Publikohet Raporti i INPO-s mbi Praktikat e Prokurimit Publik në Kosovë

22/01/2025

Organizata INPO publikon raportin gjithëpërfshirës, Përfshirja e Parimeve të Reformës së Administratës Publike në Sektorin e Prokurimit” që fokusohet në Ministrinë e Infrastrukturës dhe përputhshmërinë e saj me legjislacionin e prokurimit publik.

Ky raport vlerëson praktikat e prokurimit publik të Ministrisë së Infrastrukturës, duke theksuar transparencën, efikasitetin dhe pajtueshmërinë me standardet ligjore. Ai synon të identifikojë pikat e forta dhe boshllëqet në zbatimin e planeve të prokurimit dhe promovimin e procedurave konkurruese. Monitorimi është realizuar brenda fushës së Menaxhimit të Financave Publike, në përputhje me Parimin 29 të SIGMA, që përcakton që Autoritetet Kontraktuese kryejnë operacione të prokurimit publik, duke përfshirë partneritete publiko-private, në mënyrë efikase dhe ekonomike.

Gjetjet kryesore

  • Transparenca në planifikim: Ministria ka përmbushur obligimin ligjor për publikimin e planeve të saj të prokurimit për vitin 2024, duke i bërë ato të disponueshme në platformën elektronike të prokurimit dhe në faqen zyrtare të saj.
  • Sfidat në zbatim: Është identifikuar një hendek i madh ndërmjet planifikimit dhe zbatimit të prokurimeve, me vetëm 1 nga 5 aktivitetet e fundit të planifikuara të inicuar brenda afatit.
  • Përdorimi i procedurave konkurruese: 59.52% e aktiviteteve të prokurimit gjatë viteve 2023 dhe 2024 janë zhvilluar përmes procedurave konkurruese, ndërsa 40.48% kanë përdorur procedura jokonkurruese, duke nxjerrë në pah nevojën për më shumë konkurencë.
  • Numri mesatar i ofertuesve: Procedurat konkurruese kanë tërhequr mesatarisht 5.69 ofertues për proces, pak më ulët se pragjet e dëshiruara, duke treguar një angazhim të kufizuar të tregut.
  • Raportet vjetore: Edhe pse raportet vjetore për kontratat e nënshkruara janë dorëzuar në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, ato nuk janë publikuar, gjë që ul transparencën.

Niveli i përmbushjes së kritereve

Raporti vlerëson përmbushjen e shtatë kritereve kryesore për transparencën dhe efikasitetin e prokurimit publik në Ministrinë e Infrastrukturës:

  • Planet e përditësuara të prokurimit: Përmbushur plotësisht.
  • Zbatimi i aktiviteteve sipas planit: Përmbushur pjesërisht.
  • Qartësia e ndryshimeve në planet e prokurimit: Përmbushur plotësisht.
  • Arsyetimi i ndryshimeve në plane: Përmbushur plotësisht.
  • Përdorimi i procedurave konkurruese: Përmbushur pjesërisht.
  • Numri mesatar i ofertuesve: Përmbushur pjesërisht.
  • Publikimi i raporteve vjetore: Nuk është përmbushur.

Rekomandime

  1. Rritja e transparencës: Publikimi i raporteve vjetore dhe përditësimi i rregullt i planeve të prokurimit.
  2. Përmirësimi i efikasitetit: Harmonizimi i afateve të prokurimit me njësitë kërkuese për të shmangur vonesat.
  3. Promovimi i konkurencës: Rritja e përdorimit të procedurave konkurruese dhe angazhimi i më shumë ofertuesve.
  4. Sigurimi i llogaridhënies: Dhënia e arsyetimeve për aktivitetet e paplanifikuara të prokurimit.

Ky raport është përgatitur në kuadër të projektit WeBER 3.0, mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Agjencia Austriake për Zhvillim. Ai ka për qëllim përmirësimin e menaxhimit të financave publike dhe forcimin e besimit në shpenzimet publike.

Lexoni raportin e plotë këtu.