Prokurimi Publik në Komunën e Prishtinës: shkëputja nga qytetarët

27/12/2010

Ky raport është përmbledhje e të gjeturave gjatë monitorimit të zyrës së Prokurimit Publik në komunën e Prishtinës dhe trajton problemet dhe sfidat duke u  bazuar  në  standardet  e  njohura  ndërkombëtare  të  prokurimit  publik  për transparencë, barazi, ndershmëri  dhe   konkurrencë të drejtë. Ky raport ka për qëllim nxitjen e promovimit dhe rritjes së transparencës dhe pa-anshmërisë gjatë procesit të dhënies së kontratave publike.

Përfaqësimi i sektorit të prokurimit në media dhe qasja e gazetarëve ndaj këtij sektori, gjithashtu përbëjnë  një  element  thelbësor  të  këtij  raporti.  Më  tutje, ky raport  rikujton  problemet e identifikuara nga auditorët e Zyrës së Auditorit Gjeneral dhe angazhimin e komunave për t’i zbatuar këto rekomandime.
INPO duke qenë në shërbim të avancimit dhe përmirësimit të politikave publike, punën e Zyrës së Prokurimit (ZP) e sheh tejet të rëndësishme për shkak të funksionit të saj në ekzekutimin e projekteve të financuara nga paratë e taksapaguesve. Në kuadër të këtij projekti dhe në shërbim të përpilimit të këtij raporti janë zhvilluar aktivitete të ndryshme, që nga kontaktet me zyrtarët e prokurimit, asambleistë, dhe njohës të prokurimit
Përmes observimit dhe monitorimit të shtypit INPO vazhdimisht ka mbledhur të dhëna dhe është angazhuar për sigurimin e materialeve të nevojshme nga këto zyre, për të bërë një monitorim të procedurave. Është realizuar një  konferencë një-ditore me përfaqësues të mediave të shkruara dhe elektronike që raportojnë për komunën e Prishtinës, ku është folur për praktikat, ligjin dhe dobësitë e Zyrave të Prokurimit Publik e po ashtu edhe për praktikat më të mira të raportimit, nga ana e mediave për këtë sektor.

Për të arritur qëllimet e këtij projekti, INPO gjatë vitit 2010, ka zhvilluar këto aktivitete:

1.  Studimin dhe analizimin e      tenderëve që Komuna ka dhënë gjatë viteve 2009 dhe fillim-vitit 2010,

2.  Studimin e raporteve të auditorëve dhe të artikujve nga mediat,

3.  Tryeza të rrumbullakëta

4.  Fokus-grupe me akterë relevantë për të diskutuar sfidat dhe problemet kryesore të këtij sektori,

5.  Fushatë vetëdijesimi për të promovuar standarde e prokurimit cilësor dhe profesional,

6.  Pyetësor me qytetarë.