RAPORT NGA MONITORIMI I KK FERIZAJ #1
31/01/2013Të nderuar, ju paraqesim përmbledhjen e raportit të monitorimit nga seanca e KK të Ferizajt, të mbajtur më 30 Janar 2013.
Në mbledhjen e parë të Kuvendit të Komunës për vitin 2013 u kërkua raporti i punës për ndërmarrjet publike si dhe u miratuan propozim-vendimet për vënien në diskutim publik të Statutit të komunës dhe Rregullores për Barazi Gjinore.
Mbledhja filloi me propozimet e Këshilltareve për rend dite. Bekim Ademi propozoi që të diskutohet për Sheshin te Korporata Energjetike, që sipas tij duhet të emrohet me emrin e heroit Rexhep Halimi. Mirëpo Kryesuesi i Kuvendit potencoi se fillimisht duhet të dërgohet një kërkesë tek komisioni dhe vetëm pas konsultimit në komision, ky propozim të kalohet në Kuvend. Lidhur me këtë përgjigjie të kryesuesit z.Ademi theksoi se komisionet nuk janë funksionale dhe se Këshilltarët Komunal po injorohen vazhdimisht, pasi që kërkesa për emërimin e këtij sheshi ekziston qysh prej vitit 2008.
Faruk Guri propozojë që KK i Ferizajt të kërkojë nga Qeveria e Kosovës që të bëjë pagesën e punëtorëve të fabrikës së tubave. Por përgjigjia që mori nga Kryesuesi ishte se Kuvendi Komunal ka bërë një deklaratë para dy muajve dhe se në këtë drejtim nuk mund të bëjmë asgjë më shumë sepse bëhet fjalë për një vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Sahit Krasniqi kërkoi që të futet në rend të ditës diskutimi mbi regjistrin e pronave të komunës dhe administrimin e tyre. Kryesuesi përgjigjet që kjo kërkesë të hyn te pika 8 e rendit të ditës dhe të kërkohet që në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit Komunal këto regjistra tu dërgohen këshilltarëve dhe pastaj të diskutohet për to. Gjatë kësaj mbledhje z.Rexhep Bajrami bëri njoftimin e dorëheqejes nga pozita e tij si Këshilltar Komunal, për shkak të shmangies së konfliktit të interesit sepse tash e tutje ai do të punojë në Zyrën Lokale të Komuniteteve.
Shqyrtimi dhe miratimi për plotësimin dhe ndryshimin e Rregullores për të Hyra Vetanake 01 nr. 6580 të datës 09.12.2008
Në këtë mbledhje u miratua propozimi për plotësimin dhe ndryshimin e Rregullores për të hyra vetanake 01 nr.6580 të datës 09 Dhjetor 2008. Sipas ndryshimeve të bëra Leja Mjedisore që kushtonte 300 euro është bërë 100-150 euro.
Propozim-Vendim për vënie në diskutim publik të Statutit të Komunës:
Lidhur me këtë pikë z.Sahit Krasniqi dha një vërejtje për mënyrën se si po zhvillohet ky proces, pa ndonjë konsulent i cili do të njoftonte Këshilltarët Komunal për të gjitha ndryshimet që do të bëhen në Statut. Kurse z.Asllan Kryeziu propozoi që të krijohet zyra për diasporën. Mirëpo Kryetari i Komunës z.Agim Aliu deklaroi se një zyrë e till nuk mund të krijohet pasi që komuna ka zyrtar për diasporën. Në këtë kontekst kryetari theksoi se nuk është duke u hartuar Statut i ri për komunën, do të ndodhin vetëm disa ndryshime në Drejtori, konkretisht do të ndahet Drejtoria e Financave nga ajo e Ekonomisë, Xheodezia nga Kadastri dhe se do të shuhet Drejtoria e Inspektoratit.
Pas gjithë diskutimit, Kuvendi vendosi unanimisht që ndryshimet e propozuara në Statut të vihen në diskutim publik dhe pas marrjes së rekomandimeve edhe nga ana e Këshilltarëve Komunal të kaloj për miratim në Kuvend me ndryshimet e propozuara.
Propozim-Vendim për vënien në diskutim publik të Rregullores për Barazi Gjinore:
Gjatë kësaj mbledhje në Kuvend u bë edhe prezantimi i draft-rregullores për barazi gjinore nga Ferdinaze Isufi dhe të gjthë këshilltarët u pajtuan që kjo rregullore të kalohet në diskutim publik por të duke pasur parasysh rekomandimet të cilat u dhanë në mbledhje: duke modifikuar nenin 9 pika 1 te draft-rregullores për barazi gjinore lidhur me punësimin në sektorin privat dhe nenin 5 lidhur me përfshirjen dhe përfaqësimin e grave në partitë politike, sepse siç u tha ato janë sikurse OJQ-të, njerëz me vullnet të mirë të cilët bëjnë punë vullnetare.
Pyetjet dhe kërkesat e anëtarëve të KK-së:
Sahit Krasniqi kërkoi që të prezantohet regjistri i banesave që do të ipen me koncesion. Ramadan Baliu kërkoi që Drejtoria e Arsimit të raportoj për gjendjen në Arsim. Kurse Faruk Guri kërkoi që të prezantohen raportet e punës të ndërmarrjeve publike, Bifurkacioni dhe Pastërtia. Lidhur me kërkesën e Sahit Krasniqit drejtori premtoj se në mbledhjen e ardhshme të gjithë Këshilltarët Komunal do ta kenë regjistrin e banesave që do të ipen me koncesion. Përderi sa Drejtori i Arsimit i dha përgjigjie kërkesës së z.Baliut duke thënë se gjendja në Arsim është e mirë. Kurse për kërkesën e Faruk Gurit u premtua se raportet e ndërmarrjeve publike do të prezantohen mbledhjen e ardhshme.