MBLEDHJA E DHJETË E KUVENDIT KOMUNAL PRISHTINË

24/09/2013

REND DITE :
1. Miratimi i ekstraktit të procesverbalit të mbledhjes së nëntë;
2. Propozimvendimi për Planin zhvillimor urban 2013-2022;
3. Informatë lidhur me inspektimin e Qendrave të Mjekësisë Familjare të Komunës së Prishtinës nga ana e Inspektoratit Shëndetësor të Kosovës;
4. Propozimvendimi për plotësimin e Rregullores për shërbimin e transportit me “Merimangë” në territorin e komunës së Prishtinës;
5. Propozimvendimi për dhënien e pajisjeve në shfrytëzim ndërmarrjes publike lokale “Hortikultura” SH.A, në Prishtinë;
6. Pyetje dhe përgjigje;
7. Të ndryshme.

Prishtinë, 24 Shtator 2013 – Më të filluar mbledhja kryesuesi z. Sami Hamiti, pyeti këshillatër komunal, a kanë për të shtuar ndonjë pikë të rendit të ditës.

Z. Sadri Ramabaja VV – Ka ngritur çështjen e donacionit japonez për ndihmën e ndërmarrjes komunale “Trafiku Urban” me 50 autobus? Gjithashtu, z. Ramabaja kërkoj arsyen perse nuk është realizuar deri më tani dhe ku ka ngecur procesi. Poashtu ka kërkuar një informatë për shqyrtimin e cilësisë së arsimit parauniversitar, ai konstaton se ka fryrje të cilësisë dhe rezultateve në arsim, dhe kërkon që kjo çështje të diskutohet për mbledhjen e ardhshme.

z. Sami Hamiti: Hedhi në votim rendin e ditës, i cili u aprovua njëzëri nga të gjithë këshilltarët e kuvendit komunal.

Miratimi i i ekstraktit te procesverbalit të mbledhjes së nëntë;

Sami Hamiti: Hedh në diskutim ekstraktin e procesverbalit të mbledhjes së nëntë.

Feti Mediu PD: Është mire qe procesverbali te faqezohet, dhe thekson se i është paqartë diskutimi i thënë në mbledhje. Ai bënë dy plotësime si pasojë e ndryshimit të bërë nga shërbimi i kuvendit.

Sadri Ramabaja VV: Të shënohen emrat e atyre qe nuk votojnë dhe abstenojnë në votim, pra të dihet qartë se kush është kundër e kush pro pikës së rendit të ditës.

Me plotësime dhe vërejtje miratohet pika e parë e rendit të ditës

Propozimvendimi për Planin zhvillimor urban 2013-2022;

Drejtori i Urbanizmit z. Behxhet Musliu: Ky propozimvendim është miratuar me dt. 02.07.2013. Poashtu janë organizuar debatet publike me qytetarë dhe grupe të tjera. Janë evidentuar vërejtjet, komentet nga qytetarët, komisioni për mbikëqyrjen e procesit etj. Është dhënë pëlqimi nga ana e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe presim që plani të miratohet me plotësimin e vërejtjeve të bëra.

Përfaqësues nga kompania Hidroing DK: Janë mbajtur diskutimet publike në afatin ligjor prej një muaji, është realizuar prezantimi para kuvendit komunal. Kemi marrë gjithsej nëntëdhjetë e tre sugjerime, kritika. Duke u bazuar në propozimet e bëra nga ana e qytetarëve dhe profesionistëve të fushës, plani zhvillimor urban 2013-2022 është plotësuar me disa ndryshime si p.sh: është paraparë të ndërtohet një kopsht zoologjikë, një kopsht botanik, dhe një objekt kulti /xhami për nevojat e besimtarëve. Njëkohësisht në disa lagje si në Taslixhe kemi pasur kërkesa për ngritje të etazhitetit të ndërtesave dhe objekteve banesore.

Mustafë Krasniqi LDK: Mendojmë se puna e realizuar nga kompania në fjalë ka qenë e suksesshme, plani është i hartuar në mënyrë profesionale dhe vlerësojmë shumë përfshirjen e vërejtjeve të marra nga diskutimet publike. Ne si grup do të votojmë për kalimin e propozim vendimit për planin zhvillimor urban 2013-2022.

