Pagat e Turpit

21/08/2012

Ferizaj, 21 Gusht 2012 – Mendësia e mbrapshtë e të udhëhequrit nga partitë politike në Kosovë ka bërë që të kemi keqqeverisje jo vetëm në nivelin qendror, por edhe në atë lokal. Në këtë peirudhë kur kemi një kriz ekonomike që është duke u zhvilluar në tërë rajonin, ku shumë shtete evropiane janë të detyruara të ndërmarrin masa kursimi dhe të shkurtojnë pagat e personelit, një përjashtim përbënë Kosova. Përderi sa shkurtimet e shpenzimeve po ndodhin në vende shumë më të pasura se Kosova, siq duket Kryetarët e Komunave të Kosovës në debatin e mbajtur lidhur me projektligjin për pagat e funksionarëve publik kanë dalur me konkluzione që të rriten edhe pagat e kryetarëve të Komunave të Kosovës, me arsyetimin se koeficienti i pagave dallon shumë mes zyrtarëve të nivelit qendror dhe atyre lokal.

Përderi sa kriza ekonomike po vazhdon të thellohet dhe problemet me zhvillimin e ulët ekonomik, papunësinë dhe mungesën e mjeteve për realizimin e projekteve kapitale përbëjnë problem serioz për komunat e Kosovës, INPO vlerëson se kërkesat për rritjen e pagave të zyrtarëve komunal nuk janë të arsyeshme dhe dëshmojnë se pushtetet komunale po i tejkalojnë kufinjët e keqmenaxhimit dhe se buxhetet e komunave nuk po hartohen për të përmirësuar jetën e qytetarëve, por për të rritur luksin dhe komoditetin e atyre që i udhëheqin komunat.

Kryetarët e komunave të Kosovës gëzojnë mjaftë beneficione dhe privilegje të tjera përpos pagës mujore. Ata përfaqësojnë komunën, emërojnë dhe shkarkojnë drejtorët e drejtorive, madje kanë edhe linja buxhetore për dreka dhe darka zyrtare si dhe vetura dhe shofer personal, kurse situate aktuale në Kosovë tregon se qeverisja me komunat e Kosovës është një udhëheqje politike që nuk jep përgjegjësi para elektoratit lokal dhe se në këtë kohë krize është shumë e pa arsyeshme ngritja e pagave.

Për INPO-n është mjaftë shqetësues fakti se përfaqësuesit e qytetarëve – këshilltarët komunal po trajtohen si inferior në raport me zyrtaët e nivelit qendror dhe lokal, kur dihet se për mirëfuknsionimin e komunës me rëndësi të jashtëzakonshme është edhe Kuvendi i Komunës. Këtë shqetësim INPO e ka shprehur edhe më herët përmes një analize ku ka konstatuar se pagat e zyrtarëve të nivelit qendror dhe lokal janë shumë herë më të larta se ato të këshilltarëve komunal.INPO vlerëson se këshilltarëve komunal nuk po i’u kushtohet vëmendja e duhur dhe nuk po i’u alokohen mjetet e nevojshme në raport me përgjegjësitë të cilat u janë dhënë.

Gjithashtu është shumë shqetësues fakti se në këtë mes zëri i qytetarëve, si kontribuesit kryesor të taksave nuk po merret aspak parasysh. Edhe më tutje komunat nuk ofrojnë shërbime publike dhe administrative efikase, sektori i shëndetësis është i lënë pas dore kurse kërkesat e qytetarëve nuk përfillen. Kjo qeverisje lokale, ku qytetari nuk dëgjohet dhe as nuk pyetet lë shumë për të nënkuptuar, prandaj INPO i fton qytetarët që të përdorin të gjitha format demokratike të veprimit politik për t’ia pamundësuar pushtetit ndryshimet, keqmenaxhimet që nuk përkojn me vullnetin e tyre.

INPO u bënë thirrje institucioneve përgjegjëse që kësaj situate t’ia kushtojnë vëmendjen e duhur dhe të hartojnë politika zhvillimore gjithëpërfshirëse që garantojnë zhvillim ekonomik dhe shfrytëzim të drejtë të parasë publike.