Pas reagimit të INPO-s, Komuna e Pejës largon kërkesat jovalide, diskriminuese dhe joproporcionale nga Dosja e Tenderit

31/08/2022

Prishtinë, 31 gusht 2022 – Në kuadër të monitorimit sistematik të prokurimit publik, INPO është duke monitoruar edhe aktivitetin e prokurimit me titull: Renovimi i teatrit “Istref Begolli” LOT 1 Renovimi i teatrit “Istref Begolli” LOT 2 Instalimi i Ventilimit- kanalizimit dhe ngrohjes ne Teatrin ”Istref Begolli”, me numër të prokurimit 635-22-8306-5-2-1, me vlerë të parashikuar 382,566.53€, e udhëhequr nga Komuna e Pejës.

Gjatë monitorimit, INPO ka gjetur se Komuna e Pejës për këtë aktivitet të prokurimit ka vendosur kërkesa shumë të larta, joproporcionale dhe madje disa edhe jovalide lidhur me kapacitetin teknik dhe profesional.

Në fakt, komuna në Dosje të Tenderit, ndër tjerash ka kërkuar:

  • “Menaxher të projektit, inxhinier të diplomuar në arkitekturë me çertifikatë ISO 18001 2007 me 5 vjet përvojë pune” dhe “Inxhinier i diplomuar i elektrikes apo master i elektrikës (drejtimi energjetike) me certifikat ISO 19011 2002 me 5 vite përvojë pune”. Të dy këto ISO standarde të kërkuara nuk janë valide dhe nuk përdoren më për standardizim.
  • LOT 1 – Operatori ekonomik të ketë “Minimum 10 punëtorë me kontrata të punës aktive të trajnuar për siguri dhe mbrojtje në punë dhe së paku 4 prej tyre të jenë të trajnuar për mbrojtjen nga zjarri”. Ndërsa, për LOT 2 AK ka kërkuar që “Operatori ekonomik duhet të ketë minimum 2 puntorë të certifikuar për trainime nga prodhuesit evropian për produkte për energji efiqente”. Këto kërkesa janë jorelevante, favorizuese dhe diskriminuese. Në këtë drejtim INPO vlerëson se vendosja e tyre është e kundëligjshme.

INPO më 30.08.2022, nëpërmjet një reagimi të brendshëm ka kërkuar nga Komuna e Pejës eliminimin e kërkesave jovalide, shumë të larta, joproporcionale dhe diskriminuese nga Dosja e Tenderit, përkatësisht është kërkuar që në Dosje të Tenderit të mbesin vetëm ato kërkesa të cilat janë të domosdoshme dhe relevante për përmbushjen e kontratës. INPO ka rekomanduar që këto kërkesa të largohen  nëpërmjet Formularit B54 – Formulari për korrigjimin e gabimeve në njoftimet e publikuara.

Në po të njëjtën ditë Komuna e Pejës ka adresuar rekomandimet e INPO-s, ndërsa sot më 31.08.2022 është publikuar edhe Formulari B54 për për korrigjimin e gabimeve në njoftimet e publikuara.

Shih fotografinë nga Formulari B54.

 

Për më shumë shih Formularin B54 me të gjitha ndryshmet: https://e-prokurimi.rks-gov.net/SPIN_PROD/APPLICATION/IPN/DocumentManagement/DokumentPodaciFrm.aspx?id=2048123.

INPO falenderon Komunën e Pejës për adresimin e menjëhershëm të rekomandimeve, në të njëjtën kohë kërkon që në të ardhëm të kujdeset që çdo aktivitet i inicuar të jetë i ligjshëm, i hapur për nga aspekti i konkurrencës dhe jodiskriminues.

INPO do të vazhdoj të monitoroj prokurimin publik në të gjithë Republikën e Kosovës me qëllim të ngritjes së transparencës, integritetit dhe ligjshmërisë gjatë udhëheqjes së procedurave të prokurimit.