Letër Reaguese Kryetarit të Komunës së Ferizajt
20/12/2012I nderuar Z.Aliu,
INPO i’u përkujton se Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi(KKSB) ka mision të shenjët për ruajtjen e lirisë dhe sigurisë së qytetarëve të Ferizajt. Për ta realizuar këtë mision kaq të rëndësishëm KKSB ka për detyrë që të sigurojë përfaqësimin e pikëpamjeve dhe të gjitha shqetësimeve të qytetarëve që lidhen me çështjet e sigurisë dhe kualitetin e jetës së qytetarëve. Përmes kësaj letre reaguese shprehim pakënaqësin me propozimin e zyrës së Kryetarit të Komunës së Ferizajt për përbërjen e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, të datës 04.12.2012 për Kuvendin e Komunës, të cilin e konsiderojm si propozim përjashtues që është hartuar duke shpërfillur dispozitat e parapara me udhëzimin administrativ Nr. 27/2012 MPB – 03/2012 për Këshillat Komunale për Siguri në Bashkësi.
Udhëzimi administrativ Nr. 27/2012 MPB – 03/2012 MAPL, për Këshillat Komunale për Siguri në Bashkësi në nenin 4 përkufizon përbërjen e KKSB-ve, ku si pjesë përbërëse njeh edhe një përfaqësues nga OJQ-të, por që nuk përcakton mënyrën se si do të zgjidhet përfaqësuesi i OJQ-ve kur dihet se ekziston numër i madh i OJQ-ve që veprojn në Ferizaj.
Për më tepër Udhëzimi administrativ në Nenin 9 përcakton detyrat dhe përgjegjësitë e Kryesuesit të KKSB-së. Pika 1.1 e këtij neni ju obligon që si Kryesues i KKSB-së brenda tridhjetë (30) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij udhëzimi administrativ, përmes mediave publike, të ftoni komunitetet përkatëse për të bërë propozimet e anëtarëve të tyre në KKSB. Në vazhdim pika 1.2 përcakton se në bazë të propozimeve të komuniteteve përkatëse, Kryesuesi përgatit listën e anëtarëve të KKSB-së duke përfshirë të gjithë akterët, ashtu siç është përcaktuar në nenin 4 të këtij udhëzimi administrativ dhe të njëjtën listë e dërgon në Kuvendin Komunal për miratim.
Lista e anëtarëve të KKSB-së që do t’i propozohet Kuvendit Komunal për miratim me datë 21.12.2012 është hartuar në heshtje duke mos e respektuar kështu Udhëzimin Administrativ për Këshillat Komunale për Siguri në Bashkësi pasi që INPO nuk ka pranuar asnjë ftesë për të propozuar antarë dhe po ashtu në mbledhjen e fundit të KKSB-së që është mbajtur me datë 04.12.2012 ku edhe është dashur që të debatohet dhe në mënyrë të hapur dhe transparente të hartohet lista e anëtarëve të ardhshëm të KKSB-së, monitoruesit të INPO-s i është thënë se kjo është mbledhja e fundit me këtë përbërje pasi që mandati i anëtarëve të KKSB-së do të ndryshoj në bazë të Udhëzimit të ri Administrativ, por duke mos diskutuar fare për emërimin e përfaqësuesit të OJQ-ve.
Nxjerrja para aktit të kryer, vetëm duke bërë një vërejtje dhe duke i bashkangjitur propozim vendimit që është hartuar pas mbledhjes së fundit të KKSB-së listën e përbërjes, për të cilën nuk është diskutuar fare në mbledhje nuk është mënyra për të themeluar mekanizma që garantojnë sigurinë e qytetarëve. Duke i propozuar Kuvendit Komunal një përfaqësues të OJQ-ve (me vet-emërim) i cili nuk është debatuar në mesin e shoqërisë civile në Ferizaj dhe që nuk e ka pëlqimin e Organizatave të tjera që të jetë përfaqësues i tyre, duhet të përbëjë preokupim serioz edhe për ju si Kryesues i Këshillit për Siguri duke pasur parasysh se mjetet që mund ta kërcënojn Sigurinë në Bashkësi varirojnë nga shtypja e shprehjes së saj deri tek potenciali për përjashtim apo diskriminim.
Në fund të kësaj letre INPO i’u bënë thirrje që të rishikoni listën e përbërjes së KKSB-së dhe që propozimi për anëtarët të shtyhet për mbledhjen e ardhshme të Kuvendit Komunal në mënyrë që t’i ipet hapsirë diskutimit për përfaqësuesin e OJQ-ve në KKSB, që në këto rrethana të shmanget diskriminimi sistematik që kërcënon të drejtën themeltare të OJQ-ve që të zgjedhin përfaqësuesin e tyre, pasi që emërimi eventual i përfaqësuesit të OJQ-ve në këtë mënyrë përjashtuese vë në pikëpyetje edhe misionin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi.