Mbledhja e Jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal në Ferizaj-Rishikimin e buxhetit për vitin fiskal 2013

11/06/2013

Raport nga Monitorimi KK Ferizaj

11.06.2013

Mbledhja e Jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal në Ferizaj-
Rishikimin e buxhetit për vitin fiskal 2013

Me rishikimin e buxhetit futen edhe tri projekt-propozime të cilat do të fillojnë të implementohen gjatë këtij viti fiskal. Ai për Uniformat Shkollore të ciklit të mesëm që do të blihen nga Komuna e Ferizajt, Shërbimet Mortore për qytetarët ferizajas si dhe blerja e Nanogramit gjatë gjashtë mujorit të dytë i cili do të vendoset në Spitalin e Ferizajt, kërkesë kjo e bërë nga Forumi i Grave.
Grupi Parlamentar i LDK-së kërkoi që Rishikim i Buxheti të mos votohet, me shumicë votash unanime kalon Rishikimi i buxhetit për vitin fiskal 2013duke përfshirë edhe këshilltarët e LDK.
Kryetari i Komunës në fjalimin përfundimtarë u dha leksion këshilltarëve komunal për debatet konstruktive e jo debate me spekulime politike!

Me datë 11 Qershor 2013 u mbajt Mbledhja e Jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal në Ferizaj.

Pikat e rendit të ditës ishin:

1. Konfirmimi i pjesëmarrjes në seancë:

Z.Xhavit Zariqi , hapi mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal Ferizaj, duke thënë se ka qenë kërkesë urgjente e ekzekutivit për arsye se Propozim-Vendimi për Rishikimin e buxhetit për vitin fiskal 2013, ku duhet të dërgohet më 12 qershor 2013. Ai përshëndeti të pranishmit në sallë dhe njoftoi se të gjithë asambleistët kanë konfirmuar pjesëmarrjen dhe të gjithë ishin të pranishëm.

2. Miratimi i rendit të ditës:

Rendi i ditës u miratua pa ndonjë ndryshim.

