Mbledhja e dymbëdhjetë e Kuvendit te Komunës se Prishtinës

24/10/2013

Me daten 24 Tetor u mbajt mbledhja e XII-të e rregullt e Kuvendit Komunal të Prishtinës

REND DITE :

1. Miratimi i ekstraktit të procesverbalit të mbledhjes së njëmbëdhjetë;

2. Raporti për arkëtimin, shpenzimet dhe investimet në periudhën 1 janar – 30 shtator 2013;

3. Propozimvendimi për plotësimin e Vendimit për emërtimin dhe zyrtarizmin e lagjeve, shesheve dhe rrugëve të komunës së Prishtinës;

4. Propozimvendimi për lejimin e fletëtransferit të mjeteve KRM “Pastrimi” SHA, në Prishtinë;

5. Propozimvendimi për lejimin e fletëtransferit të mjeteve ngrohtores së qytetit “Termokos” SHA, në Prishtinë;

6. Pyetje dhe përgjigje;

7. Të ndryshme.

INPO vlerëson se prezantimi i raportit mbi arkëtimin, shpenzimet dhe investimet nga periudha 1 janar – 30 shtator 2013, duhej të paraqitej në mënyrë më të detajizuar, në mënyrë që të jetë më i kuptueshëm për anëtarët në kuvend, mediat dhe qytetarët. Pasi që behet fjalë për një raport që tregon përformancën financiare të Komunës në realizimin e përgjegjësisë së saj për menaxhimin e parasë publike.

Njëkohësisht, për dallim prej herëve të tjera propozimet e paraqitura në asamble nuk kanë marrë përkrahje nga një pjesë e opozitës në kuvend, si ne rastin e prezantimit të raportit nga drejtoria e financave dhe propozimi për subvencionimin e ndërmarrjeve “Termokos”dhe “Pastrimi”.

Duhet theksuar se sot është ndjerë efekti i fushatës elektorale në kuvendin komunal te Prishtines. Kjo ka reflektuar ne mënyrën e zhvillimit të debatit dhe mungesës respektit të kodit të mirësjelljes në kuvend.

Miratohet rendi i ditës njëkohësisht kryesuesi i kuvendit z.Sami Hamiti reagon për një shkrim të gazetës Kosova Sot, lidhur me shkrimin e saj për pronën e Katedrales në Prishtinë. Ku i përfshirë është edhe anëtari i kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje z. Sadri Ramabaja.

1. Miratimi i ekstraktit të procesverbalit të mbledhjes së njëmbëdhjetë;

Besa Zagarxha(PDK): Bën vërejtje lidhur me shkurtimet në diskutimin e saj, në ekstraktin e përgatitur nga Sekretariati komunal.

Njëzëri aprovohet pika e parë e rendit të ditës

2. Raporti për arkëtimin,shpenzimet dhe investimet në periudhën 1 janar – 30 shtator 2013;

Prezantim i drejtorit Xhelil Bekteshi: Prezantimi i raportit informues mbi te hyrat dhe shpenzimet e Komunës se Prishtinës. Inkasimi 94.4%, realizmi dhe shpenzimi i buxhetit 57% .

Tefik Mehmeti: Raport vlerëson se raporti është i qarte, precisz dhe shumë informues mbi shpenzimin e buxhetit, dhe realizimin e te hyrave komunale. Si i tillë është pro aprovimi të tij në kuvend.

Aziz Pacolli: Kërkon sqarim mbi një pjese te të hyrave nga taksat e palujtshmërisë dhe kadastrit?, taksat nga shfrytëzimi i hapësirave komunale,sipërfaqeve publike, dhe përfitimin e Komunës nga këto te hyra?

Shemsi Veseli(PDK): Kërkon që të ketë një pasqyrë më të detajizuar, të kodeve ekonomike dhe shifrave te paraqitura ne kuvend. Të ketë transparence më të madhe në punën e komunës dhe sidomos të drejtorisë së financave .

Mejreme Berisha(AAK): Falënderon koleget për punën kuvendit në këto katër vjet, njëkohësisht është pro kalimit të raportit.

Fetih Mehdiu(PD): Me plotësimin e vërejtjeve të dhëna nga kolegët, është pro kalimit të raportit në asamble.
Me pese vota kundër, nga grupi i këshilltareve te Partisë Demokratike të Kosovës, miratohet raporti i propozuar.

3. Propozimvendimi për plotësimin e Vendimit për emërtimin dhe zyrtarizmin e lagjeve, shesheve dhe rrugëve të komunës së Prishtinës;

Vjollca Dibra(LDK): Prezanton piken për plotësimin e emërtimeve te lagjeve, shesheve dhe rrugëve te Komunës se Prishtinës.