Aziz Pacolli AKR: Mendojmë se plani është i paraqitur në kuvend është profesional, njëkohësisht pyet se a ka pasur selektim nga ana e kompanisë projektuese, në përfshirjen e kërkesave të qytetarëve në projekt. Poashtu në emër të grupit të këshilltarëve komunal të Aleancës Kosova e Re, përkrah miratimin e projektit zhvillimor urban.

Shemsi Veseli PDK: Potencon përdorimin e disa gabimeve drejtshkrimore në projekt, përndryshe në tërësi përgëzon kompaninë dhe për punën e bërë, dhe në emër të grupit të Partisë Demokratike të Kosovës voton pro propozim vendimit.

Mejreme Berisha AAK: Me të gjitha vërejtjet e bëra nga koleget në sallë, jemi pro kalimit të kësaj pike.

Fetih Mehdin PD: Vlerësojmë punën e prezantuar nga kompania Hidroing DK, dhe angazhimin e akterëve të tjerë në këtë proces, si rezultat jemi për aprovimin e kësaj pike.

Sadri Ramabaja VV: Sipas z. Ramabaja ka pasur mungesë të debatit me profesionistët e fushës si arkitekt, inxhinier, urbanist si dhe neglizhencë në prezantimin dhe diskutimet me qytetarë, poashtu ka drejtuar akuza gjenerale kundrejt punës së ekzekutivit komunal.

Besa Rafuna LDD: Përgëzon udhëheqjen e Komunës për punën e bërë. Njëkohësisht në emër të Lidhjes Demokratike e Dardanisë e aprovojmë .
Isa Mustafa: Falënderon të gjithë për kontributin e dhënë, flet për rëndësinë e këtij plani madhorë për Prishtinën, falënderon asamblenë, opozitën për kontributin e dhënë në të gjitha nismat e projektet komunale.

Miratohet me një abstenim

Informatë lidhur me inspektimin e Qendrave të Mjekësisë Familjare të Komunës së Prishtinës nga ana e Inspektoratit Shëndetësor të Kosovës;

Valbon Krasniqi – Drejtori i Shëndetësisë: Informon për të gjeturat e inspektoratit në inspektimin e Qendrave të Mjekësisë Familjare – QKMF në Prishtinë. Të gjeturat përfshijnë resurset, respektimin e etikës ligjore, kushtet e punës, profesionalizmi i punëtorëve shëndetësor dhe ofrimin e shërbimeve mjekësore në këto qendra. Si pas të gjeturave mbi 80 % e pacienteve iu ofrohen shërbimet parësore shëndetësore nga QMF-të dhe pjesa prej 20% referohen për instancat tjera si QKUK etj.
Është shtuar kujdesi në reduktimin e përshkrimit të antibiotikëve parenteral për pacient. Sipas inspektoriatit të Ministrisë së Shëndetësisë, respektimi i etikës ligjore është plotësuar në mënyrë të plotë nga ana e punëtorëve shëndetësor. Ka disa vërejtje si në mos regjistrimin e emrave të mjekeve në QKMF, për një shkelje të tillë presim marrjen e masave nga ana e komisioneve te QKMF-së.

Mustafë Krasniqi LDK: E vlerësojmë informatën e prezantuar nga Drejtori Valbon Krasniqi, dhe meqenëse kjo është informatë dhe si e tillë nuk votohet në kuvend, ne thjesht përkrahim nisma të tilla.

Aziz Pacolli AKR: Pyet se sa do të ndikon në punën e drejtorisë së shëndetësisë çështja e zbritjes prej 2 milionë euro të grandit qeveritar për vitin 2014.

Shemsi Veseli PDK: Vlerësojmë punën e bërë, por duhet theksuar se ka mangësi në kartelat shëndetësore, mungesë të personelit adekuat shëndetësor si laborant etj. Poashtu thekson se ka mungesë përgjegjësie tek personeli në mbajtjen e kartelave të identifikimit, dhe kërkon përmirësim urgjent në ofrimin e shërbimeve shëndetësore të sektorit të Pediatrisë, njëkohësisht lista e nënshkrimeve nuk respektohet, si dhe nuk ka menaxhim të duhur të mbeturinave shëndetësore si shiringat etj.

