Takim pune me kryetarin e komunës së Ferizajt
20/09/2013Ferizaj, 20 Shtator 2012 – Në vazhdën e angazhimeve për realizimin e misionit të organizatës, me qëllim të promovimit të politikave publike efektive dhe iniciativës për komuna transparente dhe llogaridhënëse, INPO zhvilloi sot një takim pune me kryetarin e komunës së Ferizajt z.Agim Aliun, për të diskutuar mbi gjendjen e përgjithshme në komunën e Ferizajt.
Në takimin e sotëm INPO diskutoi me kryetarin Aliu rreth buxhetit të komunës së Ferizajt për vitin 2013, ku edhe shprehu shqetësimin lidhur me linjat buxhetore të komunës. Me theks të veqantë INPO kërkoi nga kryetari Aliu që shpenzimet për darka dhe dreka zyrtare, që njihen ndryshe si shpenzimet e luksit të jenë sa më minimale, në mënyrë që të bëhet menaxhim efektiv i parasë publike dhe që buxheti të shfrytëzohet maksimalisht për investime në prodhimtari me qëllim të zbutjes së papunësisë.
INPO gjithashtu kërkoi nga kryetari Aliu që të mos lejoj degradimin e qytetit të Ferizajt me objekte pa leje që nuk përputhen me planin urbanistik. Kryetari u zotua se është i gatshëm që të përmbush obligimet ligjore dhe se do të angazhohet për një qeverisje të mirë që është e hapur ndaj qytetarëve dhe mirëpret bashkëpunimin me shoqërinë civile.
U dhanë premtime konkrete nga kryetari Aliu për rritje të subvencioneve në bujqësi dhe shkurtime të linjës buxhetore për darka dhe dreka zyrtare. Gjithashtu kryetari vlerësoi se vërejtjet e INPO-s kanë bazë, por la të kuptohet se shumë çështje që ndikojnë në veprimtarinë e komunës së Ferizajt interferohen dhe përcaktohen nga niveli qendror.
Në fund të bisedës përfaqësuesit e INPO-s shprehën interesimin për të pasur raporte bashkëpunimi me komunën e Ferizajt në shërbim të kultivimit të demokracisë dhe kontributit për një jetë më të mirë për qytetarët e Ferizajt.