Pas ankesës së INPO-s, Komunës së Gjilanit i shqiptohet gjobë në vlerë 4,000 euro

06/03/2023

Prishtinë, 6 mars 2023 – Pas ankesës së INPO-s, Agjencia  për Informim dhe Privatësi ka gjobitur Komunën e Gjilanit me 4,000 euro gjobë për kufizimin e qasjes në dokumente publike. INPO më 18.08.2022 në drejtim të Komunës së Gjilanit ka parashtruar kërkesë për qasje në dokumente publike për tre (3) aktivitete të prokurimit, konkretisht aktivitetet:

  1. “Ofrimi i shërbimit të varrimit në Komunën e Gjilanit”, me numër të prokurimit 651-21-3707-2-1-1.
  2. “Rregullimi i infrastrukturës rrugore, trotuaret, ndriçimi publik në Sos fshatin në Zabel”, me numër të prokurimit 651-20-6280-5-2-1 dhe
  3. “Ndërtimi i tregut dhe parkut në Zhegër”, me numër të prokurimit 651-20-3398-5-2-1

Meqë Komuna e Gjilanit ka kufizuar qasjen në dokumente publike, përkatësisht nuk ka ofruar qasje në të gjitha dokumentet e kërkuara, INPO më 12.09.2022 ka parashtruar ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi. Ndërsa, pas pothuajse gjashtë (6) muajsh, sot më 06.03.2023, Agjencia për Informim dhe Privatësi, Komunës së Gjilanit i ka shqiptuar gjobë në vlerë 4,000 euro.

INPO i bënë thirrje Kryetarit të Komunës së Gjilanit që të merren masa të menjëhershme ndaj të gjithë zyrtarëve përgjegjës për kufizim të qasjes në dokumente publike si dhe të merren të gjitha masat në drejtim të rritjes së transparencës në ofrimin e qasjes në dokumente publike, në mënyrë që në të ardhmen të shmangen situata ku për shkak të mos respektimit të detyrimeve ligjore me para të taksapaguesve të paguhen gjoba.

INPO duke falënderuar Agjencinë për Informim dhe Privatësi për bashkëpunimin, mbetet e përkushtuar në zbatimin e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike.