REAGIM: Mbyllet Komuna e Ferizajt
24/03/2014Komuna e Ferizajt vazhdon me qasjen selektive në dhënien e informacionit dhe me mbylljen e proceseve të përzgjerdhjes së kuadrit në institucionet lokale .
Ferizaj 24 Mars 2014. Iniciativa për Progres – INPO sot organizoj një performancë simbolike para komunës së Ferizajt, përmes së cilës shprehu shqetësimin e saj për mbylljen e komunës së Ferizajt për publikun. INPO figurativisht përmes zingjirëve portretizoi komunën e Ferizajt si institucion publik i mbyllur në vetvete dhe jo transparent.
Gjatë muajit Mars 2014, INPO duke vlerësuar se tashmë qeverisja e re është stabilizuar në udhëheqjen e komunës, ka kërkuar nga kryetari z.Svarqa, që t’i ofrojë qasje në listën e punëtorëve arsimor në komunën e Ferizajt. Mirëpo, përgjigjia e komunës së Ferizajt në këtë kërkesë të INPO-s ka qenë negative me arsyetimin se nuk mund të ofrohet qasje në listën e punëtorëve arsimor sepse një gjë të tillë nuk e lejojnë ligjet e aplikueshme në Kosovë dhe se posedimi i kësaj liste nga INPO, përbën shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenit 36 që garanton të drejtën e privatësisë.
Komuna e Ferizajt gjithashtu i ka refuzuar INPO-s qasjen në listën e të punësuarve në komunën e Ferizajt, me arsyetimin qasja në listën e punëtorëve të komunës nuk është e lejueshme dhe se në këtë listë mund të ketë qasje vetëm Auditori i Brendshëm, Auditori i Jashtëm, zyrtari për personel dhe vet i punësuari.
Po ashtu, pas valës së fundit të shkarkimeve të Bordeve të Drejtorëve, Komisioneve Aksionare të Ndërmarrjeve Publike në Ferizaj dhe problemeve me konkurset e pranimit të profesorëve nëpër shkollat e mesme dhe fillore në Ferizaj, INPO i ka dorëzuar komunës së Ferizajt edhe dy kërkesa për të monitoruar procesin e intervistimit të kandidatëve për Bordet të Drejtorëve dhe intervistimin e kandidatëve për profesor në shkollat e mesme dhe fillore.
Edhe këtë kërkesë të INPO-s komuna e Ferizajt e ka refuzuar me arsyetimin se një gjë e tillë nuk është përcaktuar me ligjet dhe rregulloret për intervistim në Republikën e Kosovës.
INPO vlerëson se kjo qasje refuzuese e kryetarit z.Muharrem Svarqa ndaj kërkesave të organizatës INPO përbën shkelje të parimeve bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, konkretisht Kapitullit të X mbi Parimet e Përgjithshme për Qeverisjen Lokale, neni 123 pika 4 e cila e obligon komunën që të aplikoj qeverisje transparente. Gjithashtu, këto refuzime të kërkesave përbëjnë edhe shkelje të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, Kreut IX Neni 68 pika 4 dhe 5, të cilat i detyrojnë organet komunale që gjatë qeverisjes të promovojnë transparencën dhe pjesmarrjen e qytetarëve në proceset vendimarrëse, po ashtu refuzimet përbëjnë edhe shkelje të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, pasi që asnjë nga kërkesat e INPO-s që i janë dorëzuar komunës nuk hyjnë tek Neni 12 i Ligjit për Qasje në Dokumente Publike (LIGJI Nr. 03/L-215) ku përcaktohet shprehimisht se në cilat dokumente kufizohet qasja e publikut.
Prandaj, duke e vlerësuar si të pa-bazë refuzimin e kërkesave, INPO do të kërkojë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) që të ushtrojë kompetencat e saj në raport me shkeljen e parimit të Transparencës në komunën e Ferizajt si dhe do t’i drejtohet edhe institucionit të Avokatit të Popullit me ankesë për refuzimin e pa-bazuar të kërkesave të saj.