Pas reagimit të INPO-s, Komuna e Shtimes largon kërkesat e larta, jopropocionale dhe jovalide nga Dosja e Tenderit

31/07/2023

Prishtinë, 31 korrik 2023 – Në kuadër të monitorimit sistematik të prokurimit publik, Organizata INPO është duke monitoruar aktivitetin e prokurimit me titull “Rregullimi i ndriçimit publik”, me numër të prokurimit 617-23-7696-1-2-1 dhe vlerë të parashikuar 30,000.00 euro.

Gjatë vlerësimit të rregullsisë së prokurimit, INPO ka gjetur se Komuna e Shtimes ka shkurtuar afatet ligjore në kundërshtim me kërkesat ligjore nga së paku njëzet (20) ditë sa është afati ligjor për pranimin e ofertave për kontrata të vlerës së mesme, në dhjetë (10) ditë, me arsyetimin “Ky aktivitet është shkurtuar afati pasi buxheti është vetëm për 2023”.

Tutje, për këtë aktivitet janë vendosur kërkesa të larta, joproporcionale madje edhe jovalide. Komuna e Shtimes tek kapaciteti teknik dhe profesional ka kërkuar një numër të madh të ISO standardeve siç janë: (i) ISO 28000:2007 (Sistemi i menaxhimit të sigurisë për zingjirin e furnizimit), (ii) ISO 22301:2019 (Sistemi i menaxhimit të vazhdimësis së aktivitetit), (iii) RS 8000 (Sistemi i menaxhimit të përgjegjësis sociale). INPO ka gjetur se ISO 28000:2007 nuk është fare valide. E njejta certifikatë është zëvendësuar me certifikatën ISO 28000:2022.

INPO ka kërkuar eleminimin e kërkesave të larta, joproporcionale dhe jovalide nga Dosja e Tenderit në mënyrë që të sigurohet legjitimiteti dhe integriteti i prokurimit dhe të garantohet konkurueshmëria e lirë dhe e pakufizuar për të gjithë të interesuarit rreth këtij prokurimi.

Kësisoj, më 28.07.2023, Komuna e Shtimes ka publikuar Formularin B54 – Formulari për korrigjimin e gabimeve në njoftimet e publikuara, ku ka adresuar rekomandimin e INPO-s duke larguar të gjitha ISO e kërkuara. INPO mirëpret veprimet e Komunës së Shtimes si dhe të komunave të tjera që të adresojnë gjetje në prokurim me qëllim të sundimit të ligjit dhe transaprencës në prokurim publik.

Për më shumë shih Formularin B54: https://shorturl.at/blwRU

INPO do të vazhdoj të monitoroj prokurimin publik në Republikën e Kosovës.