Përfundon Shkolla e Aktivizmit në Gjakovë

30/05/2016

Organizata INPO dje më datë 29 Maj ka shënuar përfundimin e aktiviteteve të Shkollës së Aktivizmit në qytetin e Gjakovës. Rreth 25 nxënës të shkollave të mesme dhe studentë të universiteteve kanë marrur pjesë në programin e Shkollës së Aktivizmit në Gjakovë. Për katër vikende në Shkollën e Aktivizmit në Gjakovë janë trajtuar 4 module. Qëllimi i organizimit të kësaj shkolle është fuqizimi i të rinjëve dhe ofrimi i mundësive për ta që të jenë pjesë aktive e shoqërisë, duke synuar që këta të rinjë të jenë të përgaditur dhe të gatshëm për tregun e punës, si dhe të jenë aktiv në ofrimin e zgjidhjeve për problemet e shoqërisë.

Me qëllim që përmbajtja e moduleve të trajnimit të jetë sa më e mirë, INPO është munduar të zgjedh dhe ftoj për ligjerim ligjeruesit më të kualifikuar për fushat të cilat do të ligjerojnë. Të gjithë prej ligjeruesve, përpos përvojës teorike, kanë edhe përvojën praktike të cilën e kanë shpërndarë edhe tek të rinjët pjesëmarrës.

INPO gjithashtu falënderon Qendrën Rinore dhe Pallatin e Rinisë në Gjakovë të cilat na ka mirëpritur për katër javë.

Shkollën e Aktivizmit, organizata INPO e realizon me mbështetjen e jashtëzakonshme dhe të vazhdueshme të fondacionit amerikan Charles Stewart MOTT.