Raport paraprak për mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme në komunën e Ferizajt

27/04/2015

Prishtinë, 27 prill 2012. INPO dhe D4D kanë monitoruar fushatën parazgjedhore të partive politike për zgjedhjet e parakohshme në komunën e Ferizajt. Në bazë të raporteve paraprake të vëzhguesve tanë, kjo fushatë ka qenë e qetë dhe pa incidente serioze. Megjithatë, vëzhguesit tanë kanë vërejtur shumë parregullsi në aspekt të respektimit të ligjit nga ana e subjekteve politike. Më poshtë është një përmbledhje e shkurtër e të gjeturave paraprake për shkeljet e bëra nga secili subjekt politik.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK)

– Ka qenë parti me shkeljet më të mëdha në fushatë dhe ka angazhuar të gjitha forcat duke neglizhuar plotësisht disa nga rregullat e fushatës dhe ligjit për zgjedhjet.
– Në tubimet e saj është vërejtur përdorimi i veturave zyrtare të Qeverisë: Me vetura zyratare në tubimet e PDK-së kanë ardhur nga Prishtina ministrat Enver Hoxha, Memli Krasniqi, Adem Grabovci, Ramë Buja, Hajredin Kuçi dhe Kryetari i komunës së Vitisë. Këta zyrtarë, edhe gjatë orarit të punës prej orës 10:00 deri 17:00, kanë kërkuar votën për kandidatin e PDK-së, Agim Aliu, tek qytetarët e rastit në rrugë, kafene e dyqane.
– Dje më 26 Prill, 2012 e gjithë rruga Ahmet Kaçiku ka qenë e bllokuar nga veturat zyrtare të Kryeministrit Hashim Thaçi.
– Në shumë nga tubimet e PDK-së është vërejtur prezencë e madhe e fëmijëve, të cilët kanë qenë të manipuluar nga grupe të ndryshme, qoftë familjar apo grupe të organizuara nga shkollat! Konkretisht në fshatin Balaj fëmijët kanë qenë të organizuar në përkrahje të PDK-së.
– Lehtë e vërejtshme ka qenë edhe prezenca e punëtorëve me uniforma në disa nga tubimet e PDK-së, duke filluar nga punëtorët teknik të ndërtimtarisë e deri tek punëtorët shëndetësor.
– Takimi i punëtorëve shëndetësor të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe tri QMF-ve me kandidatin Agim Aliu në restorant Orchide (më datën 19 Prill, 2012) disa ditë para fillimit të fushatës ka pasur karakter politik dhe lobues. Punëtorët e QKMF dhe QMF kishin shkuar në Orchide me Autoambulanca!
– Drejtorët e drejtorive të Komunës së Ferizajt janë parë në tubime të PDK-së në orarë të punës,
– Ka pasur edhe pjesëmarrje grupore të mësimdhënësve, sidomos në tubimet e PDK- së nëpër fshatra.
– Biznesmenëve të Ferizajt u ka ardhur ftesë nga Qeveria që dje më 26 prill, 2012 të marrin pjesë në takim me Hashim Thaçin në restorant Orchide.
– Sot, e premte 27 prill, 2012, dita e fundit e fushatës, Nehat Mustafa ka mbajtur një takim me maturantë të Gjimnazit “Kuvendi i Arbrit”. Takimi ka karakter “informues” Mirëpo gjatë vëzhgimit kemi vërejtur se hapësirat kanë qenë mbushura me pankarta të PDK-së dhe qëllimi i këtij takimi ishte lobim për vota. Pjesëmarrësit në këtë takim ishin nxënës maturant.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)

– Është vequar pasi e para ka thyer respektimin e fillimit të fushatës duke vendosur posterët e kandidatit Adem Salihaj 10 orë para fillimit zyrtar të fushatës.
– LDK-ja ka bllokuar trotuaret dhe ka penguar lëvizjen e lirë të këmbësorëve duke vendosur panot reklamuese të kandidatit të saj pikërisht në mes të trotuareve. (Të ngulitura në tokë- çimento).

Partia e Drejtësisë (PD)

– Ka vendosur një pano të kandidatit të saj në rrethojat e Xhamisë së Madhe. Xhamia është institucion fetar dhe me këtë gjest PD-ja ka bërë politizimin e objekteve të kultit, gjë e cila ndalohet me ligj. Xhamin dje e ka vizituar edhe Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani diku rreth orës 15:30, respektivisht gjatë orarit të tij të punës si Ministër i Shëndetësisë.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)
– Në ditën e fillimit të fushatës 23 prill, 2012 ka përdorur mjete piroteknike, fishekzjarrë, dhe bombola gazi, tymi në sheshin e qytetit ku ka pasur numër të konsiderueshëm të fëmijëve dhe pleqve.

