Mbledhja e II-të e KK të Prishtinës

26/02/2014

Lidhja Demokratike e Kosovës humb ndikimin e saj në kuvend

Mbledhja e sotme e Kuvendit Komunal në Prishtinë, është karakterizuar me tensione dhe përplasje në mes grupit të këshilltarëve komunal të Lidhjes Demokratike te Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Që në fillim të mbledhjes, me propozim të Kryetarit Shpend Ahmeti dhe në koordinim me Sekretarinë e Kuvendit e Kryesuesin e Kuvendit Komunal u propozua shtimi i dy pikave të reja në rendin e ditës,respektivisht Propozimi për shitjen e veturës Audi Q7 dhe formimi i komisionit këshilltareve komunal te Prishtinës për Kuvendin e Asosacionit Komunal të Kosovës. Njëkohësisht me propozim të udhëheqësit të grupit të këshilltarëve nga radhët e Lëvizjes Vendvendosje, z.Ylli Hoxha u propozua largimi i pikës së 12 të rendit të ditës, kjo si rezultat i mungesës së materialit të nevojshëm për të analizuar çështjen e lartpërmendur . Ky propozim ngjalli reagime ne kuvend, ku me theks të veçantë u dalluan këshilltarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Por gjithsesi pika e lartcekur u arrit qe me shumicë votash të largohet nga diskutimi.

E re tjetër e këtij takimi ishte edhe dorëheqja e këshilltarët komunale të Partisë Demokratike të Kosovës, znj. Florjana Rugova dhe zëvendësimi i saj nga znj. Lirjeta Rexhepi . E cila në pajtim me Ligjin për Qeverisje Lokale dhe legjislacionin në fuqi dha betimin para anëtareve të tjera të Kuvendit Komunal të Prishtinës. Njëkohësisht u kalua plani vjetor i punës së Kuvendit të Komunës si dhe u caktuan të deleguarit e partive politike në kuvend për formimin e Komitetit për Komunitete.

Në pikën e pestë te rendit të ditës, njëkohësisht çështja që ngjalli më së shumti debat në kuvend u diskutua emërimi i këshilltarëve komunal në Komisionet Komunale të Aksionarëve KKA. Pas deklarimit të emrave te listës se Kryetarit të Komunës, dhe kur pritej që partitë politike të vijnë me listat e tyre të propozuara, Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes përfaqësuesit të saj z. Sami Hamiti doli me propozimin që kjo pikë e diskutimit të shtyhet për mbledhjen e radhës ose në të kundërtën paralajmëruan largimin nga salla e kuvendit.

Pasi insistimit nga Kryesuesi i Kuvendit, partitë politike dhe interpretimit te rregullores së punës së kuvendit nga zyrtari i Zyrës Ligjore, që të respektohet rendi i miratuar i ditës, LDK përfundimisht në mënyrë demonstrative lëshoi Asamblenë Komunale. Atyre iu bashkëngjitën Aleanca Kosova e Re si dhe përfaqësuesi nga komuniteti serb.
Në situatën krijuar, me votimin pro te 25 këshilltarëve prezent dhe 1 kundër, u miratua lista e përbashkët e anëtareve te propozuar për KKA-ne e hartuar nga VV, PDK, AAK,LB, PD, PF dhe KDTP.

Gjithashtu vendim tjetër , që shkaktoi shume replika në asamble ishte edhe propozimi për shitjen e veturës zyrtare Audi Q7. Pas një morie debatesh në kuvend, me 27 vota për u vendos që kjo veturë të del në shitje, dhe njëkohësisht mjetet e fituara të destinohen për kategorinë e qytetareve ne raste sociale.

Po ashtu Drejtori i Arsimit prezantoi para asamblesë një informatë lidhur me suksesin e nxënësve në gjysmëvjetorin e parë të vitit shkollor 2013/2014. Në pikat e tjera të rendit të ditës u vendos që Ndërmarrja Publike Komunale “ Trafik Urban” , të mbështetet me një subvencion prej 50 mijë euro . Kjo me qëllim të mbulimi të shpenzimeve për derivate, duhet cekur se Lëvizja Vetëvendosje si dhe Ekzekutivi Komunal u zotuan që kjo do të jetë ndihma e fundit për kompaninë në fjalë, pasiqë presin që me një menaxhim më efikas ndërmarrja të arrijë në mënyre vetanake t’i mbuloj shpenzimet e veta.

Gjithashtu u krijua komisioni vlerësues për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme komunale. U vazhdua leja e dhënies ne shfrytëzim të pronës së paluajtshme të Komunës për AKP-në. Unanimisht u miratua vendimi për ndryshimin e Statutit të teatrit të qytetit të Prishtinës ‘’Dodona’’ si dhe kaloi propozimvendimi për themelimin e Këshillit Komunal në Bashkësi.

Në të ndryshme, Kryesuesi i Kuvendit z. Halim Halimi propozoi që të plotësohen formularët e shpërndarë nga përfaqësuesit e Agjencisë Antikorrupsion, ne sallën e kuvendit. Ku kërkohej të plotësohen të dhënat për deklarimin e pasurisë së asamblistëve të Asamblesë Komunale të Prishtinës.

Rend Dite:
Miratimi i ekstraktit te procesverbalit te mbledhjes së parë
Dhënia e betimit të anëtarit të ri të kuvendit;
Propozimi i Planit vjetor të punës së Kuvendit të Komunës për vitin 2014;
Propozimivendimi për formimin e Komitetin për Komunitete;
Caktimi i antarit në komisionin komunal të aksionarëve në ndërmarrjet publike lokale;
Propozimvendimi për vazhdimin e dhënies në shfrytzim të pronës së paluajtshme të Komunës AKP-së.
Propozimvendimi për caktimin e komisionit vlerësues për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të Komunës;
Propozimvendimi për shitjen e Pronës së luajtshme të Komunës;
Informatë për suksesin e nxënësve në gjysmëvjetorin e parë të vitit shkollor 2013/2014;
Propozimvendimi për lejimin e mjeteve NPK” Trafiku Urban” SH.A. Prishtine;
Propozimvedimi për ndryshimin e Statutit të teatrit të qytetit të Prishtinës ‘’Dodona”.
Propozimvendimet përfundimtare për këmbimin e pronës së paluajtshme te Komunës;
Propozimvendimi për themelimin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi;