Raporti i Auditorit të jashtëm evidenton se Komuna e Ferizajt përsërit shkeljet e vitit 2013

07/07/2015

Ferizaj, 7 Korrik 2015 – INPO shpreh shqetësimin e saj sa i përket rezultateve të dalura nga Raporti i Auditimit për Komunën e Ferizaj të cilat pasqyrojnë një performancë të dobët të menaxhimit nga ana e Ekzekutivit të Komunës së Ferizajt, si dhe evidentohen shumë shkelje të kërkesave ligjore si dhe keqmenaxhim të parasë publike e që kjo është në kundërshtim me ligjin.

Pavarësisht se komuna është zotuar se do të ketë parasysh dhe do t`i adresoj rekomandimet e dalura nga Raporti i Auditimit të vitit 2013, Komuna ka vazhduar të qëndrojë indiferente dhe me këtë vërtetohet edhe në Raportin e Auditimit të vitit 2014, ku vërejmë se janë përsëritur shkelje të vitit të kaluar e aq më tepër janë shtuar 17 rekomandime të cilat rrjedhin nga 17 shkelje sa kanë qenë në vitin e kaluar. Të gjitha këto shkelje ligjore janë të ndërlidhura me investimet kapitale ku janë keqpërdorur mjetet financiare të cilat kanë qenë të destinuara për projekte dhe nuk i janë përgjigjur kërkesave ligjore.

Gjithashtu, disa prej shkeljeve të tjera të evidentuara në këtë raport janë: Rekrutimi i punonjësve pa konkurs zyrtar; Mungesa e monitorimit të subvencioneve nga Komuna; Mungesa e regjistrimit të plotë të pasurive dhe papajtueshmëri me rregulloren e menaxhimit të pasurive; Hyrje në obligime më shumë se sa buxheti i aprovuar; Mospagesa e faturave sipas afatit ligjore; Mosadresim i rekomandimeve të Njësia e Auditimi të Brendshëm.

Të gjitha këto shkelje të cilat janë vleresuar sipas Auditorit të jashtëm, ne si INPO konsiderojmë se Komunën e Ferizajt e paraqesin me një pasqyrë të dobët dhe alarmante sa i përket menaxhimit të mirë dhe llogaridhënies për paranë publike.

Në një analizë të bërë muajin e kaluar, INPO ka hasur edhe në shumë paqartësi sa i përket raportit financiar për ecurinë financiare tremujore të vitit 2015 të Komunës së Ferizajt, duke vlerësuar se komuna edhe për këtë vit vazhdon të bëjë të njëjtat gabime, tashmë të konfirmuara me Raportin e Auditimit për vitin 2014. Në këtë analizë kemi vërejtur që figurojnë mjete të cilat janë shpenzuar por për të cilat nuk ekzsiston arsyetimi për shpenzimin e këtyre mjeteve e aq më tepër janë regjistruar si mbetje duke e shtuar vlerën e buxhetit.

Në bazë të këtyre të dhënave përfundojmë se komuna vazhdon të paraqes raporte financiare me informata të pasakta sa i përket një raporti të mirëfilltë që duhet të jetë. Me këtë INPO i bën thirrje Kryetarit të Komunës së Ferizaj si dhe ekzekutivit që të mobilizohet dhe të trajtoj me seriozitet të shtuar vërejtjet dhe rekomandimet e dalura nga Raporti i Auditimit si dhe të jap llogari para qytetarëve të Komunës së Ferizajt dhe të zgjidhet enigma e këtyre çështjeve të cilat rezultojnë si shkelje në raport.