Votëbesimi për Kryesuesin e KK në Ferizaj i kërkuar nga PDK nuk merr votat e shumicës
28/02/2013PDK kërkoi dorëheqjen morale nga z. Zariqi e cila nuk u pranua , shefi i Grupit të PDK-së kërkoi votëbesimin për kryesuesin e KK në Ferizaj.
Me datë 28 shkurt 2013 u mbajt Mbledhja e Kuvendit Komunal në Ferizaj.
Pikat e rendit të ditës ishin:
1. Konfirmimi i pjesëmarrjes në seancë
2. Miratimi i rendit të ditës,
3. Miratimi i procesverbalit nga mbledhja e kaluar,
4. Propozim – Vendim për bartjen e të hyrave vetanake nga viti 2012 në vitin fiskal 2013,
5. Raport mbi pasurinë e komunës – pjesa e regjistruar e pronës (tokës së komunës),
6. Propozim – Vendim për Planin Rregullativ zona nr.4,
7. Propozim – Vendim për Planin Rregullativ zona nr 5,
8. Informatë e shkurtër për suksesin e nxënësve , numrin e paraleleve dhe nxënësve në fund të gjysmëvjetorit të parë të vitit shkollor 2012-2013 për tri nivelet ,
9. Propozim-Vendim për ndarjen e 52 banesave të cilat janë në pronësi të komunës,
10. Pyetjet dhe kërkesat e anëtarëve të KK-së dhe
11. Të ndryshme
Raport
Me të filluar mbledhja e Kuvendit Komunal të Ferizajt, grupi parlamentar nga radhët e PDK-së, me shumë besim se do t’ia dalin mbanë, kërkuan shkarkimin Xhavit Zariqi nga pozita e kryesuesit të Kuvendit Komunal dhe nga kryesuesi i Komitetit për Politikë dhe Financa. Kërkesa për shkarkim u arsyetua me kalimin e kryesuesit Zariqi në radhët e AAK-së. Zariqi pas kërkesës së grupit parlamentar të PDK-së, e lëshoi vendin e kryesuesit, por kërkesa e PDK-së për shkarkimin e tij nuk mori numrin e mjaftushëm të votave. Grupi parlamentar nga radhët e LDK-së nuk mori pjesë në votim. Nga 28 këshilltarë sa ishin të pranishëm në mbledhje, 20 votuan ‘pro’ largimit të Zariqit nga pozita e kryesuesit, shtatë kundër dhe një vetëvotim u shpall i pavlefshëm.
Kuvendi i Komunës vazhdoi punën me pika të tjera të rendit të ditës, të cilat u përcollën me reagime sikur rrallë herë më parë nga ana e opozitës. Ky aktivizim i opozitës dhe lëvizjet e kohëve të fundit të anëtarëve të kuvendit nga një parti në tjetrën, tashmë përbëjnë një tregues se se kualicioni qeverisës i PDK-së dhe AKR-së nuk do ta ketë të lehtë që të sigurojë komoditetin e mëparshëm të votave në kuvend.
Në një atmosferë kundërshtimesh që vinin nga radhet e grupit parlamentar të LDK-së, kuvendi miratoi propozim-vendimin për bartjen e të hyrave vetjake nga viti 2012 në vitin fiskal 2013, në vlerë mbi 981 mijë euro; gjithashtu u bë e ditur se kjo shumë e mjeteve do të destinohet për dy kategori buxhetore, mallra dhe shërbime dhe investime kapitale.
Gjithashtu gjatë seancës së sotme u miratuan edhe dy propozim –vendime për plane rregullative urbane, njëri për zonën 4 dhe tjetri për zonën 5 të qytetit.
Gajtë seancës u dha një informatë për suksesin e nxënësve, numrin e paraleleve dhe nxënësve në fund të gjysmëvjetorit të parë të këtij viti shkollor për të tri nivelet, e cila pikë u përcoll me shumë pakënaqësi nga ana e opozitës. Madje këshilltari nga radhët e Partisë Socialiste, kërkoi edhe shkarkimin e drejtorit të Drejtorisë së Arsimit në Ferizaj.
U mor vendim edhe për vazhdimin dyjavor të konkursit për ndarjen e 52 banesave në pronësi të komunës. Ndërsa u shty për diskutim në mbledhjen e ardhshme raporti mbi pasurinë e komunës, pjesa e regjistruar e pronës, me arsye se është është sjellë i mangët në kuvend. Gjatë diskutimeve të sotme të cilat u zhvilluan në kuvend, pati përplasje ndërmjetë këshilltarëve dhe drejtorëve të drejtorive. Këshilltarët shpeshherë reaguan, duke thënë se po ndihen të ofenduar nga ana e ekzekutivit. Anëtarët e kuvendit shtruan edhe një nhumër kërkesash e pyetjesh në adresë të pushtetit lokal.