Aziz Pacolli(AKR): Thekson se ka paqartësi në emërtimin e disa vendbanimeve, dhe lokacionin se ku mund të gjenden rrugët në fjalë. Poashtu potencon se disa emra janë vendosur në mënyrë jo të duhur dhe të papërshtatshëm më vendbanimet në fjalë.

Mejreme Berisha(AAK): Propozon që disa rrugë të emrohen me emra të viseve shqiptare të Malit të Zi, si Kraja, Tuzi etj.

Shefki Gashi(LDK): Thekson se nuk ka vend për shqetësim, sepse rrugë ka dhe do të ketë më bollëk në të ardhmen, kështuqe do të ketë mundësi emërtime të tjera shtesë.

Naim Makolli(AKR): Shpreh shqetësimin e ndërrimit të emërtimit të rrugëve që nga koha e pasluftës, kjo sipas tij po ndikon në konfuzitetin e dokumenteve dhe faturave te ujit, rrymës etj.

Shemsi Veseli(PDK): Kërkon qe ne kuadër të emërtimit të rrugëve, të kihet parasysh qe emërtimi të jetë në përputhje me karakteristikat e vendit përkatës.

Pika e tretë e rendit të ditës me tri abstenime, votohet nga pjesa tjetër e të pranishmëve.

4. Propozimvendimi për lejimin e fletëtransferit të mjeteve KRM “Pastrimi” SHA, në Prishtinë;

Xhelil Bekteshi(Drejtor për Ekonomi e Financa): Me kërkesë te KRM “Pastrimi “ SHA, për te paguar deponinë e mbeturinave. Bordi i drejtorëve ka marre vendim për të subvencionuar ndërmarrjen me 50000 euro.
Rrahman Ismajli(LDK): E aprovojmë.

Aziz Pacolli: Vlerësojmë se një akt i tillë bëhet për qëllime fushate, kështuqë nuk do të aporovojmë kalimin e kësaj shume në kuvend.

Shemsi Veseli(PDK): Kërkon qe subvencionimi i kompanive shoqërore, te jetë me i matur, rrjedhimisht më i kujdesshëm. Njëkohësisht kërkon transparencë nga stafi menaxhues i Termokosit, lidhur me pagat e stafit dhe performancen e punës.

Sadri Ramabaja(VV): Tha se rastin e ndërmarrjeve në fjalë, arsyetimi për mbështetjen është i paarësyeshëm dhe si i tillë nuk e aprovoj.

Liridon Restelica(PDK): Nuk është dakord për mbështetjen e tillë të kompanive publike, pasi që kjo gjë po bëhet në kohë fushate.

Mejreme Berisha(AAK): Potencoj se duhet të mbështeten kompanitë publike, sepse me kapacitetin që kanë nuk mund të kenë përformancë të mirë në ofrimin e shërbimeve të mira publike për qytetarët.

Fetih Mehdiu(PD): Nuk mund të mbështesim subvencionimin e ndërmarrjeve ku stafi menagjues ka paga deri ne mijëra euro, kjo bien në kundërshtim me parimet e partisë së drejtësisë, kështuqë nuk e aprovojmë.

Me dhjetë vota kundër, miratohet pika e katërt e rendit të ditës.

5. Propozimvendimi për lejimin e fletëtransferit të mjeteve ngrohtores së qytetit “Termokos” SHA, në Prishtinë;

Tefik Mehmeti(LDK): Performanca e kompanive, “Pastrimi” dhe “Termokosi” , ka shënuar rritje, ndihma duhet të vazhdojë derisa ndërmarrjet të kenë vetë mundësinë për të mbuluar shpenzimet e veta.

Shemsi Veseli(PDK): Thekson se raportimi i punës së ndërmarrjeve nga stafi menaxhues dhe aksionaret nga komuna nuk ka qenë korrekt.

Sadri Ramabaja(VV): z. Ramabajes i merret e drejta e fjales nga kryesuesi i kuvendit, për shkak të diskutimit jashtë pikës se rendit te ditës.

Naim Makolli(AKR): Bën vërejtje në mos raportimin e duhur të ndërmarrjes së Termokosit, sipas tij nuk kemi pasur kurrë raporte korrekte dhe të detajizuara nga ana e kompanisë së Termokosit. Edhe këtij i merret fjala për devijim të diskutimit, meqenëse ai filloi të falsë për rruge dhe shkolla etj

Liridon Restelica(PDK): Ne shenjë proteste për shkak të sjelljes jo profesionale të kryesuesit Sami Hamiti, ai vendos ta braktisë sallën e kuvendit.

Me tete vota kundër,miratohet pika e pestë e rendit të ditës.

5. Pyetje dhe përgjigje:

Besa Zagarxha(PDK): Kërkon që kompania e pastrimit të mos heq mbeturinat në mëngjes, sepse po pengon rrugën dhe transportin e qytetarëve që shkojnë në punë.

7. Të ndryshme.