Mejreme Berisha AAK: Meqenëse oborret e qendrave të mjekësisë familjare, janë në një gjendje të mjerueshme si pasojë e mos mirëmbajtjes, dua të di se kujt i takon përgjegjësia në mirëmbajtjen dhe përkujdesjen e tyre.

Kimete Zeqa PD: Komiteti komunal për shëndetësi nuk funksionon, rrjedhimisht ne nuk kemi informata mbi punën dhe gjendjen e shëndetësisë në Komunën e Prishtinës.

Sadri Ramabaja VV: Gëzohet për uljen e përshkrimit te antibiotikëve. Shpreh brengosjen për ndërtimin jo të duhur të ndërtesave te QMF-ve në Prishtinë, përndryshe është i kënaqur me shërbimet e ofruara nga QMF-të.

LDD: Përgëzon punën e drejtorit.

Naim Makolli AKR: Pyet ku mbarojnë mjetet e përdorura të mbetjeve shëndetësore si shiringa etj?, të cilat ndikojnë në përhapjen e infeksioneve.

Valbon Krasniqi: Granti është zvogëluar por do të ketë bartje nga të hyrat vetjake të komunës. Sa i përket mirëmbajtjes së oborreve te QMF-ve
shpresojmë se së shpejti Hortikultura, të na ndihmon në mirëmbajtjen e oborreve dhe parqeve të QMF-ve. Mbeturinat e QMF-ve, mblidhen nga shërbimi i veçantë , dërgohen në QKUK, ku ato riciklohen nga institucioni në fjalë.

Propozimvendimi për plotësimin e Rregullores për shërbimin e transportit me “Merimangë” në territorin e komunës së Prishtinës;

Agim Salihu (zyrtar ligjor në Komunën e Prishtinës): Do të ketë ndryshime në mënyrën e pagesës së bankave, kur të merren makinat nga merimanga . Pra do të paguhen me arkë fiskale, në kohën kur bankat nuk punojnë si gjatë pasditeve dhe në ditë feste.

Miratohet nga të gjithë të pranishmit

Propozimvendimi për dhënien e pajisjeve në shfrytëzim ndërmarrjes publike lokale “Hortikultura” SH.A, në Prishtinë;

Agim Gashi (Drejtor i Shërbimeve Publike): Njofton Kuvendin për realizimin e disa blerjeve si disa për Kompaninë Publike Komunale Hortikultura. Në mënyrë që të ketë shërbime më efikase nga Komuna për qytetarët e Prishtinës.

Pa diskutim votohet njëzëri.

Pyetje dhe përgjigje;

1. Pse Komuna nuk ka marre masa për tërheqjen e pishave të vendosura nga ana e Katedrales së Ipeshkvisë së Kosovës?

2. Qytetarët kërkojnë shtimin e ulëseve në parqet publiken qytet!

3. Kërkohet ofrimi i ndihmës nga ana e Komunës për heqjen e shpenzimeve mortore të qytetarëve të Komunës së Prishtinës.

4. Vërejtje për varrmihësit, në hapjen e varreve nuk janë bëre në koordinim me rregullat islame etj.

5. Keqpërdorimi i tabelave të reklamave me përdorimin e tyre për fushatë elektorale.

6. Në ndërtimin e rrugës “Isa Kastrati”, ka vërejtje në ndërtimin jo cilësor të rrugës, ky dështim i faturohet inspektoratit komunal për mungesën e kontrollit të duhur të punës.

7. Me kërkesë të një pjese të qytetarëve të komunitetit kristian, kërkoj një kopje të kontratës së truallit të Kadetrales dhe Komunës së Prishtinës. Sepse ka dyshime për manipulim nga të dyja palët e përfshira. Në këtë pikë përgjigjet menjëherë z.Sami Hamiti ku thekson se për këtë çështje ekziston vendimi i Kuvendit, pra vetëm ai është valid.