Shkolla e Aktivizmit në Shtime

23/02/2014

Shtime,23 Shkurt- Organizata INPO filloi me Shkollën e Aktivizmit në Shtime me nxënës nga shkollat e mesme të Shtimës. Ky trajnim ka filluar nga data 21 Shkurt dhe do të vazhdojë deri me 23 Shkurt.

Trajnimet janë të orientuara më shumë në aspektin praktik, ku trajnerët dhe folësit ndajnë përvojën e tyre dhe pjesëmarrësit kanë detyra praktike për zbatim. Objektivat e këtij projekti janë: Promovimi i aktivizmit rinor dhe të qytetarisë aktive tek të nënës të shkollave të mesme dhe student të universitetit, krijimi i një shkollë të aktivizmit e cila ofron edukim jo formal në fusha të ndryshme, rritja e numrit të të rinjve që janë aktivë në aktivitetet e shoqërisë civile si dhe ngritja e vetëdijesimit tek të rinjtë për proceset e vendimmarrjes në Kosovë.

Benefitet e pjesëmarrjes në shkollë janë shumë dimensionale. Në radhë të parë, pjesëmarrësit do të jenë aktiv gjatë tërë periudhës sa zgjatë shkolla dhe më pas duke realizuar projekte dhe aktivitete në komunitetin ku jetojnë dhe veprojnë.

Përveç kësaj, nxënësit do të kenë mundësi të shumta të angazhohen nëpër organizata ekzistuese jo-qeveritare apo edhe të formojnë organizatat e tyre, me ç’rast organizata INPO dhe trajnerët e angazhuar do të ofrojnë përkrahje dhe asistencë të vazhdueshme për nxënësit që vendosin të formojnë organizatat e tyre.

Shkolla e Aktivizmit do të jetë një eksperiencë e paharruar për pjesëmarrësit në të. Në njërën anë për shkak të eksperiencës profesionale që do të përfitojnë dhe, në anën tjetër, për shkak të shoqërisë së re që do të krijojnë – të cilat shpesh herë shëndrrohen në miqësi të përjetshme.

Përvec aspektit teorik dhe praktik të shkollës së aktivizmit, gjatë periudhës sa zgjatë shkolla do të realizohen dhe aktivitete të ndryshme sociale si: lojra të ndryshme, debate dhe forume të hapura, etj.

Përfundimisht, Shkolla e Aktivizmit ka për qëllim të aktivizoj të rinjtë Kosovar si potenciali më i rëndësishëm i vendit për ndryshime pozitive në Kosovë.