Lypësit (fëmijë) pa vëmendjen e institucioneve dhe shoqërisë
25/09/2010Forumi për Iniciativa Qytetare dhe Iniciativa për Progres organizuan debatin me temë “Fëmijët si kërkues të lëmoshës – Përgjegjësia e shoqërisë dhe institucioneve karshi tyre”.
Ky debat u realizua në kuadër të projektit të përbashkët të këtyre organizatave për “Rritjen e mbikëqyrjes qytetarë në sundimin e ligjit”, në kuadër të të cilit, debate të ngjashme janë duke u realizuar në disa komuna të Kosovës.
Në këtë debat morrin pjesë përfaqësues të Komunës së Ferizajt, të Qendrës për Punë Sociale, KMDLNJ-së, organizatave jo-qeveritare, përfaqësuesve të të rinjve dhe përfaqësues medial.
“Dukuria e fëmijëve si kërkues të lëmoshës është një dukuri shqetësuese për të gjithë shoqërinë e në veçanti për të gjitha institucionet përgjegjëse që do të duhej të ndërmerrnin masa për parandalimin e kësaj dukurie” u tha nga të gjithë pjesëmarrësit në takim.
Përfaqësuesi i Qendrës për Punë Sociale, z. Nuhi Kashtanjeva tha se “ne si Qendër po merremi me dy çështje të lypësve, ata që janë nga Kosova dhe lypsët nga Shqipëria. Ne deri më tani kemi organizuar 3 aksione për ri-atdhesimit të lypësve nga Republika e Shqipërisë në kuadër të Task Forcës për të luftuar dukurinë e kërkuesve të lëmoshës. Megjithëse, ne kemi një bashkëpunim të mirë me Policinë e Kosovës, ngecjet më të mëdha i kemi me Prokurorinë dhe gjykatën Komunale, të cilët për shkak të një numri të madh lëndësh të pazgjidhura i vonojnë shumë të gjitha procedurat”.
Në anën tjetër nga shumica e pjesëmarrëse një dukuri shumë shqetësuese u theksua edhe “shfrytëzimi dhe keqpërdorimi” i fëmijëve nga shoqatat humanitare, të cilët fëmijët e moshës së mitur i shfrytëzojnë për të shkuar nëpër shtëpi dhe për të kërkuar para në emër të “shërimit të fëmijëve”, e organizata të tilla në Ferizaj veprojnë shumë.
Nga të gjithë pjesëmarrësit u konkludua se në Komunën e Ferizajt duhet të gjitha institucionet qeveritare dhe jo-qeveritare të mblidhen së bashku dhe të përpilojnë Planin Lokal të Veprimit për parandalimin e dukurisë së kërkimit të lëmoshës.
Konkluzionet dhe rekomandimet:
Të rritet bashkëpunimi ndër-institucional në luftimin e kësaj dukurie;
Shoqatat humanitare të ndryshojnë formën e punës dhe mos të përdorin fëmijët për kërkim të parave në emër të misioneve humanitare;
Të rriten kapacitetet njerëzore dhe buxhetore të Qendrës për Punë Sociale;
Policia e Kosovës të jetë më e shpejtë në reagimet e saj kur të identifikohen rastet e lypësve dhe keqtrajtimit të tyre;
Mësimdhënësit të jenë më të kujdesshëm në trajtimin e fëmijëve me probleme;
Shoqëria Civile të punoj më shumë në sensibilizimin e fëmijëve dhe në integrimin e tyre;
Qytetarët të mos u japin të holla lypësve, sepse në këtë formë e inkurajojnë kërkimin e lëmoshës;