
PAS REAGIMIT TË INPO-s, ANULOHET KONTRATA PËR OPERATORIN EKONOMIK, I CILI DYSHOHET SE I HARTOI VET PARAMASËN DHE LISTËN E ÇMIMEVE TË TENDERIT
07/06/2024Prishtinë, 07 qershor 2024
INPO në kuadër të monitorimit sistematik të prokurimit publik, ka gjetur se për tenderin “Punimi dhe furnizimi me reklamave ndriquese te standartizuara 3D”, me nr. 635-24-3671-5-2-1, me numër të kontratës C1028, dhe vlerë prej 12,590.00 euro të Komunës së Pejës, operatori ekonomik fitues PRO PRINT SH.P.K është vet autor i hartimit të dokumentit të listës së çmimeve, respektivisht paramasës së tenderit, i cili është publikuar në platformën e-prokurimi, më ç’rast ngrihen dyshime të bazuara se vet operatori ekonomik ka hartuar specifikimet teknike të detyrueshme të lëndës së prokurimit.
Mbi bazën e dyshimeve të lartëpërmendura dhe pas analizimit të dokumenteve të tenderit INPO ka gjetur se kjo kontratë është nënshkruar në kundërshtim me nenin 65 të Ligjit për Prokurimin Publik, i cili në mënyrë të qartë ndalon pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë në përgatitjen apo dhënien e ndihmës në hartimin e njoftimit të kontratës ose dosjes së tenderit, ose në përgatitjen e ndonjë pjese të tyre, që shfrytëzohet nga autoriteti kontraktues dhe se këto veprime përbëjnë konflikt të pastër të interesit.
Në foto kontrata e nënshkruar më 29.05.2024
Në foto Paramasa dhe Parallogaria e datës 16.04.2024 11:51
Pas intervenimeve të INPO-s, Komuna e Pejës, anulon kontratën me arsyetimin se “Pasi që është vërejtur një lëshimi nga njësia kërkuese unë si Zyrtar Përgjegjës i Prokurimit duke u mbeshtetur ne nenin 65 te LPP-se ky AP dhe Kontrat ANULOHET”.
Kësisoj, INPO dyshon se zyrtarët komunal, në bashkëpunim me operatorin ekonomikë, kanë krijuar skema mashtrimi në prokurimin publik për të përfituar për vete ose për të tjerë.
INPO mirëpret vendimin e komunës për të anuluar kontratën dhe kërkon nga organet e ndjekjes sipas mandatit të tyre, të hetojnë këtë tender për shkeljet e dyshuara që të mbajnë përgjegjës të gjithë zyrtarët e përfshirë në këtë skemë të dyshuar mashtrimi në prokurimin publik.