Organet komunale të Ferizajt shkelin parimet e transparencës
23/09/2015Takimi i radhës i Komitetit për Politikë dhe Financa si dhe seanca e Kuvendit të Komunës të Ferizajt gjatë kësaj jave janë thirrur në kundërshtim me dispozitat ligjore, të cilat i obligojnë organet komunale që të jenë transparente në raport me publikun.
Kryesuesi i Kuvendit të Ferizajt, në bazë të autorizimeve ligjore ka thirrur mbledhjen e VIII-të të Komitetit për Politikë dhe Financa, për datën 26 shtator 2015, derisa mbledhja e VIII-të e Kuvendit të Komunës është caktuar për datën 29 shtator 2015, ndërkohë që njoftimi për takimet e këtyre dy organeve të larta vendimmarrëse nuk është bërë publik në ueb faqen e Komunës së Ferizajt, tabelën e shpalljeve apo përmes mjeteve të informimit.
Kësisoj kryesuesi i KK-së nuk i ka respektuar dispozitat e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, ato të Udhëzimit Administrativ të MAPL-it për Transparencë në Komuna (UA 05/2013) si dhe të Rregullores për Transparencë të KK Ferizaj, të cilat obligojnë organet komunale që njoftimin për mbajtjen e mbledhjes së KK-së ta publikojnë së paku 7 ditë përpara datës së caktuar për mbajtjen e seancës, përmes ueb faqes zyrtare, medieve dhe shpalljeve publike në vendet më të frekuentuara. Dhe kjo nuk është hera e parë që qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile në Ferizaj nuk njoftohen me agjendën dhe orarin e mbajtjes së mbledhjeve të Komiteteve apo të Kuvendit.
Për më tepër, duhet cekur se në rendin e ditës për këto mbledhje janë propozuar për shqyrtim dokumente strategjike dhe të interesit publik, siç është propozim-vendimi për miratimin e buxhetit për vitin 2016, propozim-vendimi për miratimin e rregullores për tatimin në pronën e paluajtshme si dhe propozim-vendimi për revidimin e planit rregullues të zonës së I-rë dhe VIII-të të komunës.
Në këtë drejtim, rregullorja për tatimin në pronën e paluajtshme nuk ka dalë në dëgjim publik, ndërkohë që revidimi i planit rregullues të zonës së I-rë dhe VIII-të pas kthimit nga komisioni i përbashkët i MMPH-së dhe MAPL-it është përcjellë me shkelje të reja, gjë që sjellë në pah nevojën për vendimmarrje më transparente në interes të publikut. Sikurse propozim buxheti dhe rregullorja për tatimin në pronë, ashtu edhe propozim vendimi për revidimin e planit rregullues të zonës së I-rë dhe VIII-të të komunës janë politika të rëndësishme publike, që prekin interesat e qytetarëve dhe për më tepër ndikojnë në ambientin e tyre jetësor, prandaj transparenca e plotë e organeve vendimmarrëse është e domosdoshme.
Për këto arsye, EC Ma Ndryshe dhe INPO konsiderojnë se organet komunale të Ferizajt duhet të heqin dorë nga praktikat që kufizojnë të drejtën e publikut dhe shoqërisë civile për t’u informuar rreth punës, aktiviteteve dhe vendimeve të pushtetit lokal, ngase në të kundërtën shkelen rëndë parimet e transparencës, qeverisjes së mirë dhe gjithëpërfshirëse.
EC Ma Ndryshe dhe INPO rekomandojnë komunën e Ferizajt që të ndërmerr veprime të menjëhershme që do të siguronin funksionimin e mekanizmave të transparencës, shpërndarjen e informacionit për çështje të rëndësishme të interesit publik dhe ambient të përshtatshëm për forcimin e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje.
EC Ma Ndryshe dhe INPO i bëjnë thirrje kryetarit të Komunës dhe Kryesuesit të Kuvendit që të angazhohen seriozisht në zbatimin e obligimeve ligjore për të siguruar transparencën dhe pjesëmarrjen e publikut në punimet e organeve komunale pasi pushtetin e kanë fituar nga qytetarët dhe duhet ta ushtrojnë bashkërisht me ta.
Projektin “Indeksi i Reformës së Transparencës Komunale” EC Ma Ndryshe ka nisur që ta zbatoj nga maji i vitit 2015, falë përkrahjes së Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, i cili ka shtrirje në komunat e mëdha të Kosovës, Prishtinë, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj dhe Gjakovë, sikurse edhe në Suharekë, Rahovec, Malishevë, Dragash, Mamushë dhe Shtërpcë. Në Ferizaj dhe Shtërpcë monitorimi realizohet në partneritet me INPO-n. Projekti në fjalë ka për qëllim që ti asistoj komunat në identifikimin e mangësive kryesore sa i përket transparencës sikurse edhe të ofroj udhëzime për adresimin dhe tejkalimin e tyre. Indeksi i Transparencës paraqet edhe një përpjekje të strukturuar për të mbështetur komunat e Kosovës në përmbushjen e standardeve të qeverisjes së mirë, të përcaktuara me reformën e qeverisjes lokale dhe agjendën evropiane të Kosovës.