Stop dhunës në shkollë!
12/11/2010Dukuria e dhunës në shkolla është shndërruar në problemin më shqetësues që prek sistemin arsimor të Ferizajt dhe gjithë shoqërinë. Incidenti në mes të nxënësve në shkollën ekonomike “Faik Konica” i cili ka ndodhur para dy dite, është në vazhdën e incidenteve të ndodhura gjatë këtij viti në Ferizaj.
Me 10 nëntor 2010, brenda objektit të shkollës ekonomike “Faik Konica”, ka ndodhur një incident mes disa nxënësve me ç’rast nxënësit gjatë incidentit kanë përdorur armë të ftohta. Ky fakt dëshmon qartë se masat e ndërmarra nga Drejtoria e Arsimit për ngritjen e sigurisë në shkolla nuk ka gjetur zbatim të mjaftueshëm dhe nuk ka sjell rezultate të kënaqshme për parandalimin e kësaj dukurie negative.
Përkundër reagimeve te shumta të cilat janë bërë nga shoqëria civile, Këshilli i Nxënësve të Ferizajt, medieve etj, për ngritjen e sigurisë në objekte dhe hapësirat shkollore, kjo dukuri vazhdon të jetë prezentë në nivel shqetësues.
Prandaj, INPO kërkon nga organet komunale që të ndërmarrin hapa konkret në parandalimin e dhunës nëpër hapësirat
shkollore. Me këtë rast tanimë është nevojë imediate hartimi i një strategjie për parandalimin e dhunës në shkolla.
Në bazë të disa statistikave të Policisë së Kosovës në Ferizaj numri i incidenteve në shkollat e Ferizajt vetëm gjatë këtij viti kanë shënuar 59 incidente. Kjo shifër është mjaft shqetësuese duke e pasur parasysh faktin se shkolla është vatër e diturisë dhe e edukimit të fëmijëve tanë.