Ish-udhëheqësit e lartë të Komunës së Ferizajt, debatojnë për gjendjen dhe prioritetet e Qytetit

28/05/2008

Ferizaj, 28 maj 2008; Me qëllim që të nxitet dhe zhvillohet një debat cilësor rreth gjendjes aktuale në Komunën e Ferizajt dhe prioriteteve që duhet t’i ketë komuna, INPO ka ftuar në një debat ish-funksionarët e lartë udhëheqës të Komunës së Ferizajt që nga viti 1999. Në këtë debat ishin të pranishëm; z. Hetem Ibrahimi, z. Hajdin Abazi, z. Faik Grainca dhe z. Ilmi Hashani. Në debat ishte ftuar të merrte pjesë edhe z. Adem Salihaj, por ai nuk kishte shprehur vullnet të mirë për të marrë pjesë.

Pjesëmarrësit në këtë debat shprehën vlerësime të ndryshme rreth situatës aktuale dhe mënyrës se si udhëheqja komunale po reagon ndaj kësaj situate. Megjithëse ka suksese evidente në punën e Kryetarit të Komunës në gjendjen ekzistuese sfidat janë shtuar duke vështirësuar një punë më efikase të kryetarit Xhemaili.

Z. Ibrahimi, theksoi se nuk është bërë aq sa është e mundur të bëhet, qeveria aktuale nuk ka ofruar asgjë të re në raportin e tyre tre-mujor. Komuna e Ferizajt diskriminohet në përfitimet që komunat pranojnë nga Qeveria Qendrore në raport me numrin e popullatës që ka”. Më tutje. Z. Abazi përmendi rastin e numrit të madh të shërbyesve civilë dhe mënyrën se si do të menaxhohet me këtë situate. Z. Grainca, vuri në pah mungesën e përvojës së udhëheqësisë komunale, si njërën nga arsyet për një fillim jo të mirë të punës së z. Xhemaili.

Sipas Ramadan Ilazi, drejtor ekzekutiv i organizatës Iniciativa për Progres qëllimi i debatit ishte nxitja e ish-funksionarëve të lartë të udhëheqësisë komunale që të ofrojnë një kontribut më të madh në procesin vendimmarrës. Ka shumë nevojë për një konsultim të shtuar dhe mirë të organizuar të Kryetarit të Kuvendit Komunal, me të gjithë faktorët politik dhe shoqëror, në mënyrë që në Ferizaj të ketë progres si në aspektin politik, ekonomik dhe atë social.

Në fund të debatit u ofruan këto propozim-çështje që duhet të kenë një vëmendje më të madhe nga ana e Kryetarit të Komunës z. Bajrush Xhemaili:

1. Kuvendi Komunal i Ferizajt të bëjë përgatitjet e nevojshme për zbatimin e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe atij për Financa Publike që hyjnë në fuqi me 15 Qershor;

2. Qeveria Lokale duhet të miratoj një Plan Program të punës së vetë, duke caktuar objektiva që ka për qëllim të arrijnë;

3. Pani Urbanistik dhe ai Zhvillimor i Ferizajt duhet të nxirren sa më shpejtë;

4. Kryetari i Komunës, duhet të angazhohet në organizimin më të mirë të administratës komunale duke krijuar organogramin dhe përshkrimin e punëve të të gjitha pozitave në qeverinë lokale. Kjo do të sillte një kontroll më efikas dhe rezultate më të mira të punës së shërbyesve civil;

5. Duhet të ketë mbikëqyrje më të madhe ndaj Drejtorisë së Urbanizimit dhe asaj të Inspektoratit, në veçanti në kapacitetet njerëzore të këtyre drejtorive;

6. Duhet të përmirësohet inkasimi i mjeteve vetanake, duke bërë regjistrimin e bizneseve dhe duke ushtruar kontroll më të madh ndaj atyre ndërmarrjeve që nuk kanë paguar tatim;

7. Duhet të shtohen investimet në sektorin e shëndetësisë, në veçanti në Mjekësinë primare dhe familjare për të përmirësuar kushtet e shërbimeve;

8. Duhet të ketë një mirëmbajtje më të kujdesshme dhe të shtuar të Infrastrukturës rrugore. Në këtë kontekst të ketë kujdes edhe në cilësinë e rrugëve në procesin e asfaltimit;

9. Të gjendet një zgjidhje e menjëhershme për banorët e Qendrës së Banimit Kolektiv (te barakat);

10. Hyrjet për në komunën e Ferizajt të zgjerohen dhe përmirësohen;

11. Kuvendi Komunal të ndihmoj në nxitjen e zhvillimi ekonomik dhe tërheqjes së investimeve;

12. Kuvendi Komunal duhet të rrisë komunikimin e drejtpërdrejtë me qytetarët e komunës.