe kjo shoqatë të japë një zgjidhje për të gjithë sepse zgjidhjet selektive i lëndojnë familjarët e dëshmorëve.Prandaj duhet gjetur një lokacion për gjithë të tjerët.
Me 25 vota për,3 abstenime dhe asnjë votë kundër, aprovohet kjo pikë.

4. Propozim vendim për destinimin e ngastrës kadastrale nr 02399-1:
z.Adem Sejdiu tha se ky vendim i shoqatës është i drejtë dhe ka një lokacion të mirë duke shtuar se e përkrahë këtë çështje.
Unanimisht aprovohet kjo pikë e rendit të ditës.

5. Propozim vendim për këmbimin e pronave të paluajtshme:
Pa u diskutuar fare për këtë pikë unanimisht u aprovua, pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.

6. Propozoim vendim për shndërrimin e tokës bujqësore në atë ndërtimore:
Edhe tek kjo pikë nuk ka pasur diskutim,duke u votuar unanimisht nga antarët e Kuvendit.

7. Propozim vendim për shpallje të interesit të përgjithshëm:
As në këtë pikë nuk patë ndonjë diskutim apo vërejtje nga anëtarët e kuvendit dhe u kalua unanimisht.

8. Shqyrtimi i kërkesave:
z.Ramadan Baliu kërkoi që të bëhet një kërkesë ultimatume ndaj KEK-ut nga komuna që ta shfryëzojë autoritetin që ka t’i ndërpresë këto reduktime të mëdha që po ndodhin ditëve të fundit. z.Bekim Ademi propozi që KK të shqyrtojë mundësinë që shtëpia mentale të emërohet me emrin “Ismet Abdullahu” z.Adem Sejdiu tha se prej fshatit Sazli,Softaj,Pojatë,Dardani ka probleme me kanalizim,sidomos në fshatin Sazli ku kemi 3 apo 4 vende ku kanalizimi ka shpërhty dhe se qyetarët e këtij vendi mund të kanosen me epidemi. Ai kërkoi nga drejtoritë përkatëse që të marrin masat e duhura që të mos vjen deri tek epidemia.Ndërsa për rrugen “12 Qershori”propozoi që të bëhet rrugë dy kahëshe deri në përfundimin e sheshit.Kurse ai kërkoi të dinte që a ka ndonjë lëshim në projekt për rrugën “Enver Topalli”,ku dihet se kjo rrugë u asfaltua para 2 viteve dhe tash kemi prerje të asfaltit mbi 1 metër dhe është dëm i madh.
z.Kemajl Ramadani shprehu shqetësimin e tij se gjatë pushimit të festave,shumica e dyqaneve punojnë dhe është keq që nuk respektohet ky rregull që të jetë ditë pushimi për të gjithëhe njëkohësisht drejtoi pyetjen se a është duke u ndërrmarrë diqka lidhur më këtë drejtim.
z.Faruk Guri tha se Bordi i Ndërrmarrjeve Publike është i kundërligjshëm qe 1 vitë e gjysmë,dhe a ka ndonjë informatë për zgjedhjen e anëtarëve të bordit të drejtorëve.Ndërsa tha se duhet shikuar rregulloren për pushim, sepse ka punëtor që nuk kanë asnjë ditë të vetme të lirë dhe ky është një diskriminim.
z.Naser Emini kërkoi që në muajin e shenjtë të Ramazanit, të kenë konsideratë që rryma të mos ndalet në kohën e iftarit dhe syfyrit. Ndërsa për QKMF-në parashtroi një pyetje se a do të punojë kujdestaria edhe natën.
Drejtori i Shërbimeve Publike dhe Emergjencës z.Ibrahim Hyseni, tha se kemi probleme në vendet rurale me kanalizimi,ku në disa pjesë kemi gjetur plehra ne pucenta të cilat kanë penguar kanalizimin.Me ndërrmarrjen Bifurkacioni kemi bërë disa marrëveshje që të mbikëqyren disa pjesë të fshatrave për këtë lloj problemi.
Për rrugën “12 Qershori” tha se nuk është e mundur që të behët rrugë me dy kahje për shkak se shkakon tollovi.Për sa i përket Ndërrmarrjeve Publike ai tha se janë shpallë konkurset,janë intervistu njerëzit dhe se është në procedurë e sipër.
Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirqeniës Sociale z.Vesel Zhinipotoku informoi se ndërrimi i tretë për QKMF-në nuk është i mundur, ndërsa 24 orë në shërbim të qytetarëve është emergjenca.