
Pas kërkesës së INPO-s, Komuna e Prishtinës inicon plotësim ndryshimin e Rregullores për zgjedhjen e këshillave lokal
10/05/2022Prishtinë, 10 maj 2022 – INPO mirëpret votimin e Vendimit për konsulta paraprake publike lidhur me projekt rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për organizimin dhe bashkëpunimin e komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane nё territorin e Komunёs sё Prishtinёs Nr. 01-030/01-0134831/18 e datës 06.06.2018.
Kuvendi Komunal i Prishtinës në mbledhjen e katërt ka votuar “Vendimin për konsulta paraprake publike lidhur me projekt rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për organizimin dhe bashkëpunimin e komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane nё territorin e Komunёs sё Prishtinёs Nr. 01-030/01-0134831/18 e datës 06.06.2018”.
INPO më 26.04.2022 kishte parashtruar kërkesë në drejtim të kryetarit dhe anëtarëve të Kuvendit Komunal të Prishtinës, ku kishte kërkuar që të iniciohet plotësim ndryshimi i rregullores në fjalë, për faktin se e njëjta tanimë nuk është në përputhje me Udhëzimin Administrativ (MAPL) Nr. 02/2019 për organizimin, funksionimin dhe bashkëpunimin e komunave me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane. Në fakt Rregullorja është në kundërshtim me udhëzimin në fjalë.
INPO ka kërkuar nga ekzekutivi i Komunës së Prishtinës dhe anëtarët e Kuvendi Komunal që sa më parë të iniciohet ndryshimi i Rregullores, në mënyrë që të fillohet pastaj procesi i zgjedhjes së këshillave lokal të cilët janë pa mandat për vite të tëra. INPO gjithashtu kishte rikujtuar se themelimi i këshillave lokal, përveç që është obligim ligjor, në të njëjtën kohë shërben si mekanizëm shumë i rëndësishëm i komunikimit të komunës me qytetarë, duke reflektuar përfshirje të plotë të qytetarëve në procese vendimmarrëse, dhe njëherit funksionalizimi i këshillave ndikon në promovimin dhe zhvillimin e transparencës dhe llogaridhënies karshi qytetarëve.