Nëpërmjet tryezës së diskutimit, INPO publikon raportin “Kuvendi Komunal i Ferizajt në shërbim të pushtetit apo të interesit qytetar?”

25/10/2023

Ferizaj, 24 tetor 2023.

Iniciativa për Progres (INPO), me përkrahje të Rockefeller Brother Fund, nëpërmjet tryezës së diskutimit ka publikuar raportin e monitorimit të Kuvendit Komunal të Ferizajt për vitin 2023 me titullin “Kuvendi Komunal i Ferizajt, në shërbim të pushtetit apo interesit qytetar?” në të cilin raport shfaqen të gjeturat rreth analizimit të vendimeve të kuvendit dhe ekzekutivit për periudhën Janar – Shtator 2023.

Konferenca u hap nga znj. Albulena Nrecaj, Drejtore Ekzekutive në INPO, e cila ka shpjeguar metodologjinë e raportit të monitorimit të kuvendit. Tutje, znj. Nrecaj potencoi se qëllimi i këtij raporti synon të ketë një qasje vlerësuese të aspekteve përmbajtësore të seancave, debatit, angazhimit të anëtareve të kuvendit për të adresuar problemet e qytetarëve dhe sfidat e kohës, si dhe qasjen e ekzkutivit të komunës ndaj kuvendit komunal.

Tryeza vazhdoj me publikimin e raportit nga z. Valmir Ilazi, Hulumtues në INPO i cili theksoj se organizata INPO edhe këtë vit ka bërë monitorimit e Kuvendit Komunal të Ferizajt, dhe i ka publikuar në një raport ku pasqyrohen karakteristikat e secilës mbledhje veç e veç duke fokusuar në debatin e zhvilluar dhe mënyrën e vendimmarrjes me qëllim që gjithësecili lexues i raportit ta krijojë vetë një vlerësim për punën nëntëmujore të Kuvendit. Në raport janë të përfshirë vetëvlerësimet e anëtarëve të kuvendit për punën e tyre, respektivisht shefave të tri partive politike më të mëdha të përfaqësuara në kuvend dhe të dy pjesëtarëve të shoqërisë civile për punën e Kuvendit Komunal të Ferizajt dhe për cilësinë e debatit publik lokal në përgjithësi, e atij politik në veçanti.

z. Ilazi theksoi se Kuvendi Komunal i Ferizajt gjatë periudhës janar-shtator 2023 i ka mbajtur dhjetë seanca, nëntë prej tyre të rregullta, një të jashtëzakonshme dhe asnjë solemne, me të cilat do të mund të nderoheshin përvjetorë ngjarjesh historike, apo personalitete të gjalla e të ndjera për rolin e tyre në shtet-ndërtimin e Republikës së Kosovës a për zhvillimin e Ferizajt, që sivjet po shënon 150-vjetorin e themelimit. Në këto seanca, kuvendarët i kanë marrë gjithsej 46 vendime. Prej tyre, INPO i ka kategorizuar 17 sosh si “Të tjera”, pasuar me 13 vendime për “Dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të ponës komunale”, 8 vendime të fushës “Financiare”, 5 si “Plane e rregullore”, 2 si “Thirrje e rekomandime” dhe 1 “Rregullore”. Tutje, konsiderohet se Kuvendi nuk ka marrë ndonjë vendim që vlerësohet a përceptohet nga shoqëria civile dhe opozita se ka ndikuar theksueshëm në jetën e përditshme të qytetarëve.

z. Ilazi shtoi të gjeturat se: Seancat e Kuvendit Komunal, edhe pse ligjërisht është e obligueshme, nuk transmetohen drejtpërdrejt e as nuk janë të postuara në faqen zyrtare të Komunës së Ferizajt. Është shpërndarë në faqen e Komunës së Ferizajt në Facebook linku vetëm gjatë seancës së rregullt të fundshtatorit. Në Kuvend asnjëhërë nuk është diskutuar rreth përmbushjes së objektivave zhvillimore komunale sipas Planit Zhvillimor Komunal 2017-2025, Ekzekutivi i Komunës asnjëherë prej miratimit të Planit Zhvillimor Komunal, nuk ka hartuar raportet vjetore ligjërisht të obligueshme, të cilat pasqyrojnë progresin dhe sfidat e implementimit të këtij Plani. Anëtarët e Kuvendit nuk kanë insistuar asnjëherë që ekzkutivi të raportojë për këtë çështje në Kuvend. Koalicioni me shumicë bindëse në Kuvend ia ka mundësuar pushtetit që të zbatojë planet e veta pa përfillur shpesh edhe procedurat e detyrueshme ligjore, si njoftimet e nevojshme sipas afatit kohor ligjor, pa ua ofruar anëtarëve materialet e mbledhjeve në format elektronik apo fizik para disa seancave, pa shqyrtuar ankesat e kuvendarëve për miratim të procesverbaleve pavarësisht dyshimeve për ndryshim përmbajtësor të fjalimeve e diskutimeve të tyre, si dhe ka pasur raste kur i njëjti vendim është votuar në seanca të ndryshme për shkak të kontestimit të ligjshmërisë nga Ministria e Administrimit dhe e Pushtetit Lokal (MAPL). Kuvendi Komunal i Ferizaj, seancën e parë sivjet e ka mbajtur pa e pasur të hartuar e të aprovuar Planin vjetor të punës. Dhënia për shfrytëzim afatgjatë e ngastrave dhe këmbimi i pronave komunale dominojnë vendimet e seancave të Kuvendit Komunal, pavarësisht dyshimeve të ngritura nga shoqëria civile e opozita për ligjshmërinë e kontetsuar. Madje, opozita e akuzon Kuvendin Komunal se kështu po “legalizon uzurpimin” e pronave komunale. Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, injoron shumicën e seancave të Kuvendit Komunal, duke marrë pjesë vetëm në ato që e ka obligim ligjor të raportojë, apo kur kërkohet mbështetja e kuvendarëve për aprovimin e dokumenteve të detyrueshme. Edhe shumica e drejtorëve mungojnë në shumicën e seancave, duke u paraqitur vetëm atëherë kur ka ndonjë pikë të rendit të ditës të lidhur direkt me drejtorinë e tyre. Shumica në Kuvendin Komunal të Ferizajt nuk i ka mbështetur kërkesat e opozitës që ndërmarrjet komunale t’u raportojnë kuvendarëve sipas afateve ligjore.

