Qeverisja Lokale në Prishtinë

29/07/2011

Iniciativa për Progres (INPO) publikon raportin “Qeverisja Lokale në Prishtinë” bazuar në monitorimin e punës së Komunës së Prishtinë gjatë periudhës Janar-Korrik 2011. Monitorimi është fokusuar në Asamblenë komunale dhe Ekzekutivin e komunës, dhe përfshinë fushat: transparenca dhe llogaridhënia, demokratizimi dhe qeverisja e mirë, zhvillimi urban e ekonomik, arsimi dhe shëndetësia. Raporti gjithashtu përmban analiza kualitative të legjislacionit në fuqi dhe praktikave më të mira mbi vetëqeverisjen lokale të cilat përdoren në lidhje më të gjeturat dhe përgjegjësitë e komunës.

Nga të gjeturat e monitorimit, INPO vlerëson se qeverisja në Komunën e Prishtinës ka shumë probleme, pëkundër disa të arriturave në fusha të caktuara. Nga rrethi i përgjegjësive të cilin e ka, Komuna e Prishtinës nuk është duke treguar rezultate apo shënojë ndonjë progres në atë nivel sa të ndryshojë në mënyrë të dukshme gjendjen aspak të mirë në qytetin e Prishtinës.

Në kuadër të transparencës dhe llogaridhënies, që paraqesin dy prej shtyllave kryesore të funksionimit të institucioneve publike, Komuna e Prishtinës mbetet përgjithësisht e mbyllur për qytetarë dhe OJQ-të. Ka qenë i pajustifikueshëm mbyllja e Komitetit për Politikë dhe Financa (KPF) të Komunës së Prishtinës, një prej organeve më të rëndësishme, për rreth një vit, pa ndonjë arsyetim zyrtar, ligjor apo procedural. Kjo duke mos respektuar Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe urdhëresën e Ministrisë Administrimit të Pushtetit Lokal për hapje të KPF-së.

Gjithashtu, qasja në dokumente zyrtare dhe marrja e informacioneve nga komuna është thuajse e pamundur. Gjatë kësaj periudhe raportuese INPO i është drejtuar komunës dhe organit të kryetarit të komunës për qasje në 4 dokumente, të cilat duhet të jenë publike, por kërkesat janë injoruar plotësisht nga ana e këtij institucioni. Në anën tjetër problem në Komunën e Prishtinës është edhe informimi për punën e Ekzekutivit. Drejtoritë Komunale nuk kanë zyrtarë informimi dhe hierarki të rrjedhjes së informacionit. Zyrtarët e tyre edhe për informacionet më të thjeshta udhëzojnë takime me drejtorin, e të cilat janë shumë të vështirë për t’u arritur.

Shqetësim tjetër për INPO-në është edhe mungesa e Komiteteve Konsultative, të parapara me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe Statutin e Komunës. Në përbërje të këtyre komiteteve duhet të jenë qyterarët dhe Organizatat Joqeveritare. Këto komitete paraqesin një mekanizëm shumë efikas ku qytetarët drejtpërdrejt përfshihen në vendimarrje në komunë dhe nisma të ndryshme.

E gjetur tjetër e INPO-s është edhe mos-reagimi i komunës në mbrojtje të interesit publik lidhur me ndërmarrjet publike komunale ku është aksionare dhe duhet të mbajë përgjegjësi (rasti i TERMOKOS dhe dorëheqja e drejtoreshës). Ndërmarrjet publike komunale qeverisen me sistemin e shoqërive aksionare, kjo në përputhje me Ligjin për Ndërmarrjet Publike dhe Ligjin për Shoqëritë Tregtare. Si aksionar i ndërmarrjeve publike komunale paraqitet Komuna e Prishtinës dhe këto detyra të aksionarit ushtrohen nga Komisioni Komunal i Aksionarëve (KKA), organ i themeluar nga Asambleja komunale dhe Ekzekutivi i Komunës së Prishtinës.

Probleme serioze ka edhe në fushën e zhvillimit urban në Komunën e Prishtinës. Në Prishtinë ka ende disa zona për të cilat nuk është bërë planifikimi hapësinor/urban. Probleme janë evidentuar edhe në zonat ku planet rregulluese janë miratuar, probleme si rezultat i mos-planifikimit të mirë dhe mos-marrjes parasysh të kushteve në terren, dhe nevojave të zonës/qytetit.

INPO shpreh shqetësimin e saj se Komuna e Prishtinës ka dështuar që të siguroj se objektet të cilat i legalizon janë të sigurta për përdorim nga qytetarët, sikurse është parashikuar me kërkesat e sigurisë në Ligjin për Ndërtim (Ligji numër 2004/15) dhe Rregulloren Komunale për Trajtimin e objekteve pa leje. Komuna e Prishtinës nuk ka kapacitete të mjaftueshme njerëzore dhe teknike për të bërë detajisht inspektimin e gjithë objekteve që kanë aplikuar për legalizim. Për më tepër, komuna nuk ka njoftuar se ka ndonjë plan të qartë se si do ta adresojë këtë problem me rëndësi. Në këtë mënyrë, kjo problematikë mbetet në përgjegjësi të investitorëve të objekteve dhe stafit të tyre, interesat e të cilëve jo-domosdoshmërisht janë siguria e qytetarëve.

Në fushën e arsimit problem shumë serioz paraqitet siguria në shkolla. Gjatë monitorimit tonë e kemi vërejtur se niveli i sigurisë është shqetësues, posaqërisht në shkolla të mesme të Komunës së Prishtinës ku edhe kanë ndodhur raste fatale.

INPO i njeh meritën Komunës së Prishtinës për disa të arritura në këtë komunë. Kjo përfshin uljen e taksave për legalizimin dhe marrjen e lejeve të ndërtimit, investimet e bëra në sektorin e infrastrukturës, shëndetësisë dhe në arsim (ndërtimi i biblotekës së qytetit).

Me rastin e publikimit të këtij raporti INPO i bënë thirrje Komunës së Prishtinës të adresojë problemet dhe të gjeturat në këtë raport dhe gjithashtu të ngrisë nivelin e bashkëpunimit me qytetarët, organizatat e shoqërisë civile dhe mediat.