3. Propozim-Vendimi për Rishikimin e buxhetit për vitin fiskal 2013:

Kryesuesi hapi debatin për këtë pikë të rendit të ditës duke i dhënë fjalën kryetarit të komunës z.Agim Aliu. Kryetari përshëndeti të pranishmit dhe njoftoi se kanë hyrë dy projekte të reja ai për Paisjet e nxënësve me Uniformat Shkollore dhe Pagesat e Shërbimeve Mortore. Ai tha se edhe pse kemi një afat të shkurtër kohor për këtë proces,ekzekutivi ka arritur të analizoj buxhetin e komunës në të gjitha programet e tija,dhe të vijë në përfundim që t’i propozoj Kuvendit të Komunës plotësim-ndryshimet e bugjetit për vitin 2013.
“Ajo që vlen të theksohet për këtë plotësim-ndryshim të buxhetit të vitit 2013 është propozimi për rritjen e buxhetit të Komunës për vlerën 300 mijë euro”-theksoi Kryetari i komunës,z.Aliu.
Bekim Ademi tha se sa u përket projekteve është bërë një punë e mirë dhe se propozimet e reja nga kryetari për uniforma të nxënësve dhe shërbimet mortore duhen të përshëndeten për të mirë. Ndërsa sa u përket projekteve të planeve rregulluese tha se kemi të bëjmë me shuma të mëdha. Por sa i përket heqjes së projektit të tualeteve publike te parku i Lirisë nuk është dashur të hiqet duke u ditur frekuentimi i asaj zone.
Nga radhët e LDK-së, z.Faruk Guri tha se ne kemi marrë një material akut dhe shumë të ngutshëm sepse është dashur të jetë në mënyrë më përmbajtësore dhe sa u përket projekteve janë vetëm për përmbushjen e kontratës.
Projekti i shtrimit të asfaltit prej Policisë deri tek ETC,është dashur të vazhdohet e jo të hiqet si projekt ndërsa dy projektet e propozuara nga Kryetari i Komunës është dashur të jenë më herët. Tek programi bugjetor shërbimet publike dhe emergjence prej 200.00 euro,ku ne e dimë që mjetët të cilat kanë qenë të parapara janë mjete për shërbime të zjarrfikësve dhe ne deri më tani nuk jemi njoftuar prej drejtorisë përkatëse se çka ka ndodhur deri më tash me këtë shërbim të zjarrfikësve ku thuhet se nuk e ka marr në menaxhim ministria ku ne kemi informata se në disa komuna është në menaxhimin e ministrisë. Ndërsa në fund z.Guri e fton kuvendin që mos ta jap pëlqimin për Rishikimin e Buxhetit për vitin fiskal 2013.
Z.Ymri Hashani theksoi se kemi zvoglime të projekteve prej 48 deri në 60 % dhe kërkoi nga drejtoria që të dihet se a ka kaluar faza e prokurimit. Ai po ashtu ceku se kanalizimi “Mehmet Gradica” është projekt që është dhënë dy herë dhe nuk përputhen të dhënat sepse ka dallime të mëdha në mes materialit që kemi dhe asaj që është thënë.
Z.Ramadan Baliu tha se rishikimi i buxhetit bëhet për projekte të reja dhe në anën tjetër shtroi kërkesën se në këto 45 mijë euro a do të ketë mjete për arsimtarët të cilët më shumë se një vit po punojnë pa pagesë. “Edhe pse kam kërkuar në seancat e tjera për Urën në fshatin Bibaj nuk është futur në projekt edhe pse nuk kanë ujësjellës dhe janë më ujë të papijshëm dhe po kjo gjendje është edhe në fshatin Manastirc”-tha ndër të tjera z.Baliu.
Po ashtu kërkoi edhe sqarime për projektin e ri për uniformat shkollore, ku tha se a është për të gjitha nivelet e shkollave apo për nivele të ndara?.
Z.Rafiz Sejdiu tha se më shumë kemi qenë të koncentruar te bugjetet e reja dhe se dy propozim-projektet nga ana e kryetarit i quan të domosdoshme,ndërsa rritjen e të hyrave vetanake rreth 300 mijë euro e cilëson si të mirë dhe kërkon që të votohet pro rishikimit të buxhetit.
Nga Forumi i grave,znj.Tevide Ymeri u’a rikujtoi kërkesën për nanogramin që të futet në projekt buxhet.
Z.Asllan Kryeziu e sheh të arsyeshme rritjen e vlerave në disa kategori dhe propozimet e projekteve po ashtu i vlerëson si të arsyeshme dhe kërkoi më shumë sqarim për shërbimet mortore.
Kërkesën për nanogram e përkrahu edhe z.Esat Shatrolli duke thënë se me rastin e shqyrtimit të bugjetit të futet ky projekt-propozim.
Z.Abdullah Hoxha tha se është afat shumë i shkurtër nga financat që të shqyrtohet deri me datë 12 qershor,mirëpo kërkoi aprovimin e këtij projekt-buxhetit.
Z.Medain Hashani tha se rishikimi i buxhetit që u parapa ka efikasitet në tejkalimin e të hyrave vetanake dhe nuk la anash pa cekur se projektet të cilat janë si rezultat i përmbushjes së kontratës duhet të kryhen në afat të caktuar. Ndërsa sa i përket projektit prej Policisë deri tek ETC ai tha se është hequr ngase pengonte komunikacionin për Prishtinë,duke ditur se lidhet ajo rrugë. Përderisa ai zbuloi një marrëveshje e cila do të nënshkruhet nga Ministria e Infrastrukturës dhe kryetarit të komunës së Ferizaj z.Agim Aliu, për dy rrugë me katër korsi ajo “Ibrahim Ademi” dhe “Driton Islami”.