Ilazi rekomandon që Kuvendi Komunal i Ferizajt duhet të ndryshojë thelbësisht mënyrën e funksionimit, me qëllim që të merren seriozisht kërkesat dhe shqetësimet e ngritura jo vetëm nga anëtarët e kuvendit, por edhe grupet e ndryshme të interesit dhe qytetarët. Të kujdeset që para vitit 2024 ta ketë të hartuar e të aprovuar Planin vjetor të punës për vitin e ardhshëm. Kuvendi Komunal i Ferizajt duhet t’i transmetojë të gjitha seancat drejtpërdrejt, por edhe t’i ketë të postuara në uebfaqen zyrtare të Komunës së Ferizajt, që qytetarët dhe grupet e ndryshme të interesit të kenë qasje të lehtë dhe të përhershme në to, sepse këtë shërbim e ka detyrë ligjore administrata e Kuvendit. Kuvendarët ferizajas duhet të ngrehin zërin për mënyrën sesi u dorëzohen propozim-vendimet për këmbimin dhe dhënien në shfrytëzim afatshkurtër e afatgjatë të ngastrave të Komunës së Ferizajt. Kryetari dhe drejtorët e kabinetit të tij duhet të marrin pjesë rregullisht në mbledhje të Kuvendit Komunal për shkak se duhet të japim sqarime për propozim-vendimet e ekzekutivit. Ndërmarrjen publike komunale e kanë detyrim ligjor që t’u raportojnë kuvendarëve për mënyrën e funksionimit të kompanive të tyre. Kuvendi Komunal i Ferizajt duhet të jetë më aktiv për ngritjen e gatishmërisë së qytetarëve për pjesëmarrje në dëgjime e konsultime publike. Kuvendi Komunal i Ferizajt duhet t’i publikojë me kohë të gjitha materialet në uebfaqen e Komunës së Ferizajt. Kuvendi Komunal duhet të mbajë mbledhje solemne për përvjetorë të rëndësishëm të vendit dhe të komunës.

Pas përfundimt të prezantimit të raportit, tryeza u hap nga znj. Nrecaj, në të cilën Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Ferizajt z. Xhavit Zariqi, përshëndet të pranishmit, dhe falenderoj organizatën për përpilimin e raportit. Gjithashtu ndër të tjerash përmend faktin që Ndërmarrjet Komunale kanë raportuar në Kuvend, ka mundur të vonohet raportimi por kanë raportuar

Tutje z. Zariqi, lidhur me gjetjen e INPO-s, deklaroj se është e vërtetë se kuvendi ka filluar mbledhjen e parë dhe të dytë të rregullt pa plan të punës por megjithatë është vetëm një dokument, dhe kuvendi ka vazhduar punën në mënyrë të rregullt.

z. Arian Imeri, Anëtar i Kuvendit Komunal të Ferizajt nga Partia Demokratike e Kosovës, theksoj se është e vërtetë që kemi filluar pa plan vjetor. Për tatimin në pronë ka qenë iniciative e Opozitës dhe kemi nxjerrur një rekomandim për Ministrinë e Financave. Për çështjen e raportimit të ndërmarrjeve komunale kemi propozuar që të diskutohet pas raportit të auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit, andaj edhe është shtyer.

z. Imeri theksoj se subvencioni i ndërmarrjes, është problem i krijuar më herët dhe tash e kemi një vendim gjykate ndaj të cilit ne kemi obligime si Komunë. Sa i përket dëgjimeve buxhetor është e vertët që pjesëmarrja e qytetarëve është e vogel, andaj edhe kjo duhet të merret më seriozisht në të ardhmen.

