Mos pastrimi i borës në rrugë dhe trotuare të Prishtinës vë në sprovë komunën.
26/01/2012Prishtinë, 26 janar 2012 –Bora e rënë ditëve të fundit përveç problemeve tjera, po shkakton vështirësi të mëdha në qarkullimin e lirë të njerëzve në kryeqytet, në të gjitha format e tij: shumica e rrugëve janë në gjendje të mjerueshme, me vështirësi të qarkullimit për vetura, trotuaret dhe shkallët publike të papastruara dhe të cilat paraqesin rrezik potencial për shëndetin e qytetarëve të Prishtinës; zonat rurale poashtu rrezikohen të bllokohen fare, ngaqë Komuna e Prishtinës dhe kompanitë përgjegjëse për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve po tregohen të pa-afta për të menaxhuar një situatë të pritur dhe të parashikuar.
Kompanitë “Pastrimi”, “Toifor” dhe “Zahiri” marrin afër 900 mijë euro në vit nga paratë e taksapaguesve të Komunës së Prishtinës për mirëmbajtje të rrugëve dhe trotuareve. Mirëpo përkundër kësaj shume marramendëse, këto kompani nuk po arrijnë të përmbushin obligimet e tyre kontraktuale që të sigurojë qarkullim të lirë dhe të sigurtë për qytetarët në rrugë dhe trotuare.
Është për të ardhur keq që komuna më e madhe në vend që është dhe Kryeqyteti i Kosovës dhe kompanitë përgjegjëse nuk janë në gjendje të përballen në mënyrë efektive me një fenomen natyror siç është rënja e borës, që përveç se ka qenë e pritur ka qenë dhe e parashikuar.
Kërkojmë nga Komuna e Prishtinës, Drejtoria e Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit në veçanti, që të mobilizohet dhe të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për lirimin dhe pastrimin e rrugëve dhe trotuarëve për qytetarët.
Kërkojmë nga kompanitë e kontraktuara që të përmbushin obligimet e tyre kontraktuale dhe për të cilat paguhen nga paratë publike dhe të pastrojnë rrugët, trotuaret dhe shkallët publike të kryqytetit.
Kërkojmë gjithashtu nga Komuna e Prishtinës që të mbajë përgjegjëse kompanitë në rast se ato nuk përmbushin obligimet e tyre të specifikuara me kontratat respektive.