“Pushtetin e keni nga qytetarët – ushtrojeni me qytetarët”
15/09/2011Prishtinë, 15 shtator 2011 – Sot me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë organizata INPO ka realizuar një performancë me anë të së cilës i rikujton institucioneve publike dhe zyrtarëve publik për obligimin që kanë për përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje dhe funksionimin demokratik të institucioneve publike.
Me rastin e kësaj dite, INPO poashtu i ka dërguar një letër të gjithë zyrtarëve të lartë publik brenda Komunës së Prishtinës e cila përshkruan një historik të shkurtë të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë dhe përhapja e saj nëpër vendet e ndryshme të botës, përfshirë edhe Kosovën. Ndër të tjera letra thekson:
I/E nderuar:
Më 16 shtator 1997 është aprovuar Deklarata Universale e Demokracisë. Një dekadë më vonë, në vitin 2007, bazuar në po këtë deklaratë dhe parimet e mishëruara në të, Kombet e Bashkuara kanë shpallur 15 shtatorin si “Dita Ndërkombëtare e Demokracisë”.
Demokracia në një formë ose tjetër bashkëjeton tashmë mbi 2000 vite me njerëzimin. Mirëpo, jo gjithëherë ajo është konceptuar si e tillë çfare e njohim sot – ku të gjithë qytetarët janë të barabartë në të drejtat që gëzojnë; janë të lirë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre të cilët do të punojnë për interes të të gjithë qytetarëve pa dallim dhe gëzojnë të drejtën e ushtrimit të pushtetit dhe kontrollit ndaj tij gjatë gjithë kohës dhe në të gjitha format. Fatkeqësisht edhe përkundër zhvillimeve të hovshme në fushën e teknologjisë dhe të komunikimit ndërnjerëzor, lëvizjes së lirë, civilizimit të popujve; demokracia ende nuk gëzon njohje dhe aplikim universal, si rezultat popujt e shumë shteteve të botës vazhdojnë të jenë të shtypur dhe jo të lirë; subjekt të shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe dhunës së vrazhdë të pushtetit jo-demokratik.
Populli i Kosovës që për dekada ishte i shtypur dhe subjekt i shkeljes sistematike të të drejtave të njeriut përfundimisht ju bashkua popujve të lirë dhe demokratik pas luftës dhe ngjarjeve tragjike të viteve 90’. Kjo liri u kurorëzua dhe u konfirmua me shpalljen e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran në shkurt të vitit 2008. Ishte kjo një fazë e re në procesin e nisur tashmë të tranzicionit drejtë një shoqërie demokratike, të hapur dhe tolerante ndaj të gjithë qytetarëve që ndajnë të njëjtën hapësirë jetese brenda kufinjve të shtetit të Kosovës.
Më shumë se 10 vite që nga fillimi i këtij tranzicioni demokratik progres i madh është arritur, por ende mbetet shumë punë për tu bërë, në mënyrë që nga vend “pjesërisht i lirë” siç përshkruhet Kosova nga organizata “Freedom House”, të shndërrohet në vend “plotësisht të lirë”.
Prandaj, po ju drejtohemi me këtë letër të hapur që si zyrtar publik që jeni, keni obligim parasegjithash ligjor e më pas dhe moral që të ushtroni detyrat tuaja duke respektuar parimet bazë të demokracisë: transparencën, llogaridhënien dhe gjithpërfshirjen. Institucionet publike dhe zyrtarët publik që punojnë në to janë të zgjedhur dhe të emëruar për të qenë në dispozicion të qytetarëve dhe për të ofruar shërbime sa më të mira publike për ta.
Përmes kësaj letre ju bëjmë thirrje që të kontribuoni edhe më shumë në zhvillimin demokratik të institucionit që ju përfaqësoni, në mënyrë që Kosova të dëshmoj se e meriton të jetë pjesë e komunitetit të gjërë të shteteve demokratike dhe të përmbush aspiratat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Është në duart tuaja që të përcaktoni drejtimin e zhvillimt të shtetit të Kosovës – a do të jetë një demokraci e fortë me institucione gjithpërfshirëse, transparente dhe llogaridhënëse ndaj qytetarëve sikurse shumica e shteteve perëndimore; apo do të jetë një demokraci e brishtë e cila nuk i jep llogari qytetarëve të cilët i përfaqëson sikurse shumë shtete të lindjes.
Me respekt,
Organizata INPO