z. Brahim Osmani, Anëtar i Kuvendit Komunal të Ferizajt nga Lëvizja Vetëvendosje theksoj se Plani vjetor është i vitit të kaluar. I njëjti përmend faktin se qasja e ekzekutivit është arrogante, dhe nuk ka raportuar para Kuvendit asnjë drejtor.

z. Osmani theksoj se është viti i dytë pa transmetim live të seancave të kuvendit dhe se tash nuk ka as interesim të qytetarëve për pjesemarrje në degjime buxhetore. Kërkesat tona si opozitë nuk janë marrur parasysh, ngase mungojnë drejtorët dhe nuk marrim përgjigje pothuajse asnjëherë. I njëjti potencoi faktin se ekzekutivi ka rialokuar mjete ne vlerë 600 mijë euro pa aprovim nga Kuvendi Komunal. Tutje potencoi se kryetari vjen vetëm ne seancat që është i obliguar dhe se ndërmarrjet publike i kanë bordet të jashtigjshme sepse janë politike.

z. Lulzim Aliu, Nënkryetarë në Komunën e Ferizaj theksoj se pajtohem për vrejtjet konstruktive të bëra në raport. I njëjti replikoj z. Osmani se bartja e mjeteve nuk është vepër penale dhe se kemi problem serioze me kontraten kolektive.

z. Aliu theksoj se subvecionimi i ndërmarrjeve ka ndodhur edhe më herët. Gjithashtu në lidhje me mos raportimin nga drejtorët e drejtorive, shtoi se raportimi nga drejtorët do të ishte mirë të bëhej por nuk është e lehtë dhe nuk është e obliguar me ligj.

z. Flamur Istrefi, Anëtar i Kuvendit Komunal të Ferizajt nga Lidhja Demokratike e Kosovës, shtoi se titulli i raportit është përfekt, ngase përberja e Kuvendit është e tillë që kuvendi është në dispozicion të ekzekutivit.

z. Istrefi theksoj se Kuvendi Komunal është kthyer në votim mekanik duke e vërë në rëndësi edhe faktin se Plani i Punës nuk është bërë me kohë. Tutje shtoi se Buxheti nuk është gjithpërfshirës dhe se kemi bllokuar këmbimin e disa pronave në KPF. Shqetësimet e ngritura tek pika të ndryshme nuk marrim përgjijgjje pothuajse fare. Si LDK kemi qenë konstruktive, kemi kundërshtuar vendime dhe kemi dhënë propozime.

z. Kenan Gashi, Drejtor Ekzekutiv i rrjetit të OJQ-ve AVONET, shtoi se si kuvend kanë përgjegjësi ligjore, duke përmendu faktin se ka probleme të mëdha që nuk janë trajtuar asnjëherë në kuvend, anëtarët e kuvendit nuk janë të përgjegjshëm, e nuk janë aq aktiv për të adresuar problemet e komunitetit. Shoti faktin se ka ridestinim të mjeteve të cilat janë jo ligjore dhe se kemi mungesë të disa dokumenteve të planifikimit hapsinor.

z. Gashi, potencoi faktin se shqetësuese mbetet organizimi i tubimeve publike pa pjesëmarrje të qytetarëve, dhe se ka mugesë vullneti nga Komuna për përfshirje më të madhe në vendimmarrje. Gjithashtu se komuna ka padi të ndyshme për heshtje administrativ.

z. Albion Sherifi, Shef i Kabinetit të Kryetarit të Komunës, nuk u pajtua me raportin vlerësues të INPO-s, duke shtuar se raporti është subjektiv. I njëjti në diskutim rreth mbledhjës së tetë të rregullt, mbajtur më 31.08.2023, pretendimi për devijimin e vijave kuzifuese të një parcele në fshatin Zaskok komentoi rreth deklarimit të kryesuesit z. Zariqi, se “Këtu diçka është përzi, kush e ka përzi, unë nuk e di”, z. Sherifi, shtoi se rreth çështjes së pronave, nuk pajtohet me fjalën “dyshime” sipas tij ky nuk është dyshim por është kërkesë për sqarim.

Tryeza u përmbyll nga znj. Nrecaj, duke i falenderuar të pranishmit për kontributin në tryezë dhe duke shpjeguar edhe njëherë metodologjinë pasi për disa të pranishmit nuk ishte e qartë. Nga leximi i shpejtë nuk mund të kuptohet qartë analiza e këtij raporti, por thuhet edhe në metodoogji që është i hatruar mbi bazën e vlerësimeve të autorit, dhe duke u bazuar në procesverbale të Kuvendit Komunal.

znj. Nrecaj shtoi se raporti shpjegohet në metodologji dhe se është një vlerësim i debatit dhe nuk mund të bëhet me indikator matës, ky raport i trajton aspektet deklerative brenda Kuvendit Kuvendit Komunal të Ferizajt.

Raportin e gjeni duke klikuar KËTU.