TAKIM INFORMUES ME KRYETARË TË FSHATRAVE DHE ZONAVE URBANE NË KOMUNAT KAÇANIK DHE HAN I ELEZIT

21/04/2015

Ferizaj, 21 Prill 2015- INPO në kuadër të projektit “Ngritja e pjesëmarrjes së qytetarëve në hartimin e buxhetit komunal”, i cili mbështetet nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur KFOS, mbajti një takim njoftues me përfaqësuesit e bashkësive lokale dhe fshatrave të Komunës së Kaçanikut dhe Hanit të Elezit.

Qëllimi i këtij takimi ishte njoftimi i përfaqësuesve të bashkësive lokale lidhur më rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve në hartimin e buxhetit komunal, si dhe aktivizimi i tyre për të qenë faktor vendimmarrës në të gjitha proceset që kanë të bëjnë me vetëqeverisjen lokale.
Pjesëmarrës në këtë takim ishin përfaqësuesit e bashkësive lokale, kryetarët e fshatrave, si dhe përfaqësuesit e organizatës INPO.

Debatin e hapi koordinatori i programit të organizatës INPO, z. Arbër Kadriu, mbi rëndësinë e fuqizimit të bashkësive lokale dhe fshatrave në procesin e hartimit të buxhetit. Ndërsa, menaxherja e projekteve në organizatën INPO, znj. Albulena Nrecaj, bëri një përmbledhje të procesit lidhur me procedurat dhe afatet ligjore nëpër të cilat kalon hartimi i buxhetit komunal, si dhe mënyrën se si INPO do të ndihmojë bashkësitë lokale që kërkesat dhe projektet e tyre të adresohen dhe të reflektohen në propozimin e buxhetit të komunës për vitin 2016.

Përfaqësuesit e fshatrave dhe zonave urbane në komunën e Kaçanikut mirëpritën iniciativën e INPO-s për të ndihmuar dhe fasilituar kërkesat e tyre në procesin e hartimit të buxhetit komunal pët vitin 2016. Disa nga pjesëmarrësit shfaqën edhe opinionet e tyre sa i përket komunikimit të tyre me Kuvendin e Komunës në Kaçanik. Ata shprehen pakënaqësinë e tyre për mos kompensimin e tyre si administrator të fshatit dhe zonave të caktuara urbane. Gjithashtu, u tha se komuna dhe qytetarët duhet të bejnë më shumë dhe të punojnë me seriozisht që administratorët e fshatrave të faktorizohen në proceset vendimmarrëse në nivelin lokal.

Ndërsa, në Komunën e Hanit të Elezit, u tha se në Kryetari është model i bashkëpunimit me qytetarë dhe përfaqësues të fshatrave, mirëpo duhet punuar ende që të fuqizohet pjesëmarrja e qytetarëve në proceset vendimmarrëse, e sidomos procesi i hartimit të buxhetit komunal.

Disa prej propozimeve që dolën nga ky takim ishin që: Komuna të shqyrtoj më me seriozitet kërkesat e qytetarëve për projekte investive, të fuqizohet roli i kryetarëve të fshatrave dhe bashkësive lokale, Komuna të punojë më shumë që të rrisë pjesëmarrjen e qytetarëve në debatet dhe dëgjimet publike, si dhe të definohet statusi i përfaqësuese të fshatrave duke krijuar edhe kushte të nevojshme ligjore për kompensimin e këtyre përfaqësuesve.