Shkeljet e përbashkëta të subjekteve:

– Të gjitha subjektet politike kanë vendosur afishe propaganduese ne drunj dhe lisa të qytetit duke përfshirë edhe paritë më korrekte të kësaj fushatë si VV, AKR, LB dhe kandidati i pavarur Rrahim Sadiku.

Komisioni Komunal i Zgjedhjeve (KKZ)

– Ka dështuar të mbikëqyr në nivel të duhur fushatën e partive politike. Si institucion përgjegjës për zgjedhje nuk ka arritur të mbledh informacione të sakta sa i përket fushatës zgjedhore në Komunën e Ferizajt. Në mungesë të këtyre informacioneve KKZ-ja nuk ka arritur të krijoj një agjendë që tregon gjendjen faktike të takimeve që i kishin organizuar partitë politike.
– Ka pasur ndërrime shumë të shpeshta të orareve të aktiviteteve të subjekteve të cilat KKZ-ja nuk i ka përcjellur.
– Gjithashtu ka pasur aktivitete të paparalajmëruara, më së shpeshti të karakterit të ecjeve të partive nëpër lagje të qytetit.

KQZ-ja

– Ndarja e roleve të Komisionerëve. D4D e ka ngritur para disa ditësh shqetësimin për mosndarjen e drejtë të roleve të komisionarëve në vendvotime, ku një subjekti politik i kanë takuar 75% e kontrolluesit të letërnjoftimit. KQZ e ka trajtuar pjesërisht këtë çështje, por akoma nuk dihet saktë se cili subjekt sa kontrollues do të ketë dhe në cilat vendvotime.
Mos trajnimi i komisionarëve. D4D dhe INPO janë të shqetësuar me faktin se një numër i konsiderueshëm i komisionerëve nuk kanë ndjekur trajnimet e domosdoshme, ashtu siç edhe parashihen me ligj. Në bazë të një informate të publikuar dje në mbledhjen e KQZ-së rreth 50 komisionerë nuk kanë ndjekur trajnimet. Duke pasur parasysh që KQZ ka në total 90 komisionerë rezervë, ekziston rreziku që nëse nuk organizohet trajnimi për këta komisionarë atëherë të kemi komisionerë që do të kryejnë punën e tyre pa kaluar në trajnimet e domosdoshme.
– Numri i madh i fletëvotimeve të shtypura. Për 95,449 votues në komunën e Ferizajt janë shtypur 97,450 fletëvotime. Shtypja e numrit më të madh të fletëvotimeve krijon hapësirë për manipulime. KQZ nuk është dashur të shtyp fletëvotime më shumë se sa 100% i personave të regjistruar për votim. Po ashtu, fletëvotimet rezervë nuk duhet që të shkojnë në vendvotime, ato duhet të qëndrojnë në depon e KKZ-së dhe vetëm në rast të paraqitjes së nevojës të shkojnë në qendra të caktuara të votimit.
– Mungesa e procedurave. Gjatë monitorimit të mbledhjeve të KQZ-së dhe leximit të dokumente të ndryshme, monitoruesit e D4D kanë vërejtur se KQZ-së i mungojnë procedurat e shkruara ose ato janë të shkapërderdhura në disa dokumente të ndryshme. Në draftin e planit operacional për ditë të zgjedhjeve thuhet që materiali i ndjeshëm transportohet me përcjellje të Policisë, mirëpo nuk sqarohet se si bëhet bartja nga Prishtina në Ferizaj dhe kush do të jetë përgjegjës për këtë dhe në cilën ditë bëhet. Po ashtu në planin operacional për ditë të zgjedhjeve nuk përcaktohen rolet dhe përgjegjësit e anëtarëve të KQZ-së. Me këtë, KQZ dëshiron që dështimin eventual të procesit të zgjedhjeve t’a bartë nga KQZ tek SKQZ ashtu siç edhe kanë tentuar t’a bëjnë në zgjedhjet ekaluara.
– K-Vote. KQZ ka ndërmarrë një iniciativë për raportim të drejtpërdrejtë të rezultateve nga vendvotimet. Përderisa ne e mirëpresim dhe përkrahim këtë ide, është shqetësuese fakti që faqja elektronike e KQZ-së është jo-funksionale gjatë shumicës së kohës. Ne konsiderojmë se është shumë e rëndësishme që së pari të funksionalizohet faqja e KQZ-së dhe të publikohen informata për votuesit (si qendrat e votimit, vendvotimet, e informatat tjera më rëndësi për votuesit), e pastaj të mendohet për rezultatet e zgjedhjeve. Është shumë më rëndësi që qytetarët të kenë informatat e nevojshme për vendvotimet e tyre dhe procedurat e votimit, e pastaj të shikohen mundësitë e publikimit të shpejtë të rezultateve.