Shkolla e Aktivizmit në Prizren
13/09/2013Prizren, 13 Shtator 2013 – Filloi Shkolla e Aktivizmit në qytetin e Prizrenit. Në hapje koordinatorja e shkollës së aktivizmit Miranda Gagica përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit e kësaj shkolle dhe ju uroj që të kalojnë sa më mirë në këto tri ditë.
Në shkollën e Aktivizmit në Prizren, po marrin pjesë nxënës nga shkolla të mesme dhe student të Prizrenit. Gjatë këtyre tri ditëve pjesëmarrësit e kësaj shkolle do të trajnohen në pesë module: Avokimi në institucione publike, Shkrimi dhe menaxhimi i projekteve, Hulumtimet kualitative dhe kuantitative, Të drejtat e njeriut dhe debati Karl Popper.
Pjesëmarrësit përveç njohurive qe do të fitojnë nga ligjëratat që do të ndjekin më pas do të kenë mundësi të përfitojnë edhe një projekt që do ta realizojnë në komunitetin ku jetojnë, i cili do të mbështetet nga organizata INPO.
Përveç aspektit teorik dhe praktik që ligjëruesit do të shpjegojnë para pjesëmarrësve të shkollës së aktivizmit, gjatë kësaj periudhe sa do të zgjatë shkolla, ata do të realizojnë dhe aktivitete të ndryshme si: debate, forume të hapura si dhe lojëra të ndryshme.
Përveç kësaj, nxënësit do të kenë mundësi të shumta të angazhohen nëpër organizata ekzistuese jo-qeveritare apo edhe të formojnë organizatat e tyre, me ç’rast organizata INPO dhe trajnerët e angazhuar do të ofrojnë përkrahje dhe asistencë të vazhdueshme për nxënësit që vendosin të formojnë organizatat e tyre.
Shkolla e Aktivizmit, ka për qëllim t’i mësoj për këto fusha të cilat janë shumë të rëndësishme për një shoqëri, pasi që këto module nuk ofrohen nga shkollimi i rregullt i tyre.