Tryeza e debatit : “Pompat e benzinës në afërsi të vendbanimeve”

21/10/2011

Ferizaj, 21 tetor 2011- Iniciativa për Progres (INPO) organizoi tryezën e debatit “Pompat e benzinës në afërsi të vendbanimeve”.

Pjesëmarrës ne këtë tryezë ishin, Ramadan Buzhala nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Faruk Guri këshilltarë në KK Ferizaj, Kadri Krasniqi qytetar i Ferizajt, Avonet, IRP dhe mediet.

Të ftuar ishin edhe strukturat komunale në Ferizaj, si DUPKGJMM, DPZHH, inspektorët e ndërtimit, DSHPE, zjarrfikësit dhe Policia e Kosovës, të cilët nuk e konsideruan të arsyeshme pjesëmarrjen e tyre në tryezë.

Qëllimi i këtij debati ishte prezantimi i hulumtimit empirik të INPO-s, të cilin e kemi realizuar në gjashtë lagje të qytetit (zona të banuara). Qytetarët janë zgjedhur me metodën e rastit, dhe i kanë takuar grupmoshave të ndryshme dhe të dy gjinive. Në çdo lagje janë realizuar nga 20 anketa, të cilat kanë përmbajtur nga katër pyetje të tipit të mbyllur, me nga tri përgjigje si opsion.

Rezultatet e anketës tregojnë se qytetarët e këtyre lagjeve janë tejet të shqetësuar dhe të rrezikuar nga prania e pompave të benzinës, të cilat që nga viti 1999 funksionojnë vetëm me leje për zhvillimin e veprimtarisë, por pa leje ndërtimi nga Komuna e Ferizajt.

Ramadan Buzhala, përfaqësues i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë tha se një problem i tillë është i pranishëm në të gjitha qytetet e Kosovës, e jo vetëm në Ferizaj. MTI i jep lejen për zhvillimin e veprimtarisë bizneseve që bëjnë tregti me naftë dhe derivate të saj në bazë të kritereve të caktuara, e në të cilin dokumentacion nuk kërkohet leja e ndërtimit të objektit. Në bazë të udhëzimit administrativ 2004/05, leja e ndërtimit të objekteve ishte e nevojshme për të pajisur me licencë për zhvillim të veprimtarisë, mirëpo për shkak të këtij kriteri 75 % e pikave të karburanteve në Kosovë duhej të rrënoheshin. Prandaj nga viti 2009 ky kriter është hequr nga lista e dokumentacioneve të nevojshme për pajisje me licencë. Ai u shpreh se departamenti i sigurisë dhe emergjencave pranë Ministrisë dhe punëve të brendshme e ka fjalën kryesore sa i përket plotësimin të kritereve për masat mbrojtëse dhe të sigurisë, në bazë të ligjit 02L/138.

Kenan Gashi nga IRP, tha se ka diskrepancë ligjore sa përket rregullimit të ndarjes së kompetencave mes komunës dhe ministrive për rregullimin e këtyre çështjeve. Gjithashtu Gashi potencoi se, kuvendi nuk ka rregullore që përcakton zonat në të cilat mund të zhvillohen lloje të bizneseve a veprimtarive.

Faruk Guri këshilltarë komunal tha se, drejtoria e Urbanizmit, Pronës, Kadastrit, Gjeodezisë dhe Mbrojtjes së Mjedisit, duhet që të bashkëpunoj intensivisht me drejtorinë e Planifikimit dhe Zhvillimit Hapësinor dhe Drejtorinë e Inspekoriatit. Sepse këto pika të karburanteve jo vetëm se paraqesin rrezik permanent për qytetarët, ato gjithashtu prishin edhe planin rregullues urbanistik të qytetit meqë paraprakisht nuk kanë qenë të planifikuara.

Ndërsa Kadri Krasniqi qytetarë i Ferizajt, u shpreh se ai dhe familja e tij ndihen tejet të rrezikuar nga pompa e benzinës e cila është thuaja se ngjitur më shtëpinë e tij. Kërkesat e tij në adresë të komunës për të marrë mendim profesional lidhur me shkallën e rrezikut që e paraqet kjo pompë e benzinës në afërsi të shtëpisë së tij kanë hasur në veshë të shurdhër.

Në këtë debat nga të pranishmit u tha se të gjitha institucionet relevante duhet të kryejnë punën e tyre, e jo të tërhiqen nga përgjegjësia duke i hedhur fajin njëra tjetrës.

REKOMANDIMET:

 Rregullimi i infrastrukturës ligjore nivel qendror
 Harmonizimi i vendimeve mes Komunës dhe Ministrive
 Trajtimi i kapaciteteve teknike për masat mbrojtëse dhe të sigurisë
 Përcaktimi i zonave për zhvillim të veprimtarisë me lëndë djegëse