Projektet që e kanë tejkaluar buxhetin e planifikuar për vitin 2012

29/05/2013

Anashkalimi i vlerave të parashikuara të kontratave, konkretisht kryerja e pagesave më të mëdha se ato që ishin paraparë në kontrata po i kufizon mundësitë e komunës për t’iu përmbajtur obligimeve të planifikuara për vitin fiskal si dhe po krijon parakushte për ‘’marrëveshje xhentelmene’’

Ferizaj 29 Maj 2013. INPO organizoi tryezën me temë ‘’Projektet që e kanë tejkaluar buxhetin e planifikuar për vitin 2012’’ të pranishëm në këtë tryezë ishin z.Mustaf Grainca Drejtori i Ekonomisë dhe Financave në komunën e Ferizajt, z.Faruk Guri, z.Sahit Krasniqi, z.Enver Bajrami, z.Imri Halili dhe z. Bekim Ademi. Debati u fokusua në vlerat e parashikuara të kontratave me buxhetin e vitit 2012 dhe ngritjen e çmimeve të atyre kontratave.

Fillimisht, drejtori i organizatës INPO prezantoi disa nga vërejtjet e auditorit gjeneral për komunën e Ferizajt dhe kritikoi mungesën e planifikimit të mirëfilltë. Ai theksoi se anashkalimi i vlerave të parashikuara të kontratës, konkretisht kryerja e pagesave më të mëdha se ato që ishin paraparë në kontrata po i kufizon mundësitë e komunës për t’iu përmbajtur obligimeve të planifikuara për vitin fiskal si dhe po krijon parakushte për ‘’marrëveshje xhentelmene’’ mes komunës dhe operatorëve ekonomik që do të rezultonin me përfitime të individëve dhe mundësi për keqpërdorim të parasë publike.

Z. Mustafë Grainca pranoi vërejtjet e Auditorit Gjeneral dhe theksoi se ka pasur shkelje të procedurave të Prokurimit Publik dhe se shkelje do të ketë edhe në të ardhmen. Grainca pati vërejtje edhe për raportin e prezantuar nga INPO, duke thënë se është tejkaluar vlera e projekteve por jo edhe 10% i vlerës së kontratave.

Z.Sahit Krasniqi tha se nga 241 kontrata të prezantuara në Planin e punës për vitin fiskal 2012, 38 prej tyre e kanë kaluar buxhetin e planifikuar. Më tutje z.Krasniqi theksoi se në planin e punës ka projekte që e tejkalojnë vlerën e parashikuar deri në 300% dhe kërkoi përgjigjie nga komuna e Ferizajt se ku e kanë marrë lejen për rritjen e vlerës së projekteve të parapara kur një kompetenc e tillë i takon Kuvendit Komunal. Sipas tij nëse planifikimi ka dështuar atëhere është dashur që projektet vlera e të cilave është dashur të rritet të kthehen në Kuvendin Komunal që ta marrin një miratim të till, sepse ky tejkalim i vlerave të parashikuara të projekteve përbën një rrezik për organizatën tonë buxhetore.

Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje theksoi se tejkalimi i projekteve të parashikuara është i qëllimshëm dhe se kjo është strategji e partisë në pushtet për të diskriminuar operatorët e ndryshëm ekonomik dhe për të favorizuar kompani të caktuara të cilat konkurojnë me çmime shumë të ulëta sepse ata e dinë paraprakisht se projekti që e kanë fituar do të pësojë ngritje të vlerës dhe se atyre do të i’u paguhen shtesat. Gjithashtu ai duke u shprehur se vetëm fshati i kryetarit rrezikohet nga insektet, kritikoi edhe pagesat që janë bërë për dezinfektimin e fshatit Balaj.

Edhe z.Faruk Guri drejtoi kritika në adres të procesit të planifikimit, që sipas tij po bënë planifikime të gabuara të cilat po rezultojnë me ngritje enorme të vlerës së parashikuar të projekteve. Ai theksoi edhe cilësinë e dobët të punimve që po kryhen, siq janë rruga ‘’Enver Topalli’’ dhe ‘’Nerodimes’’ duke potencuar edhe projektet në të cilat po intervenohet disa herë.

Z.Imri Halili ngriti problemin e diferencës së madhe të çmimeve për punët e njejta, duke përmendur projektet e kanalizmit që në fshatin Tërrn ka kushtuar 30 Euro metra kurse në fshatin Pojatë vetëm 13 Euro. Ai gjithashtu kërkoi që zyra e prokurimit në Ferizaj të sqaroj se si ka mundësi që shumë projekte kanë përfunduar dhe operatorët ekonomik akoma nuk janë paguar.

Në fund drejtori Grainca për disa nga çështjet që u ngritën në debat, pranoi se komuna e Ferizajt ka nënshkruar kontrata pa zotim të mjeteve dhe se ka bërë shkelje procedurale, por këtë e kanë bërë për të ruajtur paratë e qytetarëve.