Procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje në Komunën e Prishtinës nuk garanton sigurinë e ndërtimi

10/06/2011

Komuna e Prishtinës e përballur me numër të madh të ndërtimeve pa leje dhe me qëllim të rregullimit hapësirave të saj ka filluar procesin e trajtimit dhe legalizimit të ndërtimeve pa leje në vitin 2009. Ky proces është përcjellur me kontestime mbi bazën ligjore mbi të cilën është filluar dhe problem tjera të shumta si rezultat i mos planifikimit adekuat. Komuna e Prishtinës tanimë ka filluar me fazën e lëshimit të leje mbi legalizimin e objekteve të para dhe një ndër cështjet më shqetësuese në këtë fazë është siguria e objekteve që do të legalizohen.

INPO shpreh shqetësimin e saj se Komuna e Prishtinës ka dështuar që të siguroj se objektet të cilat i legalizon janë të sigurta për përdorim nga qytetarët, sikurse është parashikuar me kërkesat e sigurisë në Ligjin për Ndërtim (Ligji numër 2004/15) dhe Rregulloren Komunale për Trajtimin e objekteve pa leje. Komuna e Prishtinës nuk ka kapacitete të mjaftueshme njerëzore dhe teknike për të bërë detajisht inspektimin e gjithë objekteve që kanë aplikuar për legalizim. Për më tepër, Komuna nuk ka njoftuar se ka ndonjë plan të qartë se si do ta adresojë këtë problem me rëndësi. Në këtë mënyrë, kjo problematikë mbetet në përgjegjësi të investitorëve të objekteve dhe stafit të tyre, interesat e të cilëve jo-domosdoshmërisht janë siguria e qytetarëve.

Siguria e objekteve është cështje e rëndësisë publike e cila duhet të ketë si garant institucionet publike. Përgjegjësia për të siguruar se objektet e ndërtuara janë në pajtim me kërkesat e sigurisë është e Komunës, më konkretisht organet komunale të cilat lëshojnë lejet për ndërtim dhe inspeksionet komunale. Kjo përgjegjësi është e specifikuar në Ligjin për Ndërtim, nenet 49, 51 dhe 58 dhe nenit 10.2 të Rregullores për trajtimin e ndërtimeve pa leje, e cila specifikon “Drejtoria do t’i angazhojë ekipet profesionale në terren për shqyrtimin e përmbushjes se kritereve teknike të parapara me Manualin për kriteret minimale teknike të objektit i cili i nënshtrohet trajtimit”.

INPO vlerëson se numri i madh i objekteve që kanë aplikuar për legalizim nuk mund të përdoret si arsyetim i justifikueshëm për mos-inpektimin e këtyre ndërtimeve.

INPO rikujton se në Prishtinë egzistojnë një sërë faktorësh të cilët bëjnë që ushtrimi i këtyre autorizimeve për mbikqyrje nga ana e Komunës të jetë i rëndësisë jetike. Si faktor i parë është se Kosova bën pjesë në zonat aktive sizmike e cila goditet nga tërmete e shumta. Objektet, sidomos ato për përdorim afarist, duhet të kanë qëndrueshmëri mekanike dhe stabilitet të lartë për të rezistuar lëkundjeve sizmike. Është paralajmërimi i shumë ekspertëve se shumica e ndërtimeve pa leje në Prishtinë nuk plotësojnë as kushtet minimale për qëndrueshmëri mekanike dhe stabiliteti. Andaj, legalizimi i tyre pa një vlerësim profesional dhe të pa-anshëm paraqet rrezik të madh për qytetarët.

Në anën tjetër mbipopullimi i Prishtinës dhe ngarkesa me objekte të shumta (me dhe pa leje) shtron nevojën që edhe për kërkesa tjera të sigurisë të kërkohen inspektime rigoroze. Ndër këto masa kërkohet që të sigurohet që ndërtesat janë të mbrojtura nga zjarri duke përfshirë parandalimin e përhapjes së zjarrit dhe tymit brenda ndërtesës, parandalimin e përhapjes së zjarrit në ndërtesat fqinje, përdorimin, hyrjen e mjeteve dhe automjeteve për fikje dhe mbrojtje nga zjarri, evakuimin e njerëzve, kafshëve dhe fikje efikase zjarri.

Për më tepër Komuna është përgjegjëse që përmes inspektimit të mundësoj plotësimin e kërkesave që lidhen me shëndetin e mjedisin, izolimi nga temperatura , zhurma dhe mbrojtja kundër vibrimeve, lidhjen me infrastrukturë publike etj.

INPO shfrytëzon rastin dhe i bën thirrje Komunës së Prishtinës që urgjentisht të adresojë cështjen e sigurisë së ndërtimeve pa leje dhe ti sigurojë qytetarët se objektet të cilat legalizohen janë të sigurta për përdorim.