MOS INFORMIMI PER MBAJTJEN E MBLEDHJEVE NË KUVENDIN KOMUNAL
20/02/2013“Mos njoftimi për mbledhjet e KK të Prishtinës si dhe me rendin e ditës gjatë vitit 2012, ka rezultuar me mospjesëmarrjen e asnjë qytetari në 12 mbledhjet e mbajtura në kuvendin e komunës”.
Prishtinë, 20 Shkurt 2013 – Mos njoftimi për mbledhjet e KK të Prishtinës si dhe me rendin e ditës gjatë vitit 2012 ka rezultuar me mospjesëmarrjen e asnjë qytetari në 12 mbledhjet e mbajtura në kuvendin e komunës. Dhe mbi gjitha INPO vlerëson së mos njoftimi është shkelje e ligjit për vetë qeverisje lokale dhe normave tjera ligjore që obligojnë Asamblenë që ti bëjë publike njoftimet. Duke iu referuar ligjit për vetëqeverisje lokale, përkatësisht neni 45 paragrafi 45.1 ku thotë: “Takimet e kuvendit të komunës dhe të gjitha komisioneve të tij janë të hapura për opinionin. Anëtarëve të publikut u lejohet pjesëmarrja në takime të kuvendit të komunës”.
Ndërsa, statuti i komunës si akt nënligjor e obligon komunën e Prishtinës që të informoj publikun për mbajtjen e mbledhjeve. Neni 38 paragrafi 38.4 thekson se kuvendi i komunës, përmes zyrtarëve të drejtorisë së administratës, njofton publikun për mbajtjen e mbledhjeve të rregullta, në pajtim me Rregulloren e punës, përmes: shpalljeve publike në vendet më të frekuentuara brenda territorit të komunës, mediave të shkruara dhe elektronike dhe ueb – faqes së komunës.
Kurse paragrafi 38.5 thekson se njoftimi me shkrim për publikun, duhet të përmbajë: datën e mbajtjes së mbledhjes, kohën e mbajtjes së mbledhjes, vendin e mbajtjes së mbledhjes, rendin e ditës, materialet e mbledhjes dhe të dhënat e tjera.
Të vetmin njoftim që bënë komuna e Prishtinës, është publikimi në ueb-faqen e saj zyrtare edhe atë një ditë përpara, ku tregon se nesër do të mbahet mbledhja e rregullt e kuvendit komunal, pa i cekur fare pikat e rendit të ditës. Konsiderojmë se mos njoftimi për mbledhjet e KK Prishtinës si dhe me rendin e ditës gjatë vitit 2012 ka rezultuar me mospjesëmarrjen e asnjë qytetari në 12 mbledhjet e mbajtura në kuvendin e komunës.
Prandaj INPO me anë të kësaj komunikate i bënë thirrje komunës së Prishtinës, të jetë më transparente përballë qytetarëve të saj. Kurse sa i përket njoftimit të publikut, për mbledhjet e rregullta të kuvendit të komunës, INPO kërkon nga komuna e Prishtinës të respektoj statutin të cilin vetë e ka miratuar si dhe ligjin për vetëqeverisje lokale.