Mbledhja e Jashtëzakonshme e Kuvendit të Komunës së Ferizajt e jashtëligjshme

30/06/2015

Ferizaj, 30 Qershor 2015- Mbledhja e djeshme e jashtëzakonshme e Kuvendit të Komunës në Ferizaj, e cila dështoi në mungesë të kuorimit, për shkak se anëtarët e Kuvendit braktisën mbledhjen në shenjë proteste kundër procedimit të rendit të punës së Kuvendit dhe tentimi për vazhdimin e saj sot, nuk është e ligjshme dhe gjithashtu është në kundërshtim me parimet demokratike dhe të qeverisjes së mirë.

Thirrja e mbledhjes së jashtëzakonshme nga ana e Kryetarit të Komunës, e cila thirrje i është përcjellur anëtarëve të Kuvendit dhe publikut përmes Kryesuesit të Kuvendit, nuk i ka plotësuar kushtet që të cilësohet si mbledhje e jashtëzakonshme, duke pasur parasysh se pikat e rendit të ditës të cilat kanë qenë të propozuara për diskutim në Kuvend nuk kanë qenë të natyrës urgjente apo çështje të ngutshme të një interesi të veçantë publik. Mbledhjet e jashtëzakonshme sipas praktikave parlamentare, thirren për të trajtuar ndonjë çështje urgjente apo të ngutshme me interes të veçantë publik, në rast se çështje të natyrës së tillë janë paraqitur në kohën midis dy mbledhjeve të rregullta të Kuvendit.

Kjo mbledhje e jashtëzakonshme sipas natyrës së rendit të punës është dashur të trajtohet dhe të thirret përkitazi më standardin e mbledhjeve të rregullta të Kuvendit duke e respektuar edhe vendimin e Kuvendit për caktimin e orarit të mbledhjeve të Kuvendit të Komunës së Ferizajt për vitin 2015. Sipas këtij vendimi, mbledhja e rregullt e Kuvendit të Komunës, e gjashta me radhë, është përcaktuar të mbahet me 25 Qershor 2015, të cilën mbledhje Kryesuesi i Kuvendit së bashku me ekzekutivin e komunës kanë dështuar ta organizojnë.

Arsyeshmëria se kjo mbledhje e jashtëzakonshme është thirrur për shkak të shqyrtimit dhe miratimit të Korrnizës Afatmesme Buxhetore 2016-2018, është e papranueshme, duke pas parasysh se Komuna ka qenë në dijeni se në mbledhjen e muajit Qershor, Kuvendi i Komunës duhet të shqyrtoj dhe miratoj këtë dokument strategjik tepër të rëndësishëm, i cili përcakton objektivat zhvillimore për tri vitet e ardhshme të Komunës.

Vonesa dhe papërgjegjmëria e ekzekutivit të komunës që të përfundoj me kohë përgatitjen e këtij dokumenti nuk e përmbushë kriterin e thirrjes së seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, me ç’rast procedohen edhe propozim vendimet e tjera për Kuvend, siç është propozim vendimi për dhënien me qira të lokaleve afariste, propozim vendimi për dhënien e dekoratave dhe propozim vendime të tjera të cilat nuk janë çështje të rëndësisë së veçantë. Inkorporimin e këtyre propozim vendimeve në rend të ditës për seancë të jashtëzakonshme, INPO e konsideron shantazhues dhe imponues duke pas parasysh se sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale Nr.L03/040 neni 44 pika 44.3 ndalon ndryshimin e rendit të ditës gjatë mbledhjes, të cilin veprim e kundërshtuan edhe anëtarët e Kuvendit nga radhët e opozitës dhe braktisën seancën në shenjë pakënaqësie, dhe si pasojë e mungesës së kuorumit seanca dështoi të mbahet.

Tutje, vendimi i Kryesuesit të Kuvendit që mbledhja e jashtëzakonshme të vazhdohet sot është i jashtëligjshëm, pasi një ditë më parë e njëjta mbledhje pikërisht për shkak të natyrës së rendit të ditës ka dështuar të mbahet, pasi sipas nenit 44 pika 44.3 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, ndryshimi i rendit të ditës nuk është i mundur në punimet e seancave të jashtëzakonshme. Në këtë drejtim, ekzekutivi i komunës, e ka shfrytëzuar këtë nen të ligjit për Vetëqeverisjen Lokale për të imponuar diskutimet në punimet e Kuvendit, duke qenë e vetëdijshme se këto pika kontestuese për këtë mbledhje nga ana e opozitës do të mund të kalojnë, pasi koalicioni qeverisës në komunë ka shumicën e votave në Kuvend.

INPO i vlerëson të ulëta veprimet e ekzekutivit dhe kryesuesit të Kuvendit që të përdoren metoda të tilla për të imponuar vendimmarrjen në Kuvend pa një debat gjithpërfshirës, konstruktiv dhe transparent. Andaj, INPO i bën thirrje publike Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), që të ndërrmerrë masat e nevojshme për të siguruar zbatimin e ligjeve të cilat e rregullojnë funksionimin e Kuvendit të Komunës dhe kërkon nga ekzekutivi dhe anëtarët e tjerë të Kuvendit që të jenë të përgjegjshëm në përmbushjen e obligimeve dhe detyrave të tyre publike.