Oborret e shkollave të Ferizajt shndërrohen në deponi ilegale të mbeturinave
24/02/2015Ferizaj, 24 Shkurt INPO me shqetësim reagon ndaj mosgadishmërisë dhe mungesës së efikasitetit të KRM “Pastërtia” për të mbledhur dhe menaxhuar mbeturinat në qytetin e Ferizajt.
Mbulimi i pjesëshëm i territorit me shërbime pastrimi ka rezultuar në hedhjen e mbeturinave në ambiente të hapura publike dhe në vende që nuk janë të destinuara për mbeturina, siç janë oborret e shkollave. Ambienti i pastër është çështje e rëndësishme për të gjitha vendet, e sidomos lokacionet e afër shkollave dhe brenda tyre. Është e papranueshme që deponi të tilla të mbeturinave të jenë të pranishmë në oborret e shkollave, dhe Komuna së bashku me KRM “Pastërtia” të mos reagojnë për sanimin e gjendjes së krijuar.
Komuna ka për detyrë që t’i krijojë parakushte KRM “Pastërtia” për kryerjen e shërbimeve të pastrimit sipas standardeve të kërkuara. Parakushtet ndër të tjera përfshinë vendosjen e kritereve të pastrimit, caktimin e lokacioneve për kontenjerë, etj. Sipas ligjit të ri për mbeturina, komuna ka përgjegjësi të mëdha në administrimin dhe mbikqyrjen e KRM-ve, gjë që e bën edhe më të rëndësishme rolin e saj në këtë fushë.
Prandaj, kërkojmë nga Komuna që t’i bëjë presion KRM “Pastërtia”, në mënyrë që kjo e fundit të realizoj detyrat e saj në përputhje me ligjin, duke pastruar këto hapësira publike. Krejt kjo për një ambient më të pastër rreth shkollave në të cilat mbajnë mësim fëmijët tanë.