Publikimi i Raportit të Monitorimit, “Qeverisja Lokale në Kaçanik” Janar-Qershor 2011

10/08/2011

10 gusht 2011, Ferizaj – Iniciativa për Progres (INPO) publikon raportin “Qeverisja Lokale në Ferizaj, Kaçanik, Shtime dhe Hani i Elezit” bazuar në monitorimin e punës së këtyre komunave gjatë periudhës Janar-Qershor 2011. Monitorimi është fokusuar në Asamblenë komunale dhe Ekzekutivin e komunës.

Metodologjia e përdorur në hartimin e këtij raporti përfshin elemente të hulumtimit cilësor, sasior dhe krahasues dhe adreson progresin organeve komunale lidhur me premtimet dhe pritjet e qytetarëve, parimet e qeverisjes së mirë dhe transparente dhe adresimin e problemeve me të cilat përballen komunat.

Nga të gjeturat e monitorimit, INPO qeverisjen e Kryetarit të Komunës së Kaçanikut gjatë kësaj periudhe raportuese e vlerëson si një periudhë ku nuk janë promovuar rregullat qeverisjes së mirë, respektimit të ligjit dhe mungesës së përgjegjësisë për veprimet e ndërmarra. Është shumë shqetësues dënimi i kryetarit të Komunës për vepra penale, marrja e vendimeve kundër-ligjore dhe personale, dhe veprime tjera anti-demokratike.

Xhabir Zharku është dënuar me 3 vite burgim për shkak të kërcënimit të viktimave dhe detyrimit tyre të tërhiqen nga një tender të cilin e kanë fituar në mënyrë të rregullt. Gjetja fajtor për këtë vepër të rëndë penale në vende demokratike do të duhej të ndiqej nga dorëheqje/shkarkim i menjëhershëm nga funksionet publike. Insistimi dhe mbetja e Kryetarit në postin e njëjtë paraqet një prej shkeljeve më të rënda të ligjshmërisë dhe parimeve të qeverisjes së mirë në një shtet.

INPO e vlerëson shumë shqetësuese edhe vendimet arbitrare dhe kundërligjore të Kryetarit të Komunës. Një vendim i tillë ka qenë pezullimi i Këshillit Komunal të Sigurisë së Bashkësisë të cilin vendosi ta pezulloj për shkak të problemeve dhe mungesës së bashkëpunimit mes Komunës dhe stacionit të Policisë.

Pas presionit të shumtë, Kryetari i Kaçanikut ka pezulluar vendimin e tij anti-ligjor dhe ka ri-funksionalizuar Këshillin Komunal të Sigurisë në Bashkësi dhe ri-vendoset bashkëpunimi. Është e pakuptueshme mungesa e përgjegjësisë së Kryetarit të Komunës për veprime të tilla anti-ligjore. Ai nuk ka bartur asnjë pasojë për një veprim të tillë. Kjo është një praktikë shumë e dëmshme për qeverisjen lokale, praktikë e cila ka treguar se mekanizmat e kontrollit dhe përgjegjësisë në Komuna janë jo-funksional.

Sa i përket performancës së Kuvendit Komunal të Kaqanikut, INPO vlerëson se performanca e Kuvendit Komunal të Kaçanikut është jo e mirë. Diskutimet në përgjithësi mbesin jo në nivel profesional dhe përmbajnë retorikë politike. Për më tepër opozita nuk ëshë duke e luajtur rolin e vetë të cilin e ka dhe me të cilin mund të kontribuoj në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Sa i përket Transparencës, Kuvendi Komunal paraqitet si jo-transparent, për arsye se në faqen zyrtare në internet nuk ka bërë publikim as të transkripteve të seancave plenare dhe as përmbledhjen e akteve të miratuara. Kjo paraqet shkelje të rregullave ligjore dhe zotimeve për transparencë, dhe gjithashtu paraqet pengesë për qytetarët dhe shoqërinë civile që të mund në mënyrë efikase të ushtrojë kontrollin në Kuvendin Komunal.
Arsimi në Komunën e Kaçanikut është në gjendje të rëndë. Suksesi shumë i dobët në shkollë, mungesat e shumta dhe disiplina, mungesa e stafit mësimdhënësve të kualifikuar janë disa nga problemet me të cilat përballet Komuna e Kaçanikut. Për më tepër, nga komunikimi i monitoruesve të INPO-s me personat përgjegjës komunal nuk duket se ka ndonjë plan konkret për adresimin e këtyre çështjeve. Nga të dhënat e prezantuara nga Drejtoria e Arsimit në mbledhjet e Kuvendit Komunal, del se në Komunën e Kaçanikut nga 1850 nxënës, 62.8% kanë përfunduar gjysëmvjetorin me 1-sha.

Në anën tjetër INPO vlerëson se ndër problemet me të cilat ballafaqohen Kaçaniku dhe qytetarët e tij përfshijnë ndotjet e ambientit nga prodhuesit, gjendja e rëndë sociale, qasja e personave me aftësi të kufizuar në ambiente publike et.. Këto probleme të identifikuara, edhe pse nuk janë përgjegjësi ekskluzive e Komunës do të duhej të futeshin në agjendën e zyrtarëve Komunale dhe të adresoheshin së bashku me institucionet tjera përgjegjëse.