Të ndërmerren të gjitha masat për mbrojtjen e objekteve të ndërtimit në lagjen e Muhaxhirëve
13/06/2013Prishtinë, 13 Qershor 2013 – INPO shpreh shqetësimin e saj pas shembjes së dheut në rrugën “Ali Kelmendi” në lagjen e Muhaxhirëve e cila ka shkaktuar frikë dhe shqetësim për banorët e ndërtesave të afërta në vend punishten.
Hapja e themeleve për ndërtesën e re në lagjen e Muhaxhirëve, kanë shkaktuar shembjen e dheut, plasaritjen e asfaltit, plasaritjen në mure si dhe frikë dhe evakuim tek banorët e ndërtesave të afërta.
E gjitha kjo është pasoj e shkeljeve të procedurave të parapara për ndërtim. Personi i cili është duke e ndërtuar këtë ndërtesë për banim kolektiv, nuk i ka ndërmarr masat preventive në rast të ndonjë fatkeqësie. Po ashtu nuk është respektuar distanca e domosdoshme në mes të rrugës dhe ndërtesës. Përveç shembjes së dheut është shembur edhe gjysma e rrugës, në rrezik të madh për rrënuar janë edhe dy ndërtesat afër, si dhe vinçi i cili ndodhet në vendin ku janë duke u kryer punimet.
INPO kërkon nga komuna e Prishtinës që të siguroj banim të përkohshëm, të gjithë atyre banorëve të cilët janë evakuuar.
INPO i bënë thirrje komunës së Prishtinës që në mënyrë urgjente të adresojë këtë problem dhe të parandaloj pasoja fatale të cilat mund të ndodhin nga situata e krijuar në këtë lagje.
Poashtu komuna t’i angazhojë ekipet profesionale në terren për shqyrtimin e përmbushjes se kritereve teknike edhe të objekteve tjera të cilat janë duke u ndërtuar në qytet duke i paraparë kriteret minimale teknike të objekteve kolektive të banimit.
Komuna të paraqet të gjeturat në terren nga inspekcioni në opinion.
INPO rikujton komunës, se në Prishtinë ekzistojnë një sërë faktorësh të cilët bëjnë që ushtrimi i një kontrolli nga inspekcioni të jetë më i madh, për shkak se shumë qytetarë gjatë ndërtimit, dalin edhe përtej parcelave të tyre, prandaj një mbikëqyrje nga ana e komunës do të jetë i rëndësisë jetike për qytetin.