Z.Sahit Krasniqi tha se për Rishikimin e Buxhetit është një çështje madhore si për kuvendarët ashtu edhe për qytetarët,ndërsa neve brenda 5 -6 dite na janë ndërruar 3 herë letrat. Ai theksoi se nuk ka mundësi që për 5 muaj të kryhen punët dhe të mbesin mjete të lira dhe se edhe pse kemi marrë vendim të hiqen taksat e biznesit tash janë 150 mijë euro në rishikim nga taksat për biznese. Ai gjithashtu tha se në një gazetë të cilën ai e mbante në çantë në të shkruan se Ferizaj prin për shpëlarje parash se janë 10 ankesa në OSHP nga operatorët ekonomik.
Z.Adem Sejdiu tha se kjo seancë nuk është dashur të thirret si seancë e jashtëzakonshme dhe se projektet disa zvogëlohen disa hiqen total duke u hequr si vlera të lira ku e gjithë kjo tregon se nuk është bërë planifikim i mirë i buxhetit nga drejtoritë. Ndërsa sa i përket projektit për shërbime mortore ai tha se nuk mjaftojnë vetëm 20 mijë euro,kësaj shume duhet tu shtohen edhe 10 mijë euro të tjera. Ai theksoi si qështje se kanë hasur në disa familje,ku Drejtoria e Financave u’a paguan qiranë. Edhe pse kanalizimi në fshatin Gaçkë nuk është kryer ,në letra thuhet se kjo punë ka përfunduar ,duke mos lënë pa cekur rrugën Doganaj-Zaskok ku kërkon të riasfaltohet e jo të mbushen gropat.
Pas tërë këtyre diskutimeve Mbledhja e KK ndërpritet për shkak të zbulimit të dy pllakave përkujtimore për ndër të ditës së Çlirimit të Ferizajt.
Pas kësaj pauze asambleistët u kthyen në mbledhje dhe fjalën mori z.Ylber Topalli, i cili tha se rishikimi i buxhetit i ka konturat e veta dhe se kemi rritje të të hyrave vetanake dhe lexoi rregulloren për të hyrat e biznesit. Ai tha se gazetat nuk duhet të jenë burim informacioni, por janë dokumentet të cilat duhet bërë verifikimi. Ai theksoi se nga viti 2012 ka pasur 8 ankesa në OSHP vetëm 1 është kthyer pozitivisht si e detyrueshme për tu zbatuar.
Z.Sahit Krasniqi doli duke kundërshtuar se nuk janë 8 aneksa por 10, dhe se ai vetëm ka cituar atë se qfarë është thënë në gazetë. Për këtë qështje erdhi edhe replika nga z.Ylber Topalli duke thënë se asambleistët duhet ta kenë një kod dhe të mos përdoren burime të jo natyrës njerëzore dhe se burim dhet të jenë dokumentet zyrtare. Ndërsa z.Krasniqi tha se çdo anëtarë i kuvendit ka të drejtë të informohet nga të mundet dhe theksoi se ka kërkuar disa herë planin për Prokurim dhe nuk e kanë marrë asnjëherë duke iu thënë se është sekret.
Z.Faruk Guri tha se nuk ka pasur asnjë vërejtje sa u përket projekteve nga partitë në pushtet.
Z.Adem Sejdiu tha se në këtë pauzë që u mbajt për nder të zbulimit të dy pllakave është dashur të sjellet kontrata e punës për shkollën e fshatit në Greme sepse është e vetmja shkollë në rrethinë të Ferizajt që punon më 3 ndërrime. Ai theksoi se edhe Zyrja e Vendit në Gaçkë është në gjendje katastrofale,ndërsa thuhet se 27mijë euro ka kushtuar renovimi ,por sikur të shkonte ndonjë komision ta sheh se çfarë renovimi i dobët është bërë aty.
Z.Rafiz Sejdiu për punën e kontratave tha se nuk mund ta sjellin në kuvend.
Z.Fatmir Azizi tha se kemi kërkuar sallën sportive në shkollën “Tefik Çanga”
Znjsh.Miradije bëri kërkesë për Shëndetësi dhe Mirqenie Sociale ku tha të shikohet lista e projekteve se cilat projekte kanë më shumë përparësi sepse nuk është paraparë aspak në planifikimin e buxhetit në Shëndetësi dhe ndër të tjera kërkoi shumën minimale prej 30 mijë euro për personat me nevoja të veçanta.
Kryesuesi i kuvendit,z.Xhavit Zariqi tha se u politizua tej mase pa asnjë arsye dhe se ky buxhet ka anë pozitive për ngritje të viti 2013 prej 300 mije euro dhe theksoi se do të duhej debat për projekte të reja. Mbi 1 milion euro jemi duke paguar borgje dhe se nuk kemi të bëjmë me projekte të reja por me larje borxhesh.
Drejtori i Ekonomisë Financave dhe Buxhetit z.Mustafë Grainca, theksoi se u tha shumë jashtë domenit dhe se kemi ardhur në përfundim të rishqyrtojmë buxhetin për të shtuar më tejë angazhimet dhe shërbimet në dobi të qytetarëve dhe se do kemi 21 milionë e 50 mijë buxhet për këtë vit. Ndërsa e quan si të drejtë heqjen e taksave nga ana e Kryetarit dhe theksoi se AKP-ja ndaj Komunës ka mbi 1 milion euro të cilat para do të derdhen në llogarinë e komunës. Ai po ashtu u bëri të ditur se do të paisen me uniforma vetëm nxënësit e shkollave të mesme dhe aparati nanogram do të paguhet nga linja ”Paisje mjekësore” dhe do të blihet në 6 mujorin e dytë të vitit 2013.
Sipas Drejtorit të Drejtorisë për Planifikim Zhvillim dhe Rindërtim z.Ardian Ferizit, ai tha se ne kemi krijuar komision prej 3 fshatrave që komuna të mund të intervenojë,derisa të arrijmë në mënyrë të tërësishme të tejkalohen këto probleme. Ndërsa sa u përket informatave për projektet të gjitha ato mund t’i gjeni në faqen zyrtare të KRPP-së.
Po ashtu theksoi së në muajin qershor fillon hartimi i projektit dhe fizibilitetit të ujrave të zeza. Ndërsa për kërkesën për sallën e sportit në shkollën fillore “Tefik Çanga”tha se ky projekt të zbatohet vitin e ardhshëm,duke besuar se do të ketë ngritje në buxhetin për Arsim.
Z.Ymri Hashani th se unë kërkova përgjigjjen për borxhe a ju kemi operatorëve ekonomik dhe nuk morra përgjigjje. Cila është e vërteta për projektin ndërtimi i shtëpive për raste sociale dhe ndërtimi i një ure në Koshare,ku këto projekte i kemi zvogëluar edhe para 1 muaji në kuvend dhe ju i keni zvogëluar edhe sot. Materiali që na e keni dhënë sot nuk tregon se këto projekte janë zvogëluar edhe para 1 muaji,ndërsa sa i përket kanalizimit në Pojatë është paguar dhe i kemi borgj 911 euro sipas të dhënave që ju gjithëherë thoni duhet ti shikoni të dhënat që i japim ne, ndërsa ju e keni paraqit si 9000 euro .
Shefi i Grupit Parlamentar nga LDK-ja z.Faruk Guri, tha se ju keni mbetur borxh anëtarëve të kuvendit. Por edhe në këtë vit do të jetë gjendje e njejtë dhe se këto mbetje që janë të lira kanë qenë për paga dhe meditje. Sa i përket Rishikimit të Buxhetit ai theksoi se për këtë rishikim më mirë do të ishte të jenë me projekte të reja,projekte me të dobishme për qytetarë e jo vetëm me përmbushje të kontratave. E mira është pagesa mortore e cila është dashur të jetë edhe më parë,po ashtu edhe për uniforma të nxënësve sepse fatëkeqësisht ne si prind i kemi paguar ato uniforma dhe i kanë mbajtur vetëm 2 apo 3 ditë. Edhe pse përkundër shumë mangësive se ky Rishikim Buxheti,nuk e meriton të votohet,por ne si Grup Parlamentar do ta votojmë theksoi ndër të tjera,z.Guri.
Ndërsa sa u përket borxhit të anëtarëve të Kuvendit,Kryesuesi i Kuvendit,z. Xhavit Zariqi tha prej se ai është kryesues çdo muaj unë i kam nënshkruar dhe ju janë dhënë ato paga.
Z.Mustafë Grainca,tha se sa u përket shërbimeve mortore kemi marrë informacion te Bashkësia Islame dhe kosto për një person në ditën e varrimit është 120 euro.
Sipas z.Ardian Ferizit për projektet të cilat nuk janë projekte të reja,por projekte vetëm përmbushje të kontratës,arsyeja është shumë e thjeshtë se këtë projekte janë bërë më herët dhe ka pasur mungesë të mjeteve. Me replikë për Drejtorin e Planifikimit Zhvillimit dhe Rindërtimit,e mori fjalën prap z.Ymri Hashani duke thënë se atë se çfarë e tha drejtori nuk përputhet me atë që na është dhënë duke e pasur të freskët Raportin e Punës të vitit 2012,thotë se kanalizimi fekalë në fshatin Tërrn kontrata është nënshkruar me 258.641 euro janë paguar granti qeveritar 100.00 euro,ndërsa tani i kemi ndarë edhe 61.000 euro dhe kësaj kompanie Linda i mbesim borxh 98 mijë euro. Ka edhe tjera kompani të cilave u mbesim borgj siç është edhe kanalizimi fekal në rrugën “Enver Topalli”,ku projekti i këtij kanalizimi ka kushtuar 95.710 euro ndërsa tash i ndahen 51.711 euro duke i mbetur kështu borgj 43.998 euro. Duke pasur kështu edhe projekte të tjera qe bien ndesh me këtë që thuhet.
Ndërsa z.Ardian Ferizi kërkoi që të shikohet Raporti i Punës së 2012 dhe të krahasohen vlerat dhe se plusi dhe minusi dalin pa pikë problemi.
Para së të hedhet në votim Rishikimi i Buxhetit kryesuesi i kuvendit i dha fjalën kryetarit të Komunës z.Agim Aliu i cili i falënderoi të pranishmit për debatin e krijuar i cili asnjëherë nuk ka qenë i munguar dhe duke pasur dëshirë që debati të avancojë e jo të degradojë,jo të ndërtohen debate me spekulime politike,por debat konstruktiv,me rolet e pozitës,opozitës,të ketë debate të mirëfillëta. Ndërsa sa i përket rishikimit të buxhetit tregon kreativitetin e qeverisjes lokale,tregon përkushtimin e ecjes së vazhdueshme të komunës së Ferizajt falë taksapaguesve sepse mbi të gjitha ne u japim llogari taksapaguesve sepse ata janë kontribuesitë e dhënies së parasë publike. Ngritja e buxhetit që do të jetë më i lartë për 300.000 euro paraqet përkushtimin dhe angazhimin e qeverisë lokale tha ai.
Pas debatit dhe fjalës përmbyllëse të Kryetarit të Komunës,Kryesuesi i Kuvendit,z.Zariqi e hodhi ne votim Rishikimin e Buxhetit i cili kaloi me shumicë votash unanime.

4. Pyetjet dhe kërkesat e antarëve të KK-së:

Z.Hesat Shatrolli parashtroi pyetjen për projektin i cili ka filluar në Pleshinë në vitin e kaluar ku pjesa para asfaltit ka përfunduar para një muaji ku ka qenë e gatshme të hidhet shtresa e asfaltit. Projekt ky ku kanë marrë pjesë në participim edhe qytetarët ku kompania Eskavatori është larguar qe një muaj dhe nuk dihet ku është problemi.
Z.Naser doli me kërkesën që te planifikohet transferimi i Ndërrmarrjeve Publike “Bifurkacioni”dhe “Pastërtia”nga lagjja Sallahane për shkak të hapsirës që i duhet kësaj lagje dhe erës së keqe. Duke kërkuar kështu që në seancën e ardhshme të futet në rend dite që të merret vendim për transferimin apo zhvendosjen e këtyre ndërrmarrjeve publike.
Z.Asllan Kryeziu kërkoi ndihmën e Kryetarit të Komunës për realizimin e projektit që është në proces për 44 shtëpitë në Dubravë. Projekt ky i cili po implementohet nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale,i bashkfinancuar nga zyra e Kryeministrit.
Z.Bekim Ademi kërkoi që rrugët të cilat janë të pakalueshme përafërsisht 13 rrugë së paku të shtrohen me zhavor,meqë nuk ka buxhet ndërsa kërkesa tjetër ishte se Kuvendi i Kosovës kohëve të fundit ka themeluar Universitetet Publike,por ka anashkaluar Ferizajn dhe ne si Kuvend t’i bëjmë një kërkesë Organeve Kompetente për hapjen e Universitetit Publike në Ferizaj.
Z.Adem Sejdiu tha se Shtëpia e Shëndetit në fshatin Gaçkë nuk është funksionale dhe kërkoi që ajo shtëpi të mbyllet që banorët të kontrollohen diku tjetër.
Z.Ardian Ferizi tha se sa i përket rrugës në fshatin Pleshinë duhet të bëhen disa testime pastaj të vazhdohen punët ,ndërsa sa i përket largimit të Ndërrmarrjeve“Pastërtisë”dhe” Bifurkacionit” këtë vit fillon plani rregullativ për atë zonë dhe do të mbahen debate publike dhe duhet të marrin pjesë qytetarët e asaj lagje në debatin publik i cili do të organizohet për atë zonë që të paraqiten kërkesat dhe të aprovohet kjo kërkesë pastaj.

5. Të ndryshme:

Te kjo pikë nuk